23.5 C
Tirana
E mërkurë, 23 Tetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Rrëfimi prekës i Ermal Metës që duhet ta lexoni patjetër

    Në një monolog për programin italian “Le Iene”, këngëtari Ermal Meta rrëfeu largimin e nënës së tij në Itali me pasaportë false.

    I lindur në Fier, Meta tregon se si dy akte dashamirësie ndryshuan fatet e katër njerëzve, të cilët nëse do të qëndronin në Shqipëri, mund të përballeshin me shumë vështirësi.

    Monologu i plotë:

    “Ajo grua nuk i besonte askujt. Një ditë, në rrugë, i afrohet një i panjohur dhe i thotë se ka dëgjuar gjëra, gjëra të tmerrshme që do t’i ndodhin. Ajo frikësohet, por e beson. Në fund të fundit, çdo gjë mund t’i ndodhte një gruaje pa burrë në ato kohë.

    I panjohuri e këshillon të largohet, por ajo nuk di se si. Ai ofron të paguajë për një pasaportë të huaj gjermane dhe nuk dëshiron asgjë në këmbim. I kërkon vetëm foto pasaporte. Kur ajo e pyet pse po e ndihmon, ai përgjigjet se nuk po e bën vetëm për atë, por edhe për fëmijët e saj.

    Të nesërmen, gruaja bën fotografitë dhe ia çon. Ai shkon te një falsifikues dhe një javë më vonë, pasaporta është gati. I huaji i uron fat. Ata nuk do ta shohin më kurrë njëri-tjetrin. Gruaja i lë fëmijët me nënën e saj dhe shkon të marrë tragetin që shpreson ta çojë në një jetë të panjohur, por të mirë, si ai burri.

    I kalon kontrollet nga policia shqiptare, pa vështirësi dhe kështu, rreth orës 07:00 të ditës tjetër, anija në të cilën ndodhet hyn në portin e Brindizit. Para zbarkimit, çdo pasaportë kontrollohet me përpikëri.

    Por, në Itali, situata bëhet më e ndërlikuar. Në kontroll, një oficer vë re pasaportën false. Ai duket se e kishte kuptuar tashmë. “Kjo pasaportë është e rreme, e di?” thotë me zë të ulët. “Po, e di,” pranon ajo. “Nuk mund të lë të kalosh, duhet të të kthej prapa”.

    Gruaja qan duke u përpjekur të mos shihet nga të tjerët. Më pas, nga çanta nxjerr një fotografi dhe ia tregon. “Këta janë tre fëmijët e mi. Nëse kthehem nuk do të ketë të ardhme për ta”. Me të dëgjuar këtë, oficeri merr pasaportën e saj dhe e vulos.

    “Ajo është e lirë të shkojë”. Ajo do të donte ta përqafonte, por nuk mundej. “Ik, dhe paç fat,” i thotë oficeri, duke i treguar derën e së ardhmes së saj të pasigurt. Nuk u panë më kurrë.

    Dy akte dashamirësie shpëtuan katër jetë. Mes atyre jetëve ishte edhe e imja. Jini të sjellshëm. Ju mund të shpëtoni dikë.”

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit