0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Nga Salillari, Llanaj tek Lul Morina, dosjet e ‘nxehta’ për pallate pa leje në Prokurorinë e Tiranës, Bojken Lako dhe Mimoza Ahmeti u ndëshkuan për riparim shtëpie

    Nga Adriatik Doçi

    Kryeministri Edi Rama kritikoi edhe një herë sot Prokurorinë e Tiranës se ‘po fle’ mbi dosjet pallateve pa leje, ndërsa ka dërguar për gjykim poeten Mimoza Ahmetin dhe kantautorin Bojken Lako, për riparimin e banesës pas tërmetit si dhe për hapjen e disa dritareve në studion muzikore. Teksa dy artistët janë dënuar nga gjykata, ligji vijon të mos veprojë mbi të ashtuquajturit oligarkë dhe biznesmenë të fuqishëm, të cilët kanë ndërtuar dhjetëra mijëra katrorë në zonat më të lakmueshme të Tiranës, me qëllim fitimi.

    Në Prokurorinë e Tiranës vijon të mbetet e hapur një dosje për ndërtime masive pa leje në kryeqytet nga kompania ‘Salillari’, në pronësi të biznesmenit Pëllumb Salillari, me administrator të besuarin e tij Lulzim Salillari. Në 9 shtator të këtij viti, kompanisë Salillari i është sekuestruar një shtesë pa leje në një pallat në ndërtim në zonën e Farkës në Tiranë, me një sipërfaqe 1200 m2. Burime për Shqiptarja.com pohuan se shtesa nuk është ndërtimi i vetëm pa leje i Salillarit në Tiranë. Biznesmeni që ka marrë mbi 100 milionë euro fonde publike, është lakuar për ndërtim pa leje në zonën e mbrojtur të Sinecit.

    Biznesmeni Juljan Morina, i njohur si Lul Morina, ishte objekti i parë i veprimit të vendimit të qeverisë, për sekuestrimin e ndërtimeve pa leje. Morinës iu sekuestrua sot pallati 9-katësh në zonën e Liqenit të Thatë, pasi objekti ishte ndërtuar pa leje. Morinës i janë zbuluar edhe disa pallate të tjerë pa leje në Tiranë. Shqiptarja.com mëson se Lul Morina është referuar në Prokurorinë e Tiranës që kur ka nisur pallatin pa leje tek Liqeni i Thatë.

    Julian Morina njihet për jetën e luksit, ku ekspozon në rrjetet sociale një jaht me mbiemrin e tij ‘Morina’, makinë Rolls Royce etj. Morina është shfaqur edhe në ortakëri me vëllezërit indianë Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara, të dyshuar për përvetësimin dhe pastrimin e 1 miliard USD përmes një skeme më kreditë bankare në Indi. Lul Morina rezulton në regjistrin e biznesit 12 vitet e fundit, ndërsa nuk dihet baza mbi të cilën e ngriti kapitalin.

    Në Prokurorinë e Tiranës është referuar që në muajin korrik të këtij viti edhe kompania “Ideal Construction shpk”, për shtesën pa leje prej 4646 metër katrorë, mbi kullën pranë qendrës së Tiranës, në krye të Rrugës së Kavajës, i njohur si ‘Syri i Tiranës’. Pronar i kompanisë dhe rrjedhimisht përfitues i ndërtimit pa leje është biznesmeni Armand Lilo, ndërsa si administrator rezulton Ferzilet Hajdëri.

    Në Prokurorinë e Tiranës ka një dosje për ndërtim të paligjshëm dhe falsifikim dokumentesh edhe për biznesmenin Dritan Llanaj, pronar i kompanisë “Mesaplik-05”. Për Llanaj ka disa kallëzime penale për ndërtim të paligjshëm në Yzberisht, ndërsa ermi i tij është lakuar për tjetërsim pronash tek Spitali Ushtarak dhe konflikte. Janë sekuestruar gjithashtu hotele dhe pallate në pronësi të Agustin dhe Xhordan Biqiku, Shyqri Maloku, Aleksandër Kadria, Elton Caushaj dhe Alban Bitraj.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit