11.5 C
Tirana
E enjte, 25 Prill, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Shanset për Formula 1 në Shqipëri

    Nertila Maho

    Industria e motorsportit në botë mund të gjenerojë miliarda euro dhe të shihet e lidhur me një zinxhir të plotë mbështetës, që e shumëfishon këtë efekt. Në Shqipëri, ajo mbetet ende në fazën e përpjekjes për konsolidim.

    Sigurisht, aktivitetet e lidhura me motorsportin nuk mungojnë dhe janë kryesisht nisma që e kanë zanafillën nga njerëz të pasionuar, të cilët me kalimin e viteve janë formësuar e organizuar në komunitete në mënyrë më institucionale.

    Aktivitetet e shtrira gjatë vitit kanë formësuar disa kalendarë aktivë për gara e kampionate, duke krijuar kështu “marka”. Por ajo që ka munguar është ngritja e një infrastrukture të dedikuar dhe me standarde, që ta kalojë nga dimensioni aktual në atë më profesional.

    Një projekt i ri për një motopark, i cili do të zërë vend në Krastë të Elbasanit, ka zgjuar interesin e gjithë komunitetit të disiplinave sportive të lidhura me motorsportin, por edhe pyetjen nëse tashmë jemi para një faze të re për industrinë e motorsportit në vend.

    Më 17 qershor 2022, në edicionin e panairit të makinave “Automotive Fair Albania”, kryeministri Rama do të shprehej se nuk kemi pse të trembemi nga një ëndërr si ajo e sjelljes së garave automobilistike në Shqipëri dhe të arritjes deri te një garë e Formula 1, në një pistë me të gjitha standardet.

    Pikërisht këtu i referohej Auto Moto Park Albania, ndërtimi i së cilës e përfshin Shqipërinë në një hartë të re, në të cilën nuk ka qenë ndonjëherë.

    Motorsporti në 2023 dhe a ka potencial Shqipëria për t’u rritur

    Klubi i Automobilit të Shqipërisë (ACA) dhe Federata Shqiptare e Motoçiklizmit janë dy nga organizmat aktivë të zhvillimit të garave dhe kampionateve të lidhura me disiplina të ndryshme të motorsportit.

    Kalendari i tyre i aktiviteteve përfshin zhvillime gjithëvjetore, të cilat, nga viti në vit, janë konsoliduar duke e bërë Shqipërinë një destinacion interesant edhe për të huajt që duan këtë sport të aventurës e adrenalinës.

    Eridon Lameborshi, Sekretari i Përgjithshëm i ACA, shprehet se edhe ky vit do të jetë aktiv.

    “Për vitin 2023 kemi kalendar të ngjeshur me gara dhe kampionate në disiplinat e karting dhe karting slalom, eSports dhe autoslalom.

    Dhe sigurisht garën ndërkombëtare Trofeu Skënderbej-Kruja Hill Climb në disiplinën shpejtësi në malore, të regjistruar në kalendarin e FIA-s për Zonën e Europës Qendrore, që e zhvillojmë prej vitit 2014.

    Në disiplinën eSports kemi shansin të marrim pjesë në Olimpiadën që do të zhvillohet në tetor në Singapor për herë të parë”, shprehet ai.

    Të njëjtën gjë konfirmon edhe Julinda Dhame, presidente e Federatës Shqiptare të Motoçiklizmit, duke nënvizuar se kalendari është ambicioz.

    “Kemi disa gara me moto në kategori të ndryshme Motorally, Enduro, Supermoto. Në kalendarin e përvitshëm kemi një aktivitet shumë special TIRANA24H, gara 24-orëshe pa ndalim, një super adrenalinë brenda një ditë-nate.

    Duam të rrisim interesin e të zgjojmë pasionin te sportistët e amatorët. Interesi më i madh është te të huajt, sepse sporti që ushtrojmë ne është një sport i shtrenjtë, por sigurisht ka dhe shqiptarë e ata që vijnë nuk ikin më”, – pohon znj. Dhame.

    Faza aktuale e konsolidimit të garave dhe kampionateve të motorsportit në vend shtron para pyetjen nëse Shqipëria ka potencial për t’u rritur më tej. Aktorët që janë pjesë e aktiviteteve të motorsportit në vend pranojnë se mundësitë për t’u rritur në këtë aspekt janë të mira dhe theksi duhet të vihet tek infrastruktura.

    “Shqipëria ka potencial për zhvillimin e motorsportit. Rritja e numrit të garave të zhvilluara në territorin e Shqipërisë është tjetër faktor ndikues për shtimin e pjesëmarrësve në garat e motorsportit.

    Përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe nismave private në ndërtimin e komplekseve të motorsportit, rrit potencialin dhe përmirëson aftësitë e drejtuesve të automjeteve dhe i bën këta drejtues potencialisht të zgjidhshëm për t’u bërë pilotë profesionistë”, – pohon z. Lameborshi.

    Ndërkohë, një rol tjetër në këtë potencial të pashfrytëzuar do të jepte rritja e promovimit.

    “Është shumë e thjeshtë, shteti dhe qeveria duhet të promovojë sportin e aventurës, paketat turistike të turizmit të aventurës.

    Investimet në infrastrukturë duhet të përshtaten për këtë trend. Individët që preferojnë këtë lloj turizmi nuk paragjykojnë dhe as ndikohen nga të papriturat, por i shohin ato si pjesë të bukur dhe të veçantë të udhëtimeve të tyre.

    Ky lloj turizmi quhet dhe turizëm aktiv, ndryshe nga ai që jemi mësuar ne, turizmi i
    relaksit”, thekson znj. Dhame.

    Projekti i Auto Moto Park Albania dhe efekti zinxhir i tij

    Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor hapi një garë ndërkombëtare për të zgjedhur kompaninë që do të bëjë projektin final të Auto Moto Park Albania.

    Gjatë prezantimit të koncept-idesë fillestare u shpallën fitues “Test & Training – WURZ Design”. Këta të fundit parashikojnë në draftin e tyre një cirkuit kryesor me 10 konfigurime të ndryshme, që mund të përdoret paralelisht i ndarë në 2 seksione (2 loops), ose në 4 seksione (4 loops).

    Po kështu, pistë për Roll Racing (Drag), pistë për Rallycross, cirkuit Butterfly me 6 konfigurime, i përshtatshëm për karting, disa variante drifting, Race of Champion, qendër stërvitore Offroad Trial, 4 module trajnimi për pilotë motorsporti e sigurie rrugore (defensive driving) e një sërë elementesh të tjera të integruara sipas kërkesës së palës shqiptare.

    Kompleksi synon që të përmbushë të gjitha standardet që kërkohen nga Federata Ndërkombëtare e Automobilistikës (FIA) dhe në finale të marrë certifikimin nga komisioni i vlerësimit.

    Zhvillimi i një projekti të kësaj natyre pritet të ketë efekt në disa aspekte, jo vetëm tek ekonomia lokale e Elbasanit në zonën përreth ku po ndërtohet, por edhe në një prizëm më të gjerë të llogaritur nga DPSHTRR.

    Së pari, me këtë projekt, mundësohet krijimi i një strukture multifunksionale të certifikuar për motorsport, siguri rrugore e shumë më tepër, unike në llojin e saj në Shqipëri, por edhe më gjerë në rajon.

    Së dyti, zhvillimi i kulturës së motorsportit në kushte sigurie të plotë dhe në formë të kontrolluar për garuesit, duke i larguar nga garat e paligjshme në rrugët publike dhe duke minimizuar mundësinë për incidente ekstreme, me pasoja të pakthyeshme.

    Së treti, promovimi i disiplinave të reja sportive në motorsport e jo vetëm, e pamundur pa praninë e një strukture të tillë në vend.

    Së katërti, evidentimi dhe formimi i një brezi të ri sportistësh amatorë e profesionistë, në disiplinat e ndryshme të automobilizmit, motoçiklizmit, sporteve ajrore.
    Përfitimet shihen edhe në aspektin e përmirësimit të sigurisë rrugore, zhvillimi i komunitetit të mjeteve historike Retro apo përmirësimi i indeksit të punësimit në zonën ku ngrihet kompleksi.

    Efektin e tij e sheh pozitiv edhe Federata e Motoçiklizmit.

    “Mendoj se do të ketë ndikim në Motorsport, por dhe në turizmin dhe ekonominë shqiptare e ne si federatë, na lind detyra që në momentin e përfundimit të investimit, të mund të promovojmë në network-un tonë, si dhe në garat ndërkombëtare që zhvillohen në shtetet e tjera.

    Shumë shpejt, Shqipëria do bëhet një destinacion trendi për motorsportin e me këtë rast, duke pasur dhe pista, do të rriten dhe lloje të tjera garimi”, – shprehet znj. Dhame.

    Edhe për z. Lameborshi, përfitimet janë të shumëfishta dhe në disa aspekte.

    “Nga ana e motorsportit, është për t’u vlerësuar që Shqipëria do të ketë pista të homologuara, ku mund të zhvillohen gara ndërkombëtare për automjetet dhe motomjetet. Shqipëria hyn në hartën e vendeve që janë pistë për gara ndërkombëtare.

    Prania e pistave të homologuara pritet të ndikojë në rritjen e numrit të garave të zhvilluara dhe siç kam përmendur më parë, më shumë gara përkthehet në rritje të cilësisë së pilotëve dhe më shumë kontribut ekonomik. Duke u bërë një destinacion i këndshëm, është e madhe mundësia e rritjes së turizmit ditor.

    Afërsia me Portin e Durrësit dhe Aeroportin e Rinasit e bën lehtësisht të arritshëm nga pilotët dhe të pasionuarit e shumtë nga Europa Perëndimore. Pra, do të ketë efekt pozitiv në rritjen e turizmit dhe të ardhurave për bizneset e Elbasanit dhe qyteteve përreth”, – thekson ai.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit