14 C
Tirana
E hënë, 7 Tetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Dashnorja

    Nga Edison Ypi

    Kënga “S’kalohet jeta pa dashnore” shkrehte në lotë si të rehatuarit që dashnore kishin, dhe fatzinjtë që dashnore nuk kishin, por pas pak do kishin.

    Kur dikush që dashnore kishte i tha dikujt që dashnore s’kishte “Hë mo dhe ti, nuk gjen dot një cop’ dashnore”, ky i fundit, nga vuajtjet për të përfytyruar si mund të ishte “një cop’ dashnore” ndaj “një dashnoreje të plotë”, zuri shtratin dhe e zuri gjumi pa zgjim.

    Një sauks i la të gjithë pa ment kur befas uluriti; “Më janë bërë shalët e gruas si shalët e mia, dua dashnore !”.

    I ndali të uluriturat me shalë dhe dashnore vetëm kur dikush i tha: “Çfar dashnore do ti o qyrranjos, ti s’ke brekë në bythë, dashke dhe dashnore. Ku je këtu, në vendet kapitaliste ku dashnorja dhe qefi janë mall dhe dashuria treg ?”

    Veç seksit episodik brenda ndonjë bunkeri plot me ferra dhe të pëgëra, ose në kombinimin fatlum te shtëpa e një miku prindërit e të cilit ishin larguar nga shtëpia për disa orë, me dashnoren s’dije ç’të bëje.

    Megjithatë, për një mijë arësye, dashnore duhej të kishe. Halli ishte ku ta gjeje.

    Lagja ishte plot me spiuna që po të shihnin me dashnore të denonconin për cënim të moralit proletar.

    Kafenetë ishin vetëm me meshkuj në kërkim të dashnoreve.

    Xhiroja ishte plot me femra në kërkim të burrave.

    Femrat moderne, apo broduejset, çoç bënin, por më tepër mburreshin me histori të stisura.

    Prej katunareve që ulur në autobuz mbulonin gjunjët me shaminë e qurrave të vinte për të vjellë.

    Po ti bëje kompliment ndonjërës “te puna”, të nesërmen të tregonin me gisht, pas nja një jave të detyronin ta merrje për grua.

    Kinemaja ishte plot me halabakë në pritje të momentit kur protagonisti do puthte dashnoren dhe salla do mbante frymën.

    Vendet ku dashnoret gjuheshin si rosat në kënetë, ishin mender fabrikat, uzinat, kombinatet. Mirpo në këto rezervate dashnoresh, të shumtat e rasteve, në vend të gjeje dashnoren, gjeje belanë. Jetënxira që punonte me tre turne, ndoshta pranonte ta kishe dashnore, por pas nja një jave, me arsyetimin kërcënues “tani të gjithë e dinë që jemi bashkë”, të kërkonte ta merrje për grua.

    Megjithatë, edhe po të mos e kishe, ishe i lirë dashnoren ta imagjinoje.

    Shqipëria ishte plot me erotomanë që rrëfenin bëma me dashnore inekzistente.

    Që rrëfimet surreale me dashnore ëndërrash të ishin të besueshme, i lidhnin me femra reale që s’kishin asnjë dijeni cili ishte i urituri për seks që e kishte zgjedhur për dashnore imagjinare.

    Nëse ndonjërit prej të dehurve me dashnore imagjinare i thoje; “Ore, eja në vete, ajo që ti thua se e ke dashnore, s’ka asnjë dijeni për ty”, të batërdiste me llafe, të merrte erzin, të akuzonte për shpifje.

    Përveçse “kam dashnore” ose “nuk kam dashnore”, më intriguese ishte të thoje “e kam pas dashnore”.

    Ky pohim perfid i ambalazhuar me nostalgji lotndjellëse, ishte një gur që vriste dy zogj. Nënkuptonte se ajo që “e kishe pas dashnore” nuk ishte e vetmja, por vetëm njëra nga lista në zgjatje të pandalshme e dashnoreve të lakmuara. Si dhe, në mos ja pamundësonte, me siguri ja vështirësonte një tjetri rrugën drejt të njëjtës femrës, të cilën, përderisa “e ka pas filani”, kushedi sa filanër të tjerë “e kan pas”.

