Erdhi nga Zejmeni i Lezhës me triko leshi dhe pantallona doku në Tiranë si fans i Tefta Radit, por sot është kthyer në hinkën më të madhe në Shqipëri të pastrimit të parave, përvetësimit të pronave publike dhe private, të përfitimit të qindra milionë euro para publike me një kartel kompanish satelite, përfitues i lejeve për kulla në Tiranë, kompleks vilash në periferi dhe resortesh në bregdet, në monument i oligarkut mediatik, pazareve, përdorimit të medias për t’u pasuruar, shantazheve, ndikimeve të paligjshme, krimeve mjedisore etj.
Bëhet fjalë për Sandër Frangajn, i njohur si Sandër Nongrata, për shkak të raportimeve mediatike se është shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pjesë e dosjes besohet se janë edhe këto fakte dhe prova që do të sjellim sot në vëmendje në këtë shkrim, rreth veprimtarisë së zezë dhe grabiqare të Sandër Frangajt.
Pasuritë e dyshimta, si interesa, restorante, kulla, vila, kompani, llogari bankare etj., Sandër Frangaj i ka kamufluar në emrin e kunatit Erion Gina, bashkëshortes së kunatit Brizida Jano, bashkëshortes së tij, Alba Gina, vëllait Eduard Frangaj që përlau 4.6 milionë USD reklama nga Ministria e Brendshme me urdhër të Berishës, në emër të fëmijëve dhe famijarëve të tjerë, në emrin e taksixhiut Bardhjus Bushaj, të Lenc Gjikurisë etj.
Por një krizë martesore e çiftit Erion Gina dhe Brizida Jano, ka trazuar dhe alarmuar klanin e Sandrit, duke e ekspozuar më tej përballë SPAK-ut.
Pas një romance të Erion Ginës me moderatoren E. N., zonja Jano është zhvendosur në Vjenë, ndërsa refuzon të heqë dorë nga pasuritë që Sandri dhe kunati kanë kaluar në emrin e saj.
Zonja Jano ka hequr dorë vetëm nga Padam, në janar të këtij viti, pasuri të cilën Sandri dhe kunati Gina e kanë kaluar në emrin e Kladio Janko, duke ndryshuar edhe emrin në QKB, Encore.
Jo vetëm kaq. Prapaskena mëson se zonja Brizida Jano është gati të rrëfejë për SPAK të gjitha aferat korruptive, pastrimin e parave, falsifikimet, transaksionet, dallaveret dhe krimet ekonomike të bashkëshortit të saj Erion Gina, i cili me paratë e Sandrit bredh ‘lule më lule’, vëllait të Frangajt, bashkëshortes së Sandrit (Alba Gina), motrës së Erion Ginës, në emër të të cilës kanë kaluar disa prona që i janë grabitur familjes Hysa në Kinostudio, të Lenc Gjikurisë dhe të gjithë kartelit të kompanive që kontrollon Sandri.
Për grupin hetimor që po heton grabitjen e ish Kinostudios nga Frangaj, zonja Brizida Jano konsiderohet si personazhi kyç që mund të zbërthejë dhe të hedhë dritë mbi të gjithë veprimtarinë e zezë të klanit Frangajt.
Përfitimet korruptive të Sandër Frangajt përmes tij, gruas, vëllait, kunatit, Bardhjus Bushajt dhe Lenc Gjikurisë,fakte për SPAK
Vëllai i Sandrit leje ndërtimi dhe reklama
Krahas 4.6 milionë reklama nga Ministria e Brendshme, vëllai i Sandër Frangajt qëndron pas disa kompanive, të cilat kanë përfituar leje për ndërtim pallatesh në Tiranë.
Përpos kompanive Anchor Investments (L71421016I) dhe Luxury Green Resort shpk (M47830503F), vëllai Fragajt fshihet edhe pas disa kompanive të tjera maska, me të cilat ka marrë leje për pallate.
Prona në ish Kinostudio kalojnë në emrin e gruas së Frangaj
Një pjesë të pronave të familjes Hysa në ish Kinstudio rezultojnë se kanë kaluar në emrin e kompanisë TNSH shpk., me procedura të dyshuara korruptive, falsifikime dhe veprime abuzive.
