23.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Korrik, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Sa të vjetër jemi?! Sopata shqiptaro-dalmate që gjetëm në Xibër

    Nga Abdulla Diku.

    Një komshi e kushëri (A.Lika) atje në lagjen time (Tejlum) në fshatin Xibër-Hane, teksa po punonte tokën së fundmi – kishte gjetur një sëpatë shumë simpatike dhe mbi të gjitha shumë të vjetër. Dukej e punuar me bakër, por ndoshta përzier dhe me ndonjë metal tjetër (ndryshku bënte të pamundur për të parë ndonjë detaj). Megjithëse e papastruar nga ndryshku i shekujve, sëpata ruante elegancën si në ditët e para të jetës. Dukej e papërdorur, por nuk ngjante as si sëpatë për të prerë drú (nuk dukej aspak funksionale për atë qëllim).

    Komshiu im, megjithëse pa ndonjë shkollë të rëndësishme, por shumë i lexuar e apasionuar pas dijes, pasi e kishte nxjerrë me kujdes nga toka, mendonte se sëpata ishte shumë, por shumë e vjetër. Dhe në fakt ashtu doli…

    Për të patur një opinion profesional mbi sëpatën e sapozbuluar, i shkruajta një arkeologie shumë të njohur e që nuk ju ndahet punëve kërkimore për asnjë moment.

    Nuk po ia përmend emrin, për të mos e bezdisur më shumë, ndërsa një pjesë të tekstit që më nisi po e postoj këtu;

    “Shume interesante gjetja!

    Është sopatë e fundit të epokës së bronzit – fillimit të hekurit, tipike për veriun e Shqipërisë. Është e tipit të njohur nën emrin ‘Sopata shqiptaro-dalmate’ ose ‘Shkodrane’. Në jug është gjetur rrallë. Në Shelcan të Elbasanit dhe Erzen, dy gjetjet më jugore.

    Xibri është i njohur për kalanë e periudhës qytetare ilire (shek IV-III para Krishtit) dhe madje e gjithë zona është shumë e pasur edhe për peridha të mëvonshme (Ferrë-Shkopet dhe Bruç, Petralba) por është zonë shumë pak e studiuar në mënyrë sistematike.

    Madje kjo gjetje që jua ka njoftuar zotëria i bie të dëshmojë që Xibri është banuar edhe më heret, aty nga shek. VIII-VII para Krishtit.

    Janë gjetur shumë të tilla (në grup), pasi sidomos në fillim të periudhës së hekurit, janë prodhuar në masë dhe përdorur si mjet shkëmbimi, me vlerë paramonetare, ose ka patur edhe funksion votiv. Shumë pak prej tyre kane shenja përdorimi, pra janë tamam mjet shkëmbimi dhe votiv. Edhe pesha e konsiderueshme duhet të lidhet pikërisht për vlerën “paramonetare” që kanë patur. Por tonave s’di tu ketë bërë kush analiza në këtë drejtim, ndërsa atyre Kelte psh (të njëkohëshme dhe tipike për Europën qendrore i kanë shqepur në analiza, peshë, përbërje etj.).

    Janë gjetur në grup të madh në Torovicë, në ultesirën e Shkodrës në zonë moçalore (ku gjenden zakonisht depot votive) dhe në Kukës, Mat, e deri nga Durrësi. Vite më parë i kanë datuar që në shekullin XII-XI para Krishtit, por dyshoj. Nga Europa i datojnë më tepër rreth shekullit VIII-VI para Krishtit…”

    Pra, një sëpatë ku mosha më minimale llogaritet të jetë rreth 3200 vjecare. Gjithsesi, siç thotë dhe profesoresha, i duhen bërë analizat për të patur një përfundim të saktë.

    Atje, në “qendrën e botës” (Xibër), nuk jemi aq të vjetër sa thonë, por shumë më të vjetër se aq…

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit