7.5 C
Tirana
E martë, 5 Nëntor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Ilir Meta rrëfehet nga burgu: Kam pasur oferta për t’u arratisur. Ai që më akuzon nga SHBA, e përzumë se na ngacmonte vajzat e LRI

    Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka dhënë një intervistë nga qelia për gazetën Panorama.

    Gjatë kësaj interviste, Meta tha se nuk ndjehet i burgosur, “por thjesht i izoluar në mënyrë ekstreme dhe të paligjshme vetëm për arsye shumë të forta politike”.

    “Së pari, për të paralizuar aktivitetin e Partisë së Lirisë, si forca e dytë opozitare dhe për të dobësuar reagimin dhe veprimin opozitar. Sepse s’kishte asnjë arsye për këtë akt ekstrem kur dihet botërisht se unë gjithmonë kam qenë i hapur dhe u jam përgjigjur ftesave të SPAK-ut dhe çdo institucioni të drejtësisë.

    Po kështu, unë i kam pasur të gjitha mundësitë (edhe ofertat) për t’u larguar nga vendi dhe kjo jo vetëm s’ka ndodhur, por s’ka lidhje me karakterin tim, për më shumë që do justifikoja akuzat false të Ramaformës dhe do braktisja, ata që më kanë zgjedhur dhe më mbështesin.

    Llogaritë e tyre për të më bllokuar e “lodhur” gjatë 10 muajve të fundit nuk funksionuan. As përpjekja e tyre për të prishur Konventën historike të 27 prillit, që miratoi 5 Prioritetet për 4 milionë shqiptarë plus.

    Dështuan edhe përpjekjet e mëpasshme për të bllokuar organizimin e Partisë së Lirisë dhe veprimtarinë e saj financiare, aq sa financierja e PL për 20 vite u largua nga detyra vetëm duke lënë çelësat te roja e partisë dhe pa bërë asnjë dorëzim, detyrë e sqarim të problemeve të trashëguara.

    Por zgjedhjet po afrojnë dhe koha nuk u priste më ndaj vepruan në këtë mënyrë banditeske. Duan të çorodisin e trembin opozitën e vërtetë dhe të krijojnë hapësira për partiçkat ‘fake’ opozitare, që ushqehen nga regjimi, nga qeveria, bashkia dhe fondacionet famëkeqe të rekrutimit dhe shpëlarjes së mendjes të të rinjve,” tha Meta.

    Ilir Meta: Ja pse u tërbova kur më arrestuan. Kisha frikë mos më rrëmbenin

    Ilir Meta, gjatë intervistës së dhënë nga burgu për Panorama, ka treguar dhe pse e detyroi policinë ta nxirrte zvarrë nga makina.

    “Ai nuk ishte arrestim, por rrëmbim i mirëfilltë, ashtu siç veprojnë vetëm bandat. Si mund të inskenohet për minuta të tëra bllokimi i trafikut në një nga akset kryesore të hyrjes në kryeqytet nga dhjetëra forca me maska, me armatim të rëndë dhe me makina private, të cilat bënin veprime fiktive sikur kontrollonin makinat e qytetarëve për të ardhur si banditë te makina ku udhëtoja unë bashkë me sekretarin për organizimin të Partisë së Lirisë, Artimis Peca?!

    Sjellja e tyre ishte banditeske, rrugaçërore duke hyrë me forcë në automjet bashkë me automatikët me maska në kokë, pa pranuar të identifikohen se kush janë, se çfarë përfaqësojnë dhe pa paraqitur asnjë dokument ligjor apo shkresë zyrtare që urdhëronte ndalimin tim. Ndaj unë refuzova të pranoja rrëmbimin, duke besuar se mund të ishin edhe banditë si ata që rrëmbyen ish-kryeministrin e Italisë, Aldo Moro.

    Edhe ata me uniforma policie e bënë rrëmbimin. Me gënjeshtrat e pacipa se unë kam ushtruar dhunë duan vetëm të justifikojnë paligjshmërinë ekstreme, dhunimin e Kushtetutës dhe të ligjit, por edhe të vetë urdhrit për “arrest” të SPAKut.