Themeluese, pronare dhe administratore e kompanisë TNSH rezulton Alba Gina, bashkëshortja e Aleksandër Frangajt. Çifti, njëri nga Lushnja dhe tjetri nga Lezha, arrijnë të marrin pronat e familjes Hysa në ish Kinostudio, kthyer me vendim të Gjykatës së Lartë.
Frangaj, kartel kompanish, leje për vila
Aleksandër Frangaj kontrollon drejtëpërdrejtë disa kompani ndërtimi si dhe dhenie-marrje me qira pasuri te luajtshme, si ALBANIA 2017, ALIAS DEVELOPMENT shpk, AN.NIK, AS CONSTRUCTION, IREA.AL etj., më të cila ka marrë leje për ndërtim vilash dhe zgjerimin e Rolling Hills, vila në Mullet, Palasë etj.
Kunati i Sandrit merr leje për kompleks vilash në Mjull Bathore pranë TEG
Në mbledhjen e fundit, KKT, përpos kullës 65 kate për njeriun e Shkëlzenit (Shkëlqim Beshiri) dhe kullës për shoferin e Ilir Metës (Fatmir Merkaj), ka miratuar edhe lejen për ndërtimin e një kompleksi vilash në Mjull Bathore, pranë TEG, për Erion Ginën, kunatin e Sandër Frangajt, i cili sipas mediave është shpallur non grata nga SHBA dhe po hetohet nga SPAK për zaptimin e ish Kinstudios, në bashkëpunim dhe me leje të Sali Berishës, duke ngritur televizionin, biznese private dhe planifikuar pallate mbi tokën e familjes Hysa.
Në hetim nga SPAK është edhe kunati Erion Gina për pastrim parash dhe korrupsion, bashkë me pupacin e tij, Bardhjus Bushaj, me të cilin Gina dhe Sandri kamufluan kullën te Parku i Liqenit, ndërtuar me para të pista dhe pjesërisht mbi pronë publike, dhuruar me VKM korruptive.
“Leje Ndërtimi për objektin: “Kompleks rezidencial “Park Houses” me objekte banimi me struktura 1, 2 dhe 3 kate mbi tokë, me 1-2 kate parkim nëntokë, me vendndodhje në Mjull-Bathore, Bashkia Tiranë”, me subjekt zhvillues shoqërinë “EBG” sh.p.k”, thuhet në vendimin e KKT.
Pas kompanisë EBG qëndron Erion Gina, vëllai i bashkëshortes së Sandër Frangajt, i cili erdhi me triko leshi nga Lezha në Tiranë si fans i Tefta Radit, duke u kthyer në oligark mediatik, sekser, pronar tokash dhe resortesh, duke iu lëpirë pushteteve, pastruar para dhe pasuruar përmes influencave që krijon media.
Pronari i televizionit kombëtar TV Klan, Aleksandër Frangaj ka ngritur një ‘peràndori’ ekonomike, kryesisht mbi prona publike të grabitura përmes privatizimeve korruptive, duke shfrytëzuar lidhjet e fuqishme me pushtetin, në mënyrë të veçantë me ish-kryeministrin Sali Berisha.
Zyrat qendrore të kompanisë së ndërtimit janë te restorant Padam, në rrugën Mustafa Matohiti pranë pallatit të Berishajve, një tjetër pasuri që Frangaj ka kamufluar në emër të kunatit Erion Gina.
Te Padam bëhen pazaret për përvetësimin e pasurive publike, diktimin e tenderave të mëdhenj për kompanitë satelite të Sandrit, për leje për kompleks vilash dhe kulla, si dhe për gllabërimin e pronave në bregdet, sidomos në Dhërmi.
Kunati i Frangajt leje për resort në Dhërmi
Këshilli Kombëtar i Territorit, në dhjetor 2023, miratoi lejen për një resort të ri, me pronar fundor të Florenc Gjikurinë, Bardhjus Bushajn dhe Erion Ginën, kunati i Sandër Frangajt.
Në fakt resorti ka një pronar faktik, Sandër Frangajn. Lenc Gjikuria dhe Bardhjus Bushaj janë zara të Sandër Frangajt, ndërsa kunatin e ka futur aksioner me ta, për të mbajtur nën kontoll pasuritë.
Resorti quhet Village Square. Ky resort rezidencial dhe turistik do të ndërtohet në Dhërmi nga kompania Seaside Construction.
Kompania zotërohet nga Florenc Gjikuria, Bardhjus Bushaj dhe Erion Gina.
I shndërruar në një nga ndërtuesit më të mëdhenj në bregdetin e Jugut, shpesh mbi toka shtetërore të marrë falas, fuqia e Gjikurisë buron nga lidhja me Sandër Frangajn.
Kunati i Sandrit pas kullës te liqeni, një histori korrupsioni
Pas kullës “Lion Rezidencë” në hyrje të Liqenit Artificial, ndërtuar me para të dyshimta dhe pjesërisht mbi pronë publike zonë e mbrojtur, qëndron Sandër Frangaj, stërmbullar i një historie epike pastrimi parash, zhvatje, korrupsioni, ndërhyrjesh të paligjshme etj.
Fillimisht, Sandri, me marifetet dhe lidhjet e tij, në prill 2020, ka arritur të fusë në dorë tokën ku është ndërtuar kulla, duke marrë me një VKM një sipërfaqe toke publike, pjesë e Parkut të Liqenit, për një shumë qesharake në raport me zonën ku do ndërtohej dhe vlerën e kullës.
Pasi ka siguruar tokën, Sandër Frangaj ka arritur pazarin për të marrë lejen e ndërtimit me anë të KKT-së.
Leja parashikon ngritjen e kësaj kulle me 14 kate dhe gati 35 mijë metra katrorë ndërtim, sot me vlerë mbi 200 milionë euro.
Për të nisur ngritjen e kullës, Sandri duket se ka nxjerrë nga sunduku paratë e investimit, miksuar me dy kredi të dyshimta bankare, 3.5 milionë euro nga Tirana Bank dhe 2 milionë euro nga OTP Bank, me pronarë fundorë oligarkë rusë pranë Putinit.
Si kolateral për kredinë janë lënë kuotat në kompaninë Lion Construction, kuota që në fakt nuk vlejnë asnjë lekë, pasi kompania ishte fantazmë dhe piramidë, sipas bilanceve.
Për të ndërtuar kullën me 14 kate dhe gati 35 mijë metra katrorë ndërtim, Sandri ka gjetur një nga kompanitë maska të tij, pikërisht kompaninë me humbje Lion Construction, me 100 mijë lekë kapital, siç përdor prej vitesh firmën Gjikuria për të marrë qindra mijëra euro tendera publikë, status si investitor strategjik, koncensione, për të shkatërruar Dhërmiun etj.
Sandër Frangaj posedon sot më shumë se gjysmën e kullës, të cilën e ka kaluar zyrtarisht në emrin e kunatit, Erion Gina, që në 10 nëntor 2021, për 8 milionë lekë.
Vetëm për të nisur ndërtimin e kullës janë marrë kredi 5.5 milionë euro, ndërsa Sandri merr gjysmën e kullës për 8 milionë lekë, përmes kunatit Erion Gina. Kredia nuk mjafton as për taksën e ndërtimit!
‘Bankomati’ i Sandrit merr katin e tretë të kullës te Liqeni
Jo rastësisht, tek kulla pranë Liqenit është zhvendosur Lenc Gjikuria me disa kompani të tij.
Gjikuria është bankomati dhe maska kryesore e Sandër Frangajt, miksuar me interesa korruptive tenderash dhe ndërtimi nga Tirana deri në Dhërmi.
Në katin e 3 të kullës së Sandrit është zhvendosur me zyra kompania COAST TO COAST, me pronare Xheni Gjikuria, bashkëshortja e Florenc Gjikuria, bankomati i Sandrit.
Xheni Gjikuria del shpesh në TV Klan duke folur për turizmin dhe investimet në Dhërmi.
