Vetëm disa ditë larg 14 vjetorit të “21 Janarit”, protestës së përgjakshme ku humbën jetën 4 persona, është vjedhur një nga pllakat në nder të tyre. Më 21 Janar 2011 mbetën të vrarë Ziver Veizi, Hekuran Deda, Faik Myrto dhe Aleks Nika të cilët janë shpallur “Dëshmorë të Atdheut”.
Gazetari Artan Hoxha denoncon duke publikuar fotografi nga Bulevari “Dëshmorët e Kombit”, ku edhe pse ruhen nga gardistët para Kryeministrisë, është vjedhur pllaka e bronzit në kujtim të një prej viktimave, Hekuran Deda.
Në kujtim të katër “Dëshmorëve”, në Bulevari “Dëshmorët e Kombit”,ku u zhvillua protesta e opozitës në atë kohë, Partia Socialiste u vendosen katër pllaka përkujtimore prej bronzi.
Ky nuk është rasti i parë, sepse sipas Hoxhës më herët është vjedhur edhe pllaka e viktimës Faik Myrto, por që u zëvendësua edhe pse jo në të njëjtat përmasa.
Reagimi i plotë:
Dale se nuk keni parë gjë akoma….
E paskan vjedhur Hekuranin (Deda), në mes të bulevardit dhe para syve të gardistëve që ruajnë kryeministrin.
Në fakt kishin vjedhur dhe Faikun(Myrto), nga trotuari tjeter i bulevardit, përballë Kryeministrisë. Por Faikun, punonjësit e Bashkisë, e kanë zëvendësuar në kohë edhe pse jo në të njëjtat përmasa, që ka patur pllakati përkujtimor fillestar.
Në fakt bëhet fjalë për pllakatet përkujtimore në nderim të 4 protestuesve “Dëshmorë të Atdheut”, të pushkatuar pa gjyq nga armët e shtetit gjatë protestës së 21 janarit 2011.
Për ironi të fatit, në historinë gati njëqindvjeçare të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, protestuesit Ziver Veizi, Hekuran Deda, Faik Myrto dhe Aleks Nika, janë të vetmit Dëshmorët në atë bulevard.
Në kujtim të 4 “Dëshmorëve”, u vendosen kater pllaka perkujtimore prej bronzi, në vëndet ku ata mbetën të vrarë.
Për pak ditë mbushen plotë 14 vite nga protesta më e përgjakshme në Shqipëri, por ende drejtësia Shqiptare nuk ka dhënë drejtësi.
Autorët, urdhëruesit, organizatorët dhe ata që prishën provat apo penguan hetimet, vazhdojnë të jenë të pandëshkuar.
Ndërsa përfituesi direkt i asaj masakre, njeriu që erdhi në pushtet me premtimin se do të bënte drejtësi me çdo kusht dhe me çdo çmim, vazhdon të jetë në pushtet për tre mandate me radhë, për 12 vite rresht, por pa e mbajtur kurrë premtimin e tij.