Vetëm dy muaj larg zgjedhjeve lokale të 14 majit, SPAK godet sërish. Këtë të mërkurë me urdhër të SPAK u arrestua Kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla.
Lefter Alla bëhet me dije se u arrestua, pasi akuzohet për korrupsion dhe për abuzime me tenderat publike gjatë ushtrimit të detyrës si kryetar i bashkisë së Bulqizës.
Por kjo nuk është hera e parë që Lefter Alla përballet me institucionet e drejtësisë, pasi pak vite më parë u akuzua për konsum kokaine në një lokal, ku u shfaq edhe një video si provë.
Arrestimit të Allës nuk është i vetmi, pasi në 15 maj të 2015, bëri bujë lajmi i arrestimit të ish-kryebashkiaut të Dibrës Shukri Xhelili.
Ish-kreu i Bashkisë Dibër, Shukri Xhelili u arrestua me akuzën për “Korrupsion pasiv” në formën e kërkimit të favoreve seksuale.
2016- Elvis apo Ervin Rroshi, kryetari i shumëpërfolur i Kavajës për të shkuar kriminale, dha dorëheqje dhe pranoi se ka qenë i dënuar në Itali, por këmbëngul se “nuk ka pasur dijeni” për dënimin dhe se është viktimë e “shpifjeve”.
Kryetari i Bashkisë së Kavajës Elvis Rroshi, i cili më parë ka pasur emrin Ervin Rroshi, deklaroi sot dorëheqjen nga posti si kryebashkiak duke u bërë viktima e parë e ligjit për Integritetin e Personave të Zgjedhur apo të Emëruar, i njohur më së shumti si ligji i dekriminalizimit të skenës politike të vendit, pasi zbuloi se mbi të rëndon një vendim dënimi në Itali.
Rroshi, kryebashkiak i Kavajës që nga viti 2011, ka qenë akuzuar më herët për dënime në Itali dhe Zvicër për aktivitete të lidhura me trafikun e drogës. Në formularin e vetëdeklarimit, Rroshi pati deklaruar se hetuar në qytetin e Mynihut në Gjermani “para vitit 2002”, por “nuk e mbante mend” arsyen se pse qe hetuar dhe as rezultatin e hetimit.
2019- Kryebashkiaku i sapozgjedhur i Shkodrës Valdrin Pjetri kishte fshehur në formularin e vetëdeklarimit faktin se ishte arrestuar, dënuar dhe dëbuar nga Italia për trafik lëndësh narkotike në vitin 2003.
Për këtë shkak, në gusht 2019, Pjetri u dorëhoq nga marrja e detyrës së kryebashkiakut dhe tha se do t’i përgjigjet akuzave të bëra nga opozita si qytetar i thjeshtë.
2019- Kryebashkiaku i Vorës Agim Kajmaku, akuzohej për fshehje të së shkuarës kriminale në formularin e dekriminalizimi. Agim Kajmaku, i cili ka mbajtur dhe emrin Jorgo Toto kur ka jetuar në Greqi, është arrestuar, dënuar dhe dëbuar nga Greqia për përdorim dhe shpërdarje të kartomonedhave të falsifikuara.
Pas verifikimit nga prokuroria, më 1 nëntor 2019, KQZ shkarkoi Kajmakun për shkelje të ligjit të dekriminalizimit. Prej 11 nëntorit zoti Kajmaku është në arrati, ndërkohë që Gjykata e Apelit ka dhënë masën arrest me burg në mungesë.
2020- Kryebashkiaku i Mallakastrës Qerim Ismailaj, akuzohej se ishte dënuar me burg në Greqi për rrahje e plagosje, dhe këtë fakt e ka fshehur në formularin e dekriminalizimit.
Një javë më pas, Prokuroria e Përgjithshme nisi hetimet dhe i mori Ismailjat shenjat e gjishtërinjve. Kryebashkiaku Ismailaj ka mohuar disa herë akuzat duke theksuar se nuk ka dijeni për dokumentet e publikuara nga PD.
1 muaj më parë Kryetari i Bashkisë së Mallakastrës Qerim Ismailaj është dënuar nga GJKKO me 6 muaj burg që konvertohet me 40 orë pune për interes publik.