Me anë të COAST TO COAST, Gjikuria ka marrë 190 mijë euro nga fondet e BE-së për bujqësinë, duke restauruar disa shtëpi në fshatin Dhërmi, për Frangajn, Fevziun, Shkullakun etj. (Pas hetimeve nga SPAK, AZHBR kërkon kthimin e parave).
Kompania Gjikuria, me pronar Milo dhe Florenc Gjikuria, babë e bir, është zhvendosur gjithashtu me zyra në katin e tretë të kullës “Lion Rezidencë”.
160 milionë euro tendera Lenc Gjikuria, sateliti i Sandrit
‘Karrierën’ e ka nisur duke vjedhur motorrë ujë, çadra plazhi dhe vegla ndërtimi, por sot përfaqëson një nga zhvatësit më famëkeq të parave dhe pronave publike, me mbështetjen e Sandër nongratës dhe në bashkëpunim me një kastë deputetësh, drejtorësh dhe ministrash të korruptuar.
Bëhet fjalë për Florenc (Lorenc / Lenc) Gjikurinë, emri të cilit lidhet me përvetësimin e pronave publike dhe private në Jug, pastrim parash, favorizim ndër vite nga pushteti, dhjetëra tendera klientelistë, me koncesione, resorte, fshatra turistikë, krime mjedisore, afera korruptive, falsifikime dhe mashtrime me kontrata publike.
Vetëm gjatë viteve të fundit, Florenc Gjikuria me dy emra, Lorenc dhe Florenc, ka marrë rreth 160 milionë euro tendera, kryesisht me pazar në tavolinë dhe me oferta gati sa fondi limit, me ndërhyrjen e Sandër Frangajt.
Nëse llogarisim koncensionet dhe pronat, vlera shkon në disa qindra milionë euro.
I njohur si maska e Sandrit, Lenc Gjikuria i ka shtrirë fijet e korrupsionit drejt Bashkisë së Tiranës, Bashkisë së Himarës, Bashkisë së Sarandës, Elbasanit, Fondit Shqiptar të Zhvillimit etj.
Rama leje për kullë 34 kate te Shkolla e Partisë
Me Lion Construction që e kontrollon përmes kunatit Erion Gina, Sandri ka marrë nga Rama një tjetër leje për ndërtimin e një kulle me 34 kate tek ish Shkolla e Partisë në Tiranë, mbi një sipërfaqe toke me probleme pronësie dhe beteja gjyqësore.
Kulla me sipërfaqe prej 68 mijë metrash katrorë ndërtim do të ndërtohet nga kompania fantazmë Urbalb, e cila kontrollohet nga kompania mëmë fantazmë Lion Construction, me bashkëpronar kunatin e Sandrit dhe Bardhjus Bushaj, një taksixhi dhe argat të kunatit të Sandrit, të cilin e përdorin si mbulesë të punëve të pista dhe pastrim masiv parash.
Duket e çuditshme se si SPAK nuk ka gjetur ende kurajon për të zbatuar ligjin penal për Sandër Frangajn, i cili po bëhet gati për të ndërtuar pallate mbi tokën publike që i dha Sali Berisha në Kinostudio (80 mijë m2) në vitin, ndërsa ka nisur ndërtimin me para të dyshimta të Rolling Hills 2, përtej TEG.
Sandri do të ndërtojë një godinë të re të TV Klan, ndërsa në tokën që i dha Berisha në 2009, në vend që t’i kthehet shtetit dhe ish pronarëve që kanë fituar të drejtën në Gjykatën e Lartë, pritet të ndërtojë pallate.
Shkatërrimi i Laguna Blu
Aleksandër Frangaj në mënyrë të dhunshme dhe tepër abuzive, zaptoi ambientet sportive në Qerret të Kavajës, e njohur si çështja “Laguna Blu”.
Dhjetra banorë u ngritën në protestë kundër këtij vendimi arbitrar, por Aleksandër Frangaj përdori sërish median e tij, TV Klan për t’i ushtruar presion institucioneve duke e tjetërsuar këtë pronë.
