6.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Përgjegjësia individuale e ushtrisë së të penalizuarve të “Rilindjes” dhe mëkati politik i Edi Ramës

    “Po vlerësohen përditë e më shumë të fortët e drogës. Kur dëgjoj nga ju që flisni me superlativa për Tërmet Peçin dhe atë të Kavajës, i thoja vetes t’ia fus dhe unë një vizë, të më vlerësojë kryetari im! E degjenerove rolin e deputetit, sa më vjen pështirë ta mendoj se jam deputeti i partisë tënde”.

    Me këto fjalë të ashpra i drejtohej publikisht Edi Ramës më 12 korrik 2016, deputeti i Partisë Socialiste Vladimir Kosta.

    Ishin kohët kur Rama ishte në shënjestër të opozitës, i akuzuar se kishte futur në Kuvend njerëz të lidhur me krimin. Kanabizimi ishte në apogjeun e vet, por gjithashtu edhe mbështetja ndërkombëtare për qeverinë.

    Situata ishte aq qesharake, sa ambasadori i OSBE-që i cili kish deklaruar një mbrëmje se “2 miliardë euro para të pista rrezikojnë të blejnë deputetë” u detyrua të përgënjeshtrojë veten të nesërmen në mëngjes, pas një takimi me Saimir Tahirin në ministrinë e Brendshme.

    E megjithatë, Edi Rama i mbronte publikisht Tërmet Peçin, Elvis Rroshin, Saimir Tahirin dhe gjithë të tjerët.

    Njësoj si dje, edhe sot ai refuzon të mbajë përgjegjësi politike pse ka integruar në politikë njerëz që në një vend normal, do të ishin shumë larg saj.

    “Përgjegjësia është individuale”, përsërit ai.

    Kjo është e vërtetë deri diku. Përgjegjësia penale është individuale. Përgjegjësia politike është e partisë që i përzgjedh ata. Dhe e lidershipit të saj.

    Edhe sot, Edi Rama refuzon të mbajë një qëndrim të qartë për shpalljen “non-grata” dhe futjen në listën e zezë të SHBA të njërit prej aleatëve të tij, Aqif Rakipit. Të traumatizuar, edhe deputetët e PS-së kur pyeten nga gazetarët, refuzojnë të mbajnë një qëndrim dhe të përshëndesin vendimin e Departamentit të Thesarit.

    “E dëgjuam lajmin. Pyesni vetë Aqif Rakipin. Do të mbajë një qëndrim politik grupi parlamentar”, përsërisin si papagallë ata.

    Imagjinoni, të zgjedhurit e sovranit, popullit, që kanë frikë të përshëndesin një vendim të SHBA për politikanë të korruptuar në Shqipëri.

    Por, ata nuk kanë frikë nga Aqif Rakipi. Frika e tyre më e madhe, quhet Edi Rama.

    Pse heziton kryeministri të përshëndesë qoftë edhe formalisht një vendim të SHBA-së për ish-aleatin e tij të PDIU?

    Pse i ka mbrojtur ai për vite me rradhë, të gjithë të shpallurit “non-grata” nga SHBA dhe të gjithë të kapurit nga rrjeta e ligjit të dekriminalizimit?

    Edi Rama nuk mund të bëjë ndryshe, sepse ai është peng i së kaluarës së tij. Pushteti politik i “Rilindjes” ka kaluar përmes kontributit jo vetëm të Rakipit, por edhe të Tom Doshit, Vangjush Dakos, etj.

    Aktiviteti i këtyre njerëzve e ka mbajtur Ramën në kolltukun e kryeministrit. Ai nuk mund “t’i lëshojë” as sot e as mot.

    Ai ka ndërmend t’i përdorë në të ardhmen. Në zgjedhjet vendore 2023 dhe në tentativën për mandatin e katërt 2025.

    Në fakt, Partia Socialiste “e purpurt” ka një histori të palumtur me bilancin e njerëzve me “background kriminal” apo të dyshimtë.

    Le t’i hedhim një sy, “krahut të fortë” të Edi Ramës ndër vite.

    Përveç Vangjush Dakos, Tom Doshit, Aqif Rakipit të shpallur “non-grata”, një pjesë e politikanëve-miq të Edi Ramës kanë qenë “viktima” të ligjit të dekriminalizimit.

    Lista e këtyre njerëzve shpërndahet tek ata, të cilët

    ose janë djegur drejtpërdrejtë nga ligji,

    ose kanë dhënë dorëheqje apo kanë refuzuar të marrin mandatin pikërisht sepse nuk kanë dashur të kenë probleme të mëtejshme,

    ose janë verifikuar me probleme nga prokuroria, por KQZ ka refuzuar t’u heqë mandatet.

    Disa prej tyre janë Valdrin Pjetri, Agim Kajmaku, Elvis Rroshi, Armando Prenga, Arben Ndoka, Mark Frroku, Qerim Ismailaj, Lefter Alla, Kastriot Piroli, Tërmet Peçi, Adriatik Zotkaj…

    Në kohë dhe rrethana të ndryshme, secili prej tyre i ka shërbyer pushtetit politik të Edi Ramës.

    A ka përgjegjësi kryeministri për këtë?

    Nisur nga mënyra se ai Rama e drejton PS-në dhe nga fakti se si ulen dhe ngrihen karrierat sipas “humorit” të tij, si mund të mos ketë përgjegjësi arkitekti i këtij sistemi karriere brenda së majtës dhe PS-së?

    Një lider që i kontrollon të gjitha dhe nuk i shpëton asgjë, si ka mundësi që rrethohet gjithnjë nga personazhe të tillë dhe në fund të thotë s’kam përgjegjësi? As morale? As politike? As partiake?

    Nëse ky do të ishte një apo dy raste të veçuara, s’do të përbënte problem. Por kur ky është kthyer në fenomen, kur lista zgjatet e zgjatet vit pas viti, atëherë ka diçka thelbësore që nuk shkon. Njerëzit e kësaj liste Rama nuk i ka përzgjedhur për merita intelektuale, as kontribut politik apo merita akademike, shkencore, modele të suksesshme profesionale etj, ku prindërit apo fëmijët e tyre t’i shohin si modele karriere dhe pune. E vetmja meritë e “të fortëve” të Ramës është që mbledhin vota. Me forcë, me presion, me shantazh.

    Dosjet e Shijakut dhe të Dibrës e kanë treguar më së miri këtë gjë.

    Pak vite me parë, eksperti Fabian Zhilla shkruante se Shqipëria rrezikon të bjerë nga demokracia në mafio-kraci.

    Sot, ky parashikim mund të jetë materializuar në realitet.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit