18.5 C
Tirana
E martë, 5 Nëntor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Alketa Vejsiu kujton të atin e ndjerë: E di që askush nuk do më dojë dot si ti, ja 10 mësimet e jetës që më dha

    Alketa Vejsiu, përmes një postimi në Instagram, ka rikujtuar të atin e ndjerë, duke treguar edhe 10 mësime të thjeshta jete që ka marrë:

    “Sot 1 vit pa babin! 10 mësime të thjeshta jete:

    1. E di që askush nuk do më dojë dot si ti, aq bukur, aq fort. Unë e pata të jashtëzakonshme që në fëmijëri dashurinë e babait. Që tek karotat që shtrydheshin në napë, portokallet që vinin nga jugu me vështirësi, që te rruga Tiranë-Durrës me biçikletë, deri te ditët e lumtura në Paris kur këndonim në Sene dhe më the: “Shyqyr që u bëre ti mor bir, që të shihja edhe unë ca ditë të lumtura”, shprehet moderatorja.

    Më pas, shton:

    “2. Më mësove që të mos gënjej, ndaj unë i urrej gënjeshtarët. Ndaj, edhe të vërtetat e mia, sado të hidhura, edhe kur lëndojnë dikë, i them. Dua të iki pa pesha nga kjo jetë, si ti.

    3. Më mësove të besoj te dashuria, sa e rëndësishme është të kesh në shtratin e spitalit deri në fund një njeri që e do fort. Me gratë s’të eci shumë e nuk ishe partneri më ideal, por e kërkove dashurinë gjithë jetën, e gjete dhe e jetove në moshën 55 vjeç. Më thoje që s’duhet të duash kurrë dikë se ke nevojë për të; ta duash kur s’ke nevojë dhe thjesht ta duash. Kjo ishte dashuria për ty!”.

    Alketa shkruan se i ati i mësoi të ndiqte punën, suksesin, lumturinë e rritjes së fëmijëve dhe vlerën e parasë:

    “4. Më mësove të ndjek pasionin për punën, se puna s’të tradhton kurrë, por pa e shitur shpirtin për suksesin.

    5. Më thoje që s’ka gjë më të mirë që mund të bësh sesa të rrisësh dy fëmijë me dashuri dhe t’i shkollosh; shpërblimi është i madh. Më thoje gjithmonë që unë s’të solla asnjë mërzitje në jetë.

    6. Më mësove që paraja ka vlerë vetëm nëse përdoret në funksion të emocionit, sepse ty t’u desh gjithmonë shumë pak për të gëzuar”.

    Më tej, Alketa thotë:

    “7. Më thoje që fytyrën e kisha si 10-lekësh, por zemrën sa një oqean, që edhe nëse mund të ndeshja njerëz të ligj gjatë rrugës, s’duhej asnjë arsye të ndryshoja.

    8. Më mësove mirënjohjen! Mbi këtë parim ndërtova jetën. Më mësove të mos jetoja nën efektin e duartrokitjeve, të mos dehesha nga admirimi i atyre që nuk njihja, por të vlerësoja ata që më donin prej vërteti, larg dritave të skenës. E kam nderuar dhe njderë si asgjë tjetër duartrokitjen tënde, o fansi më i mirë që mund të kisha.

    9. Më mësove të fal, edhe kur njerëzit të zhgënjejnë.

    10. Më mësove të jem e fortë, vetëm se jam lodhur duke qenë e fortë”.

    Alketa thotë se i ati nuk e mësoi dot si është të jetosh pa të, pa shokun, frymëzimin dhe shpatullën ku mund të mbështetesh gjithmonë. “Në rrugën e dhimbjes jemi vetëm, por ti si yll do më ndriçosh gjithmonë”, e përmbyll ajo postimin.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit