9.5 C
Tirana
E hënë, 2 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Një ditë pas protestës…

    Nga Bedri Islami

    Protesta mbaroi. Njerëzit u mblodhën, protestuan, dëgjuan folësit, u takuan me njëri tjetrin, hodhën disa tymuese, ndezën zjarr në hyrjen e godinës kryeministrore,  u shpërndanë.

    Një ditë pas protestës gjërat nuk kanë ndryshuar, opozita është aty ku ishte, shumica bën hesapet e zgjedhjeve të ardhshme, shefi i qeverisë bën sikur nuk e di që përballë zyrës së tij janë mbledhur disa mijëra njerëz dhe, në fund të fundit, llogaritë i ka me këto të fundit.

    Jam i bindur se nuk ka impresionuar askënd fjalimet e mbajtura në protestë. As të kreut të Rithemelimit nuk kanë ngjallë “emocionet” e dikurshme. Gjërat që zvarriten, ose që nguten, lindin të verbëra.

    Opozita kërkoi me ngulm të bënte një protestë të madhe, kombëtare, të dilte jashtë rruginës ku mbahen çdo mbrëmje foltoret e vogla, të dëshmonte se është forca kryesore e opozitës dhe, duhet pranuar, këtë ia arriti. Njerëzit e mbledhur në bulevard ishin më tepër se gjithë atë që mund të mbledhe opozita Basha.

    Si u bë opozita kështu: mbi bazë emrash dhe jo idesh. Themi opozita Basha, grupi Bardhi, Foltorja Berisha. Asnjëri prej tyre, i vetëm, nuk e mund dot qeverisjen e tanishme. Veç e veç janë edhe më për dreq. Secili prej tyre shitet si shpëtimtar i Shqipërisë, asnjëri prej tyre nuk ka dëshmuar vlera atdhedashurie.

    Çfarë do të ndodhë sot ose nesër, më 21 apo më 22 shtator?

    Asgjë e jashtëzakonshme. Do të ketë rrëmujë në parlament, karrike të hedhura, bllokim të foltores, grindje me ministra dhe deputetë, bllokim votimi, Gazi do të hedhë tutje xhaketën, si për të dalë në ringun e furishëm të politikës, të tjerë do të rrjeshtohen pas tij dhe ai, në fakt, do të jetë njeriu më i kënaqur. Nga armiku i Rithemelimit është kthyer në të domosdoshmin e saj. Nga njeriu që nuk shkonte pas “babit të Zenit” dhe vilës 750 mijë euro të Nokës, tani është bishti i domosdoshëm, pa të cilin nuk lëviz dot opozita. Bashkimi i tyre, si ngjarje magjike, nuk ngopi askënd, veç egos së Bardhit për të qenë pjesë e domosdoshme e opozitës. Për t’ia haruar vetë Rithemelimi vrasjen në Elbasan, faktin që ishte i vetmi deputet që kishte fituar mandatin nga një vrasje.

    22 shkurti do të jetë ditë e zakonshme. Departamenti Amerikan i Shtetit , edhe kështu si ndodhi, nuk bëri një lëvizje të re, qoftë edhe si përgëzim se opozita po luan nga vendi. Për të fakti që drejtohet nga një “ non grata” mbetet i njëjtë, opozita e pa besueshme, lideri i saj i lëçitur, mbështetësit rreth tij të humbur. E vërtetë që askënd një Sekretar Shteti nuk të bën kryeministër, por rruga, duam apo jo, kalon nëpër këtë rrugë. E nisi opozita e sotme, me Rajersonin, i cili u pendua shpejt për zgjedhjen e tij, por dëmi ishte bërë; e vazhdon Rama, që , si po shkojnë gjërat, më shumë miq do të ketë jashtë Shqipërisë, se sa brenda saj.

    Por, asgjë nga ajo që ndodhi më 20 shkurt nuk duhet të jetë e harruar.

    Rama nuk e ka betejën me krerët e opozitës, që herë ndahen, herë bashkohen; herë mallkojnë njëri tjetrin e herë përbetohen për dashuri të përjetshme.  Problemi i qeverisjes së sotme nuk është as kreu i Foltores, Berisha.  Shumë shkaqe madhore e kanë nxjerrë atë jashtë lojes së madhe të politikës, dhe këtë ai e di më mirë se kushdo tjetër. Përpëlitjet e tij janë për të ardhmen e pasurive të familjes, dhe, asnjë lider në këtë gjendje, nuk mund të bëjë rokadën e madhe.

    Problemi i qeverisjes së sotme janë njerëzit që protesttuan.

    Nuk ka rëndësi se sa ishin ato. Mund të ishin edhe dy herë më shumë, edhe dy herë më pak.

    Ata janë një zë. I domosdoshëm për t’u dëgjuar.

    Ata, në fakt, janë përfaqësues të atyre që nuk erdhën dot, jo se nuk donin, por se disa nuk mundnin, disa kishin frikë të vinin në protestë, të tjerë kanë humbur shpresat.

    Shumë opozitarë, në protestën e 20 shkurtit apo në shtëpitë e tyre, janë problemi i qeverisjes së tashme.

    Nëse kthesa e pritur nuk arrihet shpejt, me këmbëngulje, nëse nuk hapen dyert e një politike sociale, nuk shkundet shteti nga kapja korruptive e tij, nuk dëbohen zyrtarët e korruptuar, nuk ndalohen vjedhjet dhe shteti nuk mbështet në një grusht oligarkësh që i mbështet, atëherë protesta e tashme do të duket e vogël.

    Njerëzit duan ndryshim thelbësor. Shumica “e majtë” e ka për detyrë ta bëjë këtë. Dhe nuk mund ta bëjë kur shpërfill njerëzit që protestojnë, duke menduar se shpërfillja e krerëve është edhe e njerëzve.

    Krerët kanë hallin e tyre. Ata kanë ardhur në protestë me makina luksoze, kanë vajtur pas protestës të pushojnë në vilat private, janë të pasur, mospërfillës, shpesh herë mediokër, ama shumë nga njerëzit në protestë, në shumicën e tyre, nuk janë të tillë.

    Ata thjeshtë janë njerëz që duan jetë më të mirë, më të qetë, drejtues më të pastër.

    Kaq do edhe dita e 22 shkurtit. Të tjerat janë thjeshtë matematikë.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit