8.5 C
Tirana
E enjte, 7 Nëntor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Pse na kritikon DASH për burgjet? Shifrat shokuese, 6 në 10 persona të pafajshëm në izolim

    Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit mbi të drejtat e njeriut në Shqipëri ndër të tjera vë theksin edhe të numri i lartë i personave që mbahen nëpër qeli si të paraburgosur që presin vendimin e gjykatës, për dënim ose për shpallje të pafajshëm.

    Shqetësimi i shprehur nga amerikanët reflektohet edhe të shifrat, sipas të cilave 60 për qind e personave që mbahen në qeli janë të padënuar. Në fund të janarit, 4925 shqiptarë ishin të izoluar në qeli, ku 2682 ishin të paraburgosur dhe 2271 të dënuar.

    Kjo do të thotë se gati 60 për qind e të burgosurve në Shqipëri mbahen në qeli pa një vendim dënimi. Shifra është dy herë më e lartë se mesatarja europiane, që është gati 30 për qind e totalit të të burgosurve.

    E thënë më thjeshtë, nëse i referohemi ligjit që përcakton se gjithkush prezumohet i pafajshëm deri kur gjykata të vendosë, në Shqipëri për çdo 10 vetë që mbahen të izoluar, gjashtë prej tyre janë të pafajshëm. Në Bashkimin Europian, shifra është tre vetë për dhjetë persona.

    Një raport i Këshillit të Europës e rendit vendin tonë të parin për numrin e të paraburgosurve për 100 mijë banorë. Nga të dhënat e Këshillit të Europës, Shqipëria rezulton e para edhe për kohëzgjatjen mesatare të dënimeve, ku është gati 15.5 vite burg, ndërsa në Bashkimin Europian, kjo mesatare është 12.4 vite.

    Numri i lartë i personave që mbahen në arrest me burg në pritje të një vendimi të gjykatës është kritikuar veç Departamentit Amerikan të Shtetit edhe nga organizata dhe aktorë të shoqërisë civile.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit