Një e moshuar nga Himara i është drejtuar Fiks Fare se familja e Niko Bollanos, i cili mbështetet nga OMONIA në Himarë, po tenton që t’i marrë një pronë të vjehrrit të saj.
Sose Dhima thotë se kalvari ka nisur 8 vite më parë, kur i ka vdekur edhe bashkëshorti. Në momentin që Fiksi po xhironte në parcelën objekt konflikti, afrohen të afërmit e z. Niko Bollano, nusja e djalit, djali dhe gruaja e tij, dhe kërkojnë që Fiksi të largohet se “është pronë e tyre”.
Madje, lajmërojnë edhe policinë, e cila pasi vjen thotë se “ata s’ndajnë prona dhe do të pezullojnë çdo punim deri sa të zgjidhet konflikti nga institucionet e tjera”.
75-vjeçarja: Bollano i OMONIA-s po më vjedh pronën!
Fiksi udhëtoi në Himarë, me kërkesë të zonjës Sose Dhima. Ajo thotë se vjehrri i saj i ka lënë një pronë rreth 3300 metra, të përfituar me ligjin 7501. Por të njëjtën pronë e pretendon edhe familja e Niko Bollanos, me të cilët thotë Sosja kanë pasur konflikte.
“Konfliktet kanë filluar që 8 vite më parë, kur më vdiq burri. Këta gjejnë njerëz pa përkrahje dhe turren që të marrin pronat. Këtë pronë e ka pasur vjehrri im. Më vdiq burri dhe më pas më bënë prokurë që t’ma kalonin mua. I kam të gjitha letrat në rregull, nëse s’do ma kalojnë mua t’ia japin atij që ka emrin në AMTP. Por këta Bollanot i kanë krahët e ngrohta, gjoja me ndihmë nga OMONIA greke po na i marrin pronat. Shikojnë kush është në vështirësi dhe e moshuar dhe tentojnë t’ia marrin. Unë e kam me letra, ai vjen dhe thotë është e imja.
Këta të bashkisë as e marrin mundimin t’a verifikojnë, se pala tjetër s’ka asnjë letër. Unë s’kam as mbivendosje, pasi prona e tij është shumë larg tonës, por këtë e do se është anës rrugës. Biles edhe tani vijnë dhe vjelin ullinjtë. Jemi konfliktuar disa herë se këta këtë punë kanë” thotë Sosja. Sipas saj, edhe kryetari i komisionit që ka ngritur Bashkia e Himarës për këto prona, Arqile Bollano, mban anën e palës tjetër. “Janë kushërinj a fis, dhe mbrojnë njëri-tjetrin. Unë kërkoj që t’i shikojnë letrat se kam dhe një fëmijë të sëmurë dhe për atë po mundohem” përfundon Sosja.
Familja Bollano kërcënon grupin e Fiks Fare: Do t’ju thyejmë kamerën
Në momentin që Fiksi po xhironte parcelën që na tregoi denoncuesja, afër grupit të xhirimit vjen një e re dhe kërkon që të mos xhirohet. Ajo i drejtohet grupit të Fiksit se “kush jeni ju, ikni nga prona ime, mos më xhironi, do të vij t’ju thyej kamerën”. Gazetarët i kërkojnë se çfarë dokumentesh kanë ata për këtë pronë dhe nëse kanë, t’ua tregojnë dhe grupi menjëherë largohet. “Kush jeni ju që t’ua tregojmë letrat janë në bashki. Ikni nga prona se do të lajmërojnë policinë”. Ndërkohë, afër grupit të xhirimit vjen djali dhe gruaja e Niko Bollanos, të cilët thonë se prona është e tyre. Fiksi i kërkon dokumentet, nëse e kanë regjistruar apo jo, dhe çfarë dokumenti kanë. Asnjë prej tyre nuk tregon dokumentin, teksa vijojnë me “kërcënime” se do të lajmërojnë policinë.
“Ja po vjen dhe do të shohim nëse unë jam te ajo kamera atje unë do ta marr do ta thyej. Do ta bëj copa-copa, more vesh? Ai s’ka pse më nxjerr mua në video po të them prapë. Nuk ka arsye të më nxjerri mua. Nxirr ullinjtë jo mua, në rregull” thotë familja. Ndërkohë, pas disa minutash në atë vend shkon edhe Policia e Himarës, ku familja Bollano ankohet për denoncuesen dhe grupin e Fiks Fare. Gazetarët bisedojnë me policët, të cilët thonë se u lajmëruan për konflikt. Fiksi i thotë nëse pala tjetër është apo jo pronare e kësaj parcele, teksa ata përgjigjen se “ne jemi vetëm nëse ka konflikt apo jo, paraprakisht s’do të lejojmë asnjërën palë që të vjelë ullinjtë në këtë pronë”. Sipas tyre, ndarjen e pronës e bëjnë të tjera institucione dhe se ata u paraqitën nëse do të kishte apo jo konflikt.
Arqile Bollano: Nuk flas me Niko Bollanon, jemi zënë për politikë!
Pas ankesës dhe ballafaqimit, denoncuesja shkon në Bashkinë e Himarës dhe takon kryetarin e komisionit që ka ngritur Bashkia e Himarës për verifikimin e titujve të pronësisë, që është Arqile Bollano, zëvendës kryetar i Bashkisë Himare. Denoncuesja debaton me z. Bollano, teksa i kërkon se palët janë në konflikt dhe se Bashkia e Himarës nuk është në gjendje të përcaktojë se kujt i përket.
Grupi i Fiks Fare shkon në Bashkinë e Himarës dhe interviston z. Bollano. Ai e fton grupin e Fiksit në zyrë dhe në prani të znj, Sose Dhima thotë se zona ku është prona është ende e pa menaxhuar dhe se të dyja palët pretendojnë pronësinë. Gazetarët i bëjnë me dije se zonja Sose ka AMTP dhe me emërtim zone, por ai thotë se edhe pala tjetër ka sjellë dokumente dhe se juristi e topografi po verifikojnë këto pretendime. Ai debaton sërish me Sosen për emërtesën dhe për këtë konflikt, teksa Fiksi e pyet nëse ai vetë ka ndonjë lidhje familjare me z. Niko Bollano, pasi mbiemrat e tyre janë të njëjtë. Ai thotë fillimisht se jo, më pas tregon se lidhje të largët dhe në fund thotë fis i largët. Më pas tregon se me z. Niko Bollano nuk flet për “çështje partish dhe zgjedhje”.