Sot këto dy fusha sportive janë zhdukur dhe mbi to u ndërtua një vilë superluksoze, në pronësi të Aleksandër Frangajt, të cilën e shiti me vlerë mbi 1 milionë euro.
12 milionë euro reklama
Sali Berisha, përpos pronave publike, gjatë pushtetit të tij të dytë, i fali Sandrit plot 12 milionë euro reklama për TV Klan ndërkohë që të gjitha televizionet e tjera të marra sëbashku, nuk i kaluan 2 milionë euro
Shumë analistë në atë kohë, flisnin se Sandri i TV Klanit shpik reklama të panevojshme për Ministrat e Berishës, vetëm për të përfituar qindra mijëra euro. Kjo ishte pagesa e drejtëpërdrejtë e Berishës për Frangajn, për t’i shërbyer mediatikisht duke mbuluar të gjitha abuzimet e pushtetit.
Megjithatë, 12 milionë euro reklma të Berishës për Sandrin, për lëpirje ndaj pushtetit me TV Klan, sot duken si një bakshish në raport me tenderat, lejet e ndërtimit dhe pronat publike që Sandri ka marrë nga pushteti i Rilindjes 2013-2023.
Grabitja e ish Kinostudios
Familjes Hysa i kanë njohur dhe kthyer institucionet shqiptare rreth 160 mijë m2 tokë te ish Kinostudio, pronë mbi të cilën janë sot disa institucione publike dhe biznese private.
Prona i është njohur familjes Hysa nga Komisioni i Kthimit të Pronave dhe gjykatat e të gjitha shkallëve.
Çfarë ndodh? Qeveria e Sali Berishës i ka mohuar familjes Hysa të gëzojë pronën e trashëguar.
Një pjesë të pronës së familjes Hysa, Sali Berisha ia dha disa subjekteve private me qira, të cilat zhvilluan bizneset e tyre private, ku përfshihen panele diellore, disa televizione, radio, lokale, parkingje, lavazhe etj.
Subjektet private janë klientë mediatikë të Sali Berishës, ku spikat Aleksandër Frangaj, i cili ka përfituar edhe 12 milionë euro reklama.
Jo vetëm i ka dhënë pronën e familjes Hysa klientit të tij mediatik, por Sali Berisha vuri në dispozicion pushtetin e tij, që familja Hysa të mos posedojë dhe zhvillojë pronën e saj.
Prokurorë, drejtorë dhe ministra janë angazhuar që klientët e Berishës të mbajnë pronën e familjes Hysa, të zhvillojnë bizneset e tyre private dhe madje të bëjnë edhe plane për të ndërtuar një qendër tregtare dhe disa kulla.
Në këtë cirk korrupsioni del në pah edhe mbesa 18 vjeçe e Sandrit, e cila merr një licencë në 2006 për televizion mbi pronën e familjes Hysa. Licencën e shet pas 1 muaji 700 mijë euro.
Në këmbim, klienti mediatik arriti deri aty sa që në 21 Janar 2011, mohoi plagosjen e gazetarit të tij nga pushteti i Sali Berishës.
Prokuroria e Tiranës, gjatë 10 viteve të fundit, ka mbyllur 4 herë dosjen penale të zaptimit të pronës së familjes Hysa.
Katër herë, gjykatat, përfshirë edhe Gjykatën e Lartë, kanë kërkuar hetimin e aferës, duke i lënë prokurorisë të njëjtat detyra.
Disa procese të tjera paralele gjyqësore zhvillohen mes familjes Hysa dhe zaptuesve të pronës së tyre.
Një pushtet korruptiv, i shtrirë nga mediat, qeverisjet dhe drejtësi, i mohon prej tre dekadash familjes Hysa të drejtën e pronës së trashëguar bres pas brezi, pasi në pronën e tyre ka ngritur bizneset private një gazetar i kthyer në oligark, i cili erdhi në Tiranë si fans i Tefta Radit.
Tashmë dosjen e ka marrë në dorë SPAK-u, struktura më e lartë dhe e besueshme hetimore në Shqipëri. (Ekskluzive.al)