spot_img
spot_img

Nga xhelozia e shoqërisë, tek dëshira për të pasur një fëmijë: 8 gjëra që nuk i dinim për Elvana Gjatën

Në një intervistë në “The Dalina Show” me Dalina Buzin për Andale Media, Elvana Gjata u shfaq më e hapur se zakonisht, duke folur për karrierën, jetën personale dhe zgjedhjet që e kanë formësuar ndër vite.

A do të marrë sërish pjesë në Festivalin e Këngës?

Elvana nuk dha një përgjigje të prerë për rikthimin në festival, duke e lënë gjithçka të hapur:

“Nga të dyja festivalet unë kam marrë 2 valixhe shumë të mira me mësime të cilat do t’i përdor për herën e tretë që nuk e di kur do jetë. Nuk e di se si do të vijë jeta. Nuk mund të them as që nuk dua të marr pjesë, as do marr pjesë. Nuk e di sinqerisht, do t’i lë gjërat të vijnë natyrshëm.”

Sakrifica më e madhe që i duhet të bëjë për punën

Pas suksesit dhe angazhimeve të shumta, Elvana pranoi e prekur edhe një anë më të ndjeshme të jetës së saj: distancën nga njerëzit e afërt.

“Një nga faturat më të shtrenjta që unë paguaj dhe një nga sakrificat më të mëdha që unë bëj në punën që bëj është të mos jem prezente aq sa do doja të isha prezente në jetët e njerëzve të mi më të shtrenjtë dhe këtë gjë e vuaj shumë.

Do doja që të kaloja më shumë kohë me familjen time me miqtë e mi të zemrës, por puna që bëj – unë pa diskutim që e dua shumë punën që bëj dhe jetoj me të – por kërkon shumë energji dhe kohë dhe të merr kohën nga njerëzit e tu më të shtrenjtë dhe kjo gjë më mundon shumë. Do doja shumë të isha pranë tyre në disa momente që nuk kam qenë.”

Si i përballon momentet e vështira

Elvana tregoi se ka zgjedhur të mos kërkojë ndihmë profesionale dhe të përballet vetë me periudhat e errëta, pasi asgjë s’krahasohet me forcën që ka gjetur brenda vetes:

“Të gjitha momentet më të vështira të jetës time kam zgjedhur që t’i kaloj me veten dhe unë nuk kam zgjedhur asnjëherë që të kërkoj ndihmë profesionale. Absolutisht që nëse dikush zgjedh të kërkojë, është mënyra e tyre dhe jam shumë në rregull me këtë gjë, por mënyra ime ka qenë që momentet më të errëta më të rënda më të vështira t’i kaloj me veten, pa alkool, pa ilaçe, asnjë gjë që s’ka të bëjë me forcën që kam gjetur brenda vetes time.”

Muzika si mënyra e saj e reagimit

Për Elvanën, muzika është forma më e pastër e shprehjes dhe reagimit ndaj gjithçkaje që ndjen. Ajo gjithashtu zbuloi se ka reaguar gjithmonë mes këngës në periudha zhurmash:

“Prandaj nuk më kanë pëlqyer kurrë intervistat sepse gjithmonë mesazhet më të forta kam zgjedhur t’i jap përmes muzikës. Është një instikt, i kthyer në strategji sepse kur ti e njeh mirë veten tënde e di kur të reagosh dhe unë jam mësuar që të gjithë këtë dhimbjen dhe emocionet e forta t’i përdor si një karburant për artin tim.

Unë e kam kuptuar që ndonjëherë unë jam edhe më kreative kur provokohem, krijoj akoma edhe më mirë.”

Suksesi i saj në sy të shoqërisë

Ajo preku dhe paragjykimet që ekzistojnë ndaj suksesit të saj, duke shprehur se njerëzit e kuptojnë, por nuk arrijnë ta pranojnë që Elvana gëzon suksesin që gëzon.

“Mendoj që kuptohet, thjesht nuk pranohet lehtë në shoqërinë tonë që një femër të jetë e suksesshme të jetë e zonja e vetes dhe të ketë mundur që të krijoje të ardhura shumë të mira me profesionin dhe punën e saj.”

Për dashurinë

Elvana ndau mësimet që ka marrë nga dashuria, duke thënë se e sheh atë si një element që të rrit, jo që të dobëson.

“Mendoj që kur është e shëndetshme, të frymëzon dhe të bën që të jesh njeri më i mirë dhe të bën që të jesh njeri më kreativ. Dashuria nuk janë fjalët e bukura, por janë veprat.

Për mua është një fat shumë i madh që të kesh një njeri që të do vërtet për çdo të mirë dhe të keqe që ti ke. Mendoj që është shumë e rëndësishme që në një marrëdhënie të vërtetë të kesh pranë teje që nuk të tregon ty që s’je duke kërkuar shumë, por bën gjithçka për ty, që të lejon që të komunikosh lirshëm, që të jep forcë, që të jep besim, që nuk dorëzohet në ditë të vështira.”

Sekreti i saj për t’u qenë kaq në formë

Elvana zbuloi se është e fiksuar me të ushqyerit e mirë dhe se shumicën e kohës është vegane:

“Shumicën e kohës jam vegane. Kam besuar gjithmonë te fuqia e të ushqyerit që është në të vërtetë sekreti i një lëkure të mirë, një energjie të mirë trupore.

E kam vërtetuar dhe me babanë i cili nga një sëmundje që kishte, doktori tha se 70% është ushqimi dhe 30% ilaçet dhe bashkë me babin mes ushqimit ia dolëm ta shërojmë sëmundjen.

E kam ëndërr që të kem një fermë timen, mund të jetë një nga lukset më të mëdha që të kem një fermë me ushqimet që prodhohen aty në tokën time, që të ushqej dhe shëroj prindërit dhe fëmijët që do të kem.”

Dëshira për fëmijë

Në fund, një dëshirë që Elvana e zbuloi pa hezitim:

“Unë gjithmonë kam dashur që të kem fëmijë sepse i dua jashtëzakonisht shumë fëmijët. Është e vërtetë që ky mendim ka qenë më i shpeshtë në mendjen time kohët e fundit.

Sigurisht që do kisha dashur që ta kisha një fëmijë edhe më herët dhe është një ëndërr që dhe unë të kem bekimin që të kem një fëmijë në jetë. Do doja shumë që të kisha një fëmijë siç jam unë për prindërit e mi, që kujdesem, të kisha një Elvanë të vogël që kujdeset për mua.”

spot_imgspot_img

Lajmet e fundit