    E kam dashnore filanen, thoshin rëndom nga inati kur filanen e dëshironin por nuk mund ta kishin.

    Rrenat e paverifikueshme si kjo, shkaktonin çorientim, shurdhim, mpirje, me pasoja dramatike që nuk mund të qartësoheshin nga asnjë arsyetim i viktimës apo i kujtdo tjetër.

    Mes vështirësive për të pasur dashnore, fshati, ku “dashnore të parë” mund të kishe dhinë, ishte në avantazh ndaj qytetit ku dhi’ për dashuri s’kishte.

    Dashnorja e sekretarit të partisë, dashnorja e drejtorit, dashnorja e shefit të planit, me të cilat këta pasi dëndeshin me raki mbylleshin në zyrë, ishin ca surratbajga bythmëdhaja që nuk guxoje tu afroheshe edhe sikur të kishe njëzet vjet pa parë femër me sy.

    Dashnorja e qoftexhiut Dem Xhepa ishte kurvi.

    Thoshin se vendet më të përshtatshëm për të bërë sa më tepër qef me dashnoren, nuk ishin vendet e rehatëshme, vendet e buta, shtrati, kolltuku, divani, lëndina, mullari, por vendet me sa më tepër gurë, gunga, gropa, shkopinj, shkarpa, ferra, gjëmba.

    Femra e filmave shqiptarë nuk ishte kurrë dashnore. Ishte vetëm montatore me kominoshe, oficere serioze, nënë shembullore.

    Femra e filmave të huaj, edhe kur ishte nëpunëse apo shkencëtare, për shqiptarët ishte vetëm dashnore.

    Kur qëllonte që mplekseshin një komuniste me dikend me biografi të keqe, nuk thoshin; Ai me biografi blozë ka dashnore filanen me baba veteran. Thoshin “dashuri i thënçin”.

    Dashnoret më të shijshme ishin gratë që bënin dashuri.

    Mes grave dashnore, dashnoret më të spikatura, dashnoret më të zjarrta, dashnoret që ta kënaqnin çdo fantazi, ishin gratë e oficerave të Sigurimit. Në shtëpitë e tyre, casanovat e çartun ngjiteshin si nëpër filma, me çarçafë të lidhur si litar kur burri oficer ikte me shërbim nëpër ngrica e suferina, ku e kërkonte atdheu, ku e thërriste partia.

    Pse ndodhte që në dallim nga oficerat që mbillnin vdekje, gratë e tyre falnin dashuri dhe pillnin kopila, nuk dihet.

    Gruaja dashnore ishte kështjella që diktatura nuk e mposhti kurrë.

    Duke mos mundur ta martonin se e martuar ishte, as ta divorconin se cënohej morali, dashurisë së një gruaje dashnore i frigeshin më tepër se një bombardimi.

    Gjatë shkollës së mesme, shërbimit ushtarak, eskursioneve në Dajt, praktikohej përdhunimi i dashnores në grup.

    Kur habere të tilla arrinin deri tek unë letargu, merre me ment sa e përhapur ishte dukuria e dashnores së alivanosur shalë hapur mes pellgjeve të spermës, ndërkohë që pas pak, secili përdhunues, emrin e fatnxirës do ja shtonte listës së dashnoreve.

    Ai e afroi ta puthte. Ajo e largoi dhe i tha; Shoku kurvi nuk na mëson të prekemi pa u martuar.

    Dashnorja ime, dashnorja jote, dashnorja e këtij, dashnorja e atij, e ka dashnore ky, e ka dashnore ai, Shqipëria e burgjeve dhe internimeve, dukej sikur më tepër se drurë e shkurre kishte dashuri dhe dashnore.

    Por dashnorja më e dashur, ajo që kurrë nuk ta prishte qefin, ajo që kurrë nuk ta griste ëndërrën, kurrë nuk të kërkonte ta merrje për grua, ishte Doriana.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit