Në “BBVA” është bërë një debat mes Ermiona Lekbellos dhe Bledi Manes për tregun imobiliar dhe saktësisht çmimet e apartamenteve. Ermiona ka krahasuar çmimet e apartamenteve në Tiranë me ato në Milano, duke u shprehur se ato në Tiranë janë më të shtrenjta se në Milano.
Bledi i kërkoi të saktësonte zonën dhe Ermiona u shpreh: “Vajza ime tani po e blen shtëpinë mu në mes të Milanos, në Brera, për 2,000 (euro)/ m2”.
Ajo tha që çmimet në vendin tonë janë ekstreme dhe s’i ka parë as jashtë shtetit. Bledi, nga ana tjetër, tha se: “Kur zhvillohet Shqipëria, ju (ankoheni) dhe thoni ç’janë këto çmime”.
Por, a ka të drejtë Ermiona kur thotë se çmimet e apartamenteve në Brera, Milano, kanë çmime të tilla si 2000 euro/ m2?
Me një kërkim të thjeshtë në internet, shohim se në tregun imobiliar në Itali, çmimet e apartamenteve në këtë zonë kapin shifra shumë më të larta, të cilat variojnë me përafërsi nga 7,000 euro deri në 10,000 euro. Në disa raste, shkojnë edhe në vlerën e 12,000 euro/ m2.
Fotot janë marrë nga Trovit, agjenci imobiliare.
Ja dhe një grafik i çmimeve aktuale për njësi të ndryshme në zonën e Brera, Milano.
Pra, cilado shifër të merret në konsideratë, sërish është shumë më e lartë nga ajo që pretendon Ermiona, duke marrë parasysh që zona e Brera-s është edhe më e shtrenjtë se qendra e Milanos. Çmimi i apartamenteve në zonën e Brera-s kap shifrën e rreth 10,075 €/m², shumë më i lartë se çmimi mesatar i qytetit, i cili është rreth 4,755 €/m². Çmimet në zonën Brera të Milanos ndryshojnë mesatarisht dhe 60% e apartamenteve kanë një çmim për metër katror midis 6,740 – 7,000 €/m² dhe 12,070 €/m².
Gjithsesi, nuk mund ta mohojmë që ajo ka të drejtë mbi çmimet e larta të apartamenteve në Shqipëri, nisur nga pagat e shqiptarëve dhe rritjes së shpejtë të këtyre çmimeve.
Krahasuar me çmimet e apartamenteve të Bashkimit Europian, nga viti 2010 deri në 3-mujorin e dytë të vitit 2022, ato janë rritur 48%. Sipas Indeksit Fischer të Çmimeve të Banesave, i llogaritur nga Banka e Shqipërisë, çmimi mesatar i banesave të shitura gjatë 6-mujorit të parë 2022 u rrit me 39% në krahasim me një vit më parë.
Sipas vëzhgimit të Monitor.al, për kryeqytetin rezulton se çmimet e apartamenteve janë rritur 40% më shumë se në 2021-shin. Krahasuar me vjet, në objektet e reja ku sapo kanë nisur ndërtimet çmimet janë më të larta. Në periferitë e Tiranës siç është “Kinostudio” apo “Astiri” çmimet e apartamenteve të reja kanë arritur 1,000 deri 1,100 euro për metër katror nga 900 deri 1,000 që ishin vjet çmimet në këto zona. Rritja është 10% më shumë.
Në zona të tjera rritja e çmimeve është më e lartë. Në zonën e “Komunës së Parisit” vjet çmimi maksimal për apartamentet e reja ishte 1,700 euro për metër katror. Këtë vit ka arritur 2,200 euro në hyrje të komunës së Parisit.
Krahas rritjes së kostos së ndërtimit dhe pagave të fuqisë punëtore, një faktor i rëndësishëm në rritjen e çmimeve të apartamenteve ka pasur edhe fluksi i parave informale. Shtojmë këtu edhe pritshmëritë e ndërtuesve për amnistinë fiskale. Drafti i amnistisë fiskale lejon deklarim vullnetar të një pasurie me vlerë monetare deri 2 milionë euro dhe pritet që shumë nga paratë që do të formalizohen do të investohen për blerje të apartamenteve.
Nga ana tjetër, sipas indeksit për përballueshmërinë e blerjes së një apartamenti që matet nga raporti i çmimit mesatar të shitjes së shtëpive dhe të ardhurave mesatare të disponueshme të familjeve, e shprehur si vite të ardhurave, për Shqipërinë është 15,8.
Kjo shifër nënkupton që një familje shqiptare i duhen rreth 16 vite të ardhura për të blerë një apartament. Indeksi merr për bazë të ardhurat neto të disponueshme të një familje, çmimin mesatar të një metri katror të qendrës dhe periferisë, si dhe koston e një kredie për 20 vjet. Sa më i ulët të jetë ky raport, aq më të lehtë e kanë familjet për të blerë një shtëpi.
Përkeqësimi i aftësisë blerëse të një apartamenti lidhet me rritjen shumë më të ulët të të ardhurave në raport me shtrenjtimin e shtëpive.
Nga viti 2014 (periudha më e hershme kur INSTAT raporton të dhënat), paga mesatare në vend sipas INSTAT është rritur me 25% deri në fund të vitit 2021. E indeksuar me inflacionin mesatar vjetor, rritja e pagave në 7 vjet është vetëm 12%. Ndërsa sipas Indeksit të Bankës së Shqipërisë, çmimet e apartamenteve janë rritur me 60% për të njëjtën periudhë.
Por sërish, duhet theksuar se krahasimi mes Milanos dhe Tiranës është i pavend, krahasuar me tregun dhe koston e lartë të çmimeve për m2.