Barometri – Euronews Albania ka realizuar një sondazh në periudhën 10-18 dhjetor 2024 me qytetarët që banojnë në Shqipëri lidhur me motivet, arsyet që ndikojnë tek votuesit në diasporë në marrjen e vendimit për të votuar.
Lidhur me pjesëmarrjen në votime të qytetarëve shqiptarë në diasporë, 62.2% e qytetarëve në Shqipëri mendojnë se diaspora do të marrë pjesë masivisht në votime.
Të pyetur lidhur me thënien se “Vota e diasporës është e njëjtë politikisht me familjet e tyre në Shqipëri”, 56.7% e të anketuarve bien dakord me këtë thënie dhe 36.2% e tyre nuk bien dakord.
Lidhur me një thënie tjetër mbi nivelin e njohurisë që diaspora ka për Shqipërinë sot, “Emigrantët e njohin Shqipërinë nga televizori dhe rrjetet sociale, por jo Shqipërinë reale”, 47.2% e qytetarëve në Shqipëri janë dakord me këtë thënie dhe 50.1% nuk janë dakord me të.
Lidhur me thënien “Pjesa më e madhe e emigrantëve do të votojë kundër qeverisë”, 35.2% e qytetarëve në Shqipëri janë dakord me këtë thënie, ndërkohë 39.9% e tyre nuk bien dakord me këtë thënie.
Nëse analizojmë dakordësinë e qytetarëve sipas votës politike, duket se ka një simetri ndërmjet socialistëve dhe demokratëve. Niveli dakordësisë dhe jo dakordësisë me thënien është pothuaj i njëjtë, 56.7% e socialistëve nuk bien dakord me këtë thënie ndërkohë që 56.4% e demokratëve janë dakord me këtë thënie.
Lidhur me qytetarët shqiptarë të cilët nuk e kanë deklaruar votën në vitin 2021, 28.1% e tyre bien dakord me thënien se “Pjesa më e madhe e emigrantëve do të votojë kundër qeverisë”, ndërkohë 35.9% e tyre nuk janë dakord me këtë thënie.