Që një punëtor të kalojë të gjithë karrierën e tij në të njëjtën kompani, është shumë e ndërlikuar. Rrethanat personale mund të na shtyjnë të ndërmarrim aventura të reja, ka mundësi që në mjedisin e punës të shfaqen probleme që na bëjnë të rimendojmë pozicionin tonë ose thjesht një propozim më i mirë ekonomik mund të na bëjë të lëmë një punë për një tjetër.
Asnjë nga këto nuk ndodhi me Walter Orthmann. Ai lindi më 19 prill 1922, në qytetin e Brusque (Santa Catarina, Brazil). Në moshën 15-vjeçare nisi punën e tij të parë për të ndihmuar familjen e tij, e cila në atë kohë po kalonte probleme financiare. Sot, Orthmann ka mbushur 100 vjeç dhe sipas Librit të Rekordeve Guinnes, është njeriu më jetëgjatë në të njëjtën kompani, me 84 vite punë.
Puna e tij e parë dhe e vetme erdhi më 17 janar 1938. Ai u punësua pasi dinte mirë gjermanisht. Nga asistent i transportit për kompaninë e tekstilit Industrias Renaux SA (tani ReneauxView) te menaxher i shitjeve, një pozicion që ai e mban aktualisht në moshën 100-vjeçare. “Në vitin 1938 pritej që fëmijët të punonin për të ndihmuar familjen. Si më i madhi i 5 fëmijëve, nëna ime më tha të kërkoja punë kur mbusha 14 vjeç”, tregon Walter.
Për të përkujtuar rekordin e tij botëror, ai mori pllakën përkatëse Guinness. “Pasioni, disiplina dhe përkushtimi i tij e motivuan të vazhdojë të bëjë atë që i pëlqen”, thekson Gunness.
“Unë nuk planifikoj shumë dhe nuk shqetësohem shumë për të nesërmen. E vetmja gjë që ka rëndësi për mua është se nesër është një ditë tjetër ku zgjohem dhe shkoj në punë. Momenti është ai që ka rëndësi”, shprehet braziliani 100-vjeçar.