Përballjet dhe përplasjet kanë përfshirë edicionin e tretë të “Big Brother VIP Kosova”, ku pjesëmarrja e fundit e Atilla Kardeshit, ish-bashkëshorti i Drenusha Latifit, ka ndezur debat të madh në opinionin publik. Drenusha Latifi, e cila më parë e ka akuzuar Atillan për dhunë fizike gjatë martesës së tyre, është shprehur se tashmë nuk ndien asgjë për të, përtej zhgënjimit që ka përjetuar në të kaluarën.
Kur e pyetën se cili ishte mendimi i parë që i erdhi në mendje kur e pa Atillan në shtëpi, Drenusha u shpreh:
“Deri vonë e kam pasur një lloj inati për shkak se s’kemi mundur të kemi një bashkëpunim për hatër të fëmijëve, por tani nuk ndiej gjë. Absolutisht nuk më bën përshtypje ky njeri.”
Ajo përmendi se ka qenë gjithmonë e hapur për këtë bashkëpunim, por tani kanë kaluar 2 vite dhe ai është munduar gjithmonë ta nxjerrë si gënjështare dhe nënë të keqe. Me guxim, Drenusha i është drejtuar Atillës, duke e quajtur atë një dhunues fizik.
Por hyrja e Atillës në BBVK ka ngjallur reagime të ashpra dhe kritika të forta në rrjetet sociale. Shumë ndjekës e kanë dënuar vendimin e produksionit për t’i dhënë hapësirë një personi të akuzuar për dhunë, duke e konsideruar këtë një promovim të papranueshëm të dhunës ndaj grave.
Komentet e publikut të revoltuar: “Skandal!!! Ju sonte me Olsa Muhametin ‘vratë’ gruan, i dhatë zë, hapësirë dhe fuqi dhunës! Ju sot jeni degradimi i televizionit si institucion! Olta Gixhari, Jonida Vokshi e të gjitha gratë e Bigu-t, nëse nuk distancoheni nga dhunuesi, jeni mbështetëset e tij!”
“Ky është një promovim i pastër i dhunës! Turp për produksionin që ka lejuar diçka të tillë. Është për të ardhur keq që Drenusha është në mes të kësaj situate dhe duhet të përballet në këtë mënyrë. Kjo nuk është as e pranueshme, as e drejtë dhe është zhgënjyese të shohim një qasje kaq negative në një program që supozohet të argëtojë.”
“Ftoj bojkotim total të “BBVK-së”, total! Marre, turp! S’kam fjalë për të përshkruar këtë dhunim që po bëhet në televizionet tona. Po i riktheni plagët e një gruaje!”
Mes tyre ka reaguar dhe Olti Curri:
“Big-ut” të Kosovës dhe Klan Kosovës sot i kryen një atentat. Hyrja e ish-bashkëshortit të Drenusha Latifit, një dhunues i denoncuar disa herë nga ajo vetë publikisht, por edhe në polici, është pika më e ulët që mund të shkojë një media televizive e këtyre përmasave. Në fillim, televizioni do gëzojë faktin që ky veprim do bëjë zhurmë dhe klikime, por pas kësaj do duhen vite që të pastrohet llumi që ndot etikën, ndjeshmërinë, respektin për femrat që shpesh kanë humbur jetën tragjikisht në situata të ngjashme”, u shpreh ai.
Më tej, vijoi:
“Sot, Klan Kosova ligjëroi dhunën në shërbim të spektaklit dhe klikimeve, duke dëshmuar që nuk janë të aftë që bëjnë lojë brenda etikës njerëzore. Mjerë fëmijët e Drenushës që kanë parë nënën (në foto që kemi parë edhe ne) të larë në gjak dhe sonte kanë përballë shkaktarin e plagëve, të pafuqishëm që ta mbrojnë nënën e tyre.”
Disa muaj më parë, Drenusha e ka akuzuar publikisht për dhunë ish-të shoqin, duke treguar foto e prova të dhunës fizike. Ekspozimi i saj ndaj një plage të freskët si ajo e dhunës është tejet e rëndë dhe ndoshta, një ndër gabimet më të mëdha që mund të bëjë një reality show.