    Po kështu, ata prangosën dhe rrëmbyen edhe sekretarin për organizimin të PL, Artimis Peca, për të cilin nuk kishte pasur asnjë urdhër ndalimi. Njëkohësisht ata nuk na lejuan të kontaktojmë me avokatët dhe nuk na njohën me të drejtat tona sipas ligjit. Vetëm pas 2 orësh në Drejtorinë e Policisë, m’u dha vendimi gjyqësor, ndërsa Artimis Peca u lirua pasi nuk kishte asnjë vendim.

    Pra, ata kafshë, se punonjës policie s’mund t’i quash, po të kishin qenë edhe dy persona të tjerë në makinë me mua, do t’i kishin arrestuar po njësoj si Artimisin, pra për “qejf”. Ky është rrumpallështeti i Edi Ramës, që nuk do ta ketë të gjatë. Sikur të silleshin kështu me bandat narkopolicët e Edi Ramës, nuk do ndodhnin tragjedi si kjo e Shkodrës”, tha Meta.

    Ilir Meta: Njohja ime me Elvis Matajn dhe Kastriot Ismailin, njërin e përzumë se na ngacmonte vajzat në kampin e Jalës

    Ilir Meta, gjatë një interviste për “Panorama”, ka folur dhe për njohjen e tij me Elvis Matën dhe Kastriot Ismailin.

    Ai jep versionin e tij, për njohjen me ta.

    Në dosjen e Prokurorisë, akuza e parë ndaj jush renditet çështja CEZ-DIA, në gjykimin tuaj si qëndron e vërteta…?

    Këtë çështje e kam ezauruar në publik prej gati 10 vitesh. Ajo është hetuar disa herë dhe Dumani me zell të madh e ka rimarrë përsipër në dhjetor 2019, pra në kulmin e përplasjeve të mia si President i Republikës me Edi Ramën dhe McGonigalët që donin të rrëmbenin tërësisht Gjykatën Kushtetuese me betime si ajo noterja te Lana. Ai e ka marrë përsipër në këmbim të premtimit se do bënte karrierë. Për më shumë se 4 vite erdhi vërdallë intervistave të inskenuara nga Dritan Prifti me personazhe absurde dhe pa asnjë integritet.

    Shumica e tyre kishin problem me drejtësinë si Elvis Mataj, i cili ka qenë krahu i djathtë i Kastriot Ismailit në DIA dhe i denoncuar nga ky i fundit në Prokurori për mashtrim e vjedhje. “Rilindja” ia mbylli këtë çështje për ta përdorur në Arbitrazh në Vjenë kundër Kastriot Ismailit. Plus kësaj i mbylli edhe problemet që kishte me drejtësinë bashkëshortja e tij. Këtë personazh s’e kam takuar kurrë që nga viti 2005 kur të rinjtë e LRI e përzunë si mashtrues dhe intimidues femrash. Ndërsa nga intervista e sajuar e Vojsava Ismailit, të cilën e refuzova ta takoja si kryetar Parlamenti dhe për këtë kam njoftuar Prokurorinë e Tiranës më 2016, kanë vendosur në fletërrufe shpikjet që asaj i kanë servirur, por nuk i kanë vënë të vetmen të vërtetë që ajo ka thënë ndoshta pa dashje se, “Kastrioti lidhjet me CEZ-in i kishte krijuar vetë dhe jo nga politikanët shqiptarë”.

    Dhe këtë të vërtetë SPAK-u e di shumë mirë se sa herë ka qenë Kastriot Ismaili në Çeki përpara shtatorit 2009 kur unë kalova nga opozita në qeveri. Ashtu siç SPAK i di shumë mirë lidhjet e partneres së tij amerikane në Çeki etj.. Nuk ekziston asnjë akt favorizues nga ana ime për Kastriot Ismailin dhe asnjë përfitim prej tij. Gjithçka është manipulim.

    Unë njohjen dhe miqësinë me Kastriot Ismailin e kam deklaruar edhe në SPAK, që e kam pasur që në fillim të viteve ‘90. Ai ishte partner zyrtar i CEZ-it dhe i përzgjedhuri i tyre. Lidhur me spekulimin se unë gjoja kam ndërhyrë që ERE të ulë çmimin në dëm të KESH dhe favor të CEZ ky është një mashtrim i pacipë. Së pari, ERE është një ent i pavarur nga Qeveria dhe përjashtohet çdo ndikim dhe së dyti vendimi i ERE u kundërshtua nga ana jonë në të gjitha gjykatat si ministri nëpërmjet KESH-it që ishte në varësinë tonë.

    Cila është përgjigjja juaj për sa u përket akuzave për lobingjet?

    Me bindje të plotë konfirmoj se çdo veprim apo autorizim nga ana ime ka qenë në përputhje me ligjet shqiptare dhe amerikane. Madje, kur kam konstatuar në janar 2017 se një avokat greko-amerikan, Fideszis, kishte firmosur në emër të LSI me kompaninë “McKeon”, e kam denoncuar te presidenti i kompanisë, duke i bërë të qartë se ai s’kishte pasur autorizim nga ne për të firmosur dhe së dyti, kishte vendosur si terma bashkëpunimi çështje që ne nuk na interesonin.

    Pas këtij denoncimi, Presidenti i McKeon i bëri letër zyrtare FARA (Departamenti i Drejtësisë) ku i kërkonte zëvendësimin e asaj marrëveshjeje për arsye se personi s’kishte qenë i paautorizuar nga LSI. Po kështu, pagesa prej 15.000 USD si parapagim për negociata për një marrëveshje të mundshme, që nuk u finalizua, është bërë me vendim të Kryesisë të LSI e përmes sistemit banker. SPAK e di shumë mirë se nëse ka diferenca midis pagesave të deklaruara nga LSI në KQZ dhe atyre që kanë deklaruar kompanitë e lobimit në FARA (Departamenti i Drejtësisë), se kush i ka bërë dhe si i ka bërë, por nuk i intereson ta zbardhë si çështje, sepse objektivi i vetëm i kësaj organizate policeske antiopozitë është të krijojë sa më shumë mjegull dhe tymnajë për Ilir Metën, ndërkohë që unë kurrë nuk kam autorizuar njeri për të bërë pagesa të parregullta dhe as kam qenë në dijeninë e tyre.

    Po lidhur me ndërhyrjen tuaj të pretenduar nga SPAK për të ndryshuar një ligj në interes të një biznesmeni? 

    Ky është një trillim i SPAK-ut, pasi dihet procedura e ligjbërjes në Kuvend si fillon dhe mbaron dhe unë s’kam asnjë lidhje me këtë rast. Kryetari i Kuvendit është vetëm një deputet në votim si gjithë të tjerët. Po për 65 deputetët e Edi Ramës që e kanë votuar këtë ndryshim ç’do të thoshte SPAK? Të paktën të përfshinte në akuzë edhe Edi Ramën si bashkëpunëtorin tim në këtë rast. Por SPAK as emrin s’guxon t’ia përmendë Edi Ramës, as te ndryshimi i destinacionit të klubit “Partizani” për të cilin mbahet prej prof. dr. Sali Berisha, lideri i Partisë Demokratike, as tek inceneratori e asgjëkund.

    Z.Meta si i mbani lidhjet me Partinë e Lirisë dhe cila është perspektiva…?

    Izolimi im është shumë i thellë dhe kuptohet, kjo bëhet për të më pamundësuar mbrojtjen nga akuzat e turpshme të SPAK-ut, por edhe për të dëmtuar aktivitetin tim politik dhe të Partisë së Lirisë. Jam shumë i kënaqur me solidaritetin e kolegëve dhe miqve anembanë vendit.

    Unë u kërkoj të gjithëve të trefishojnë përpjekjet e tyre në publik dhe terren, të përshkallëzojnë veprimin opozitar, të mos ndalen së afirmuari 5 prioritetet tona që janë kyçe për të kaluar nga narkoshtet te shteti i së drejtës dhe nga narkoekonomia, te Shqipëria fuqi eksportuese përmes mbështetjes së prodhimit vendës, të bujqësisë e blegtorisë me pagesa direkte, të industrisë dhe sidomos të mbështetjes për kompanitë eksportuese.

    Jam çdo ditë në lidhje me sekretarin e përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi dhe drejtues të tjerë kryesorë dhe kjo është një mundësi e shkëlqyer për ata që të rriten dhe forcohen në kushtet e një lufte të pamëshirshme, pa rregulla, pa moral, por që ne do ta fitojmë.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit