12.5 C
Tirana
E enjte, 31 Tetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Tirana bie erë

    Nga Vitjon Nina

    Tirana bie erë.

    Një qytet që mbytet çdo ditë nga ajri i rënduar dhe lumenjtë që e përshkojnë, mbart një problem që vetëm sa rritet, me indiferencën e atyre që duhet të kujdesen për të.

    Lana, shtrati i ndotur i lumit kryesor të qytetit, sjell një aromë të padurueshme që shoqëron këdo që ecën në bulevardin qendror – një nevojtore e madhe ku ujërat e zeza derdhen nën sytë e të gjithëve.

    Përmbytjet e vitit të fundit, që mbushën rrugët me mbetje të kalbura dhe lanë makina e biznese të bllokuara, vetëm sa e rikujtojnë këtë realitet të hidhur.

    E njëjta erë ndotëse dhe mungesë përgjegjësie shtrihet në rrugën që kalon poshtë digës së Parkut të Liqenit Artificial.

    Dy zonja të moshuara shtyjnë karrocat e fëmijëve në një trotuar të mbushur me makina, duke bërë disa ndalesa e duke treguar me gisht drejt zonës më të hijshme mbi digë.

    Ato nuk flasin për vendin e dëshiruar, vetëm mbulojnë hundën me një shprehje neverie – si të pranojnë se ndotja është bërë pjesë e pandarë e qytetit.

    Liqeni Artificial – mushkëria e vetme e gjelbër e Tiranës – nuk ka parë kurrë kaq pak frekuentim.

    Vrapuesit e përditshëm tani i shmangen shëtitores pranë digës ose kalojnë aty duke mbajtur hundën. Në vend të flladit të mëngjesit, liqeni i përball sipërfaqes së tij me një shtresë të gjelbër toksike dhe një erë të rëndë, që më shumë ngjan me një shtrirje të ujërave të ndotura se sa një park të natyrës.

    Biologu Aleko Miho, i cili ngriti alarmin më 12 tetor, konfirmoi se shtresa e gjelbër është një përhapje toksike e cianobaktereve – një fenomen që dëshmon ndotje të dëmshme të liqenit.

    Më 29 tetor, ai raportoi se gjendja ishte normalizuar nga ana bakterologjike, por shtresa e jeshilët dhe aroma e pakëndshme mbeten aty, si një kujtesë e ndotjes dhe neglizhencës.

    Por Agjencia Kombëtare e Mjedisit këmbëngul se analizat nuk kanë treguar ndonjë tregues ndotjeje, pa prezantuar prova të qarta ose shpjegime bindëse.

    Mungesa e reagimeve, pavarësisht alarmeve të shpeshta publike nga figura si deputeti Erion Braçe dhe të tjerë, vetëm e përkeqëson situatën.

    Ndërkohë, Lumi Tirana dhe Ishmi ndajnë fatin e njëjtë.

    Këto rrjedha natyrore janë shndërruar në depozitë për mbetje e ujëra të zeza, ndërsa autoritetet zgjedhin të mos bëjnë asgjë për t’i pastruar ose përmirësuar.

    Dhe ndërsa qyteti vazhdon të ndotet, ata që janë përgjegjës për mjedisin në vend duket se heshtin, duke lejuar që këto probleme të zgjaten dhe përkeqësohen.

    Në fund të fundit, Tirana bie erë – një qytet që përfaqëson jo vetëm ndotje fizike, por dhe një ndotje të heshtur të ndërgjegjes kolektive, të paaftësisë për t’u përballur me një realitet që ka nevojë urgjente për ndryshim.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit