9.5 C
Tirana
E hënë, 13 Janar, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Shqipëria, një nga pesë vendet me më shumë vdekje nga ndotja e ajrit në Evropë

    Ndotja e ajrit ka kontribuar në rreth 239 mijë vdekje në Evropë, por barra u ndje më thellë në disa pjesë të kontinentit se në të tjerat.

    Një raport i ri i publikuar nga Komisioni Evropian dhe Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) e ka nxjerrë Shqipërinë si një nga vendet me normën më të lartë të vdekjeve të parakohshme për shkak të ndotjes së ajrit.

    Me 164 vdekje për çdo 100 mijë banorë, Shqipëria radhitet pas Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, duke konfirmuar se ndotja e ajrit është një kërcënim serioz për shëndetin publik në rajon.

    Sipas raportit, ndotja e ajrit është shkaktare kryesore e sëmundjeve si kanceri i mushkërive, sëmundjet e zemrës dhe të frymëmarrjes, si dhe goditjet në tru.

    Kjo ndotje ndikon veçanërisht te moshat më të vjetra, duke kontribuar në rreth 4% të të gjitha vdekjeve tek personat mbi 65 vjeç.

    Të dhënat tregojnë një ndarje të dukshme mes Evropës Lindore dhe asaj Perëndimore, duke reflektuar shpesh përputhjen me nivelet e GDP-së dhe sfondet socio-ekonomike.

    Ekspertja, Zorana Jovanović Andersen, nga Universiteti i Kopenhagenit thekson për “Euronews” se kjo ndarje lidhet me burimet kryesore të ndotjes, përfshirë përdorimin e thëngjillit për ngrohje dhe praktikat bujqësore.

    Pavarësisht mungesës së industrive të rënda, Shqipëria po përballet me ndotje të lartë si pasojë e urbanizimit të shpejtë, trafikut intensiv dhe mungesës së masave efektive për kontrollin e ndotjes.

    Burime të tjera, si djegia e lëndëve djegëse dhe praktikat bujqësore, kontribuojnë gjithashtu në rritjen e grimcave të imëta (PM2.5) në ajër.

    Hulumtimi në nivel qyteti, nënvizoi sfidat e ndryshme me të cilat përballen pjesë të ndryshme të Evropës.

    Italia veriore, Polonia dhe Republika Çeke kanë parë nivele të larta të vdekshmërisë PM2.5, e cila është kryesisht e nxitur nga burimet e banimit, si djegia e qymyrit për ngrohjen e shtëpive dhe sektori bujqësor.

    Ndërkohë, vdekshmëria e NO2 – e cila nxitet kryesisht nga trafiku i makinave dhe sektori industrial – ishte më i lartë në qytetet kryesore dhe kryeqytetet në Evropën Perëndimore dhe Jugore.

    “Nevoja për të rregulluar ndotjen e ajrit”

    Disa vende po ndërmarrin hapa për të frenuar nivelet e tyre të ndotjes, duke përfshirë Danimarkën, e cila mund të bëhet vendi i parë në botë që do të vendosë një taksë karboni për blegtorinë në vitin 2030.

    Direktiva e përditësuar e BE-së, ndërkohë, u jep qytetarëve me probleme shëndetësore të lidhura me ndotjen të drejtën të çojnë qeverinë e tyre në gjykatë, nëse ajo nuk përputhet me rregullat e BE-së për cilësinë e ajrit.

    Megjithatë, raporti nga OECD dhe Komisioni Evropian tha se ndërsa BE është në rrugën e duhur për të frenuar vdekjet e lidhura me PM2.5 me 55 për qind deri në vitin 2030, faktorët e rrezikut mjedisor si ndotja e ajrit dhe ndryshimet klimatike janë kërcënime në rritje për shëndetin publik.

    Ndotja e ajrit mund të jetë kërcënimi kryesor për shëndetin mjedisor me të cilin përballet Evropa, por tenton të mbivendoset me faktorë të tjerë, si mungesa e hapësirave të gjelbra, ndotja nga zhurma dhe nxehtësia ekstreme, të cilat të gjitha kanë një ndikim në shëndetin e njeriut.

    Duke pasur parasysh se disa nga këto sfida janë më të vështira për t’u zgjidhur – si ndryshimi i klimës – Andersen tha se ekziston një rast më i fortë për kufizimin e ndotjes së ajrit në emër të mbrojtjes së shëndetit.

    “Ne kemi reduktuar ndotjen e ajrit dhe ne e dimë se si ta bëjmë këtë dhe shumë vende po udhëheqin”, tha Andersen.

    “Ka sfida të reja që vijnë, kështu që ne duhet të rregullojmë ndotjen e ajrit – problemi i vjetër”.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit