17.5 C
Tirana
E premte, 18 Tetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Rasti i Luana Vjollcës: A duhet t’u tregojmë medoemos njerëzve sa shumë punojmë?

    Memoria afatshkurtër nuk është pika ime e fortë, por diçka më ngeli në mendje këtë fundjavë. Luana Vjollca ishte sëmurë.

    Këtë informacion nuk do ta dija kurrë nëse Olsi Bylyku nuk do të kishte thënë në hyrje të programit që “Luana është shumë sëmurë” dhe “e kemi gjetur në grim me dy serume”; nëse Luana nuk do të ishte shfaqur në emision me pizhame si për të thënë me shaka që u ngrit nga shtrati e nëse në Instagram nuk do të ishin postuar video ku Luana dukej duke marrë serum, ndërkohë që lexonte skaletën dhe dikush i bënte grimin. E di, shumë informacion në një fjali.

    Një pjesë e imja (ajo e fiksuar me punën) e kuptoi këmbënguljen për të shkuar në punë me temperaturë dhe pas dy serumesh, por pjesa tjetër (ajo që është overthinking gjatë gjithë kohës) u çudit disi sesa shumë herë u përmend dhe u fotografua sëmundja dhe i sëmuri.

    A duhet që, në një formë ose në një tjetër, me shaka ose jo,  t’u tregojmë vazhdimisht njerëzve se sa shumë punojmë? Mendoj që jo. Po e argumentoj në vijim mendimin tim, për të cilin theksoj se është këndvështrim personal dhe qasja ime distancohet nga Luana si personazh, rasti i së cilës shërbeu vetëm për idenë e artikullit.

    Njerëzit që tregojnë vazhdimisht sa shumë punojnë mund të duken sa mburravecë, aq edhe të pasigurt. Pasiguria vështirë se mund të mohohet. Duket sikur ata nuk i dinë vlerat e tyre dhe kërkojnë me dëshpërim që t’i vërtetojnë së jashtmi.

    Arsye tjetër se pse disa njerëzve u pëlqen të theksojnë sa shumë dhe në ç’kushte punojnë, lidhet kryesisht me faktin që duan t’i justifikojnë vetes mungesën e një barazpeshe punë – jetë.

    Në raste të tjera, e bëjnë këtë sepse besojnë se kështu ndihen më të suksesshëm. Mirëpo njerëzit produktivë e kanë kuptuar se puna e tepërt, deri në rraskapitje, nuk është domosdoshmërisht shenjë e suksesit.

    Që të sqarohem: Të flasim për punën tonë është e pashmangshme dhe mbi të gjitha, e rëndësishme. E kuptoj, patjetër. Kur lodhesh pafund, kërkon ndonjëherë një “bravo”, një fjali mirënjohëse a ndonjë mesazh motivues. Mirëpo fakti që nuk jetojmë në një botë rozë na rikujton herë pas herë të vërtetën e vrazhdë: Askush nuk të thotë “faleminderit” se ke bërë punën tënde.

    Personalisht mendoj që duhet ta themi troç sa shumë kemi punuar vetëm në rastet kur kërkojmë rritje rroge, kur komunikojmë mbi volumin e shtuar të punës ose kur kolegu/ja ta ka sjellë në majë të hundës duke bërë ironi me faktin që ti paguhesh më shumë se ai/ajo. Me përjashtim të këtyre rasteve, çdo gjë tjetër është zgjedhje personale.

    E fundit, e më e rëndësishmja, kur njerëzit punojnë “fort”, nuk kanë nevojë t’u tregojnë të tjerëve sa shumë kanë punuar. Flet puna për ta.(Anabel)

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit