9.5 C
Tirana
E premte, 1 Nëntor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    ‘’Imazhi në rrjete sociale tek të rinjtë, ndërmjet reales e sureales’’

    Të rinjtë shpeshherë kërkojnë të konfirmohen e të marrin pëlqimin e të gjithëve si një mënyrë për tu ndjerë më mirë. Realiteti i ofruar nga rrjetet sociale shpeshherë zhbën anën e brendshme duke pëlqyer të shfaqin një vete ndryshe nga cfarë janë. Edhe ky është problemi i parë i madh: mospranimi i vetes ashtu sic janë.

    Si të rinj, përpiqemi duke na u ofruar modele të një jete luksi, të sforcohemi e të postojmë në rrjete sociale fotografi të momenteve të pakta ku kemi shkuar për një drekë a darkë më shumë sakrifica ekonomike si studentë, thjesht për të treguar që jemi pjesë e një shoqërie që promovon mirëqenien materiale dhe për të dhënë një profil jete të vetes që nuk na përket.

    Rrjetet sociale janë një terren i cili më shumë se sa i shërben adoleshentëve   e të rinjve, duket sikur i dëmton ata duke krijuar idenë se surealiteti që shfaqin të tjerët është i vërtetë, ndërsa ai i yni është katran.Kjo përpjekje e dukjes është një presion i brendshëm e nuk mund të themi se rastet e depresionit tek të rinjtë janë të pakta.

    Duket sikur imazhet kanë më tepër rëndësi se komunikimi apo se numri i pëlqimeve apo i ndjekësve në rrjete sociale është tregues i suksesit tonë në jetë. Varësia nga rrjetet sociale, është një cikël vicioz, sepse shfaq edhe varësi nga modelet negative që ofrohen apo tregon frustracionin që kanë të rinjtë në kapërcimin e barrierave në etapa të ndryshme të jetës si: shkollimi, punësimi, marrëdhëniet me prindërit etj.

    Sot vështirë të ndash rëndësinë e dukjes kundrejt përvojës, eksperiencës sepse theksimi i pamjes së jashtme gjithmonë në formë bën që shoqëria të jetë sipërfaqësore, të komunikojë më tepër përmes imazhit se sa fjalës, Duket sikur komunikimi del jashtë kontureve të një fotoje, gjë e cila e bën vetë individin të dobët, të largohet nga marrëdhëniet sociale e të izolohet në vetvete. Realiteti i rrjeteve sociale është një utopi e cila ka nevojë për ndërhyrje nga të gjithë njerëzit që i qëndrojnë afër adoleshentëve kryesisht e sidomos në ofrimin e modeleve reale kundrejt atyre surealë.

    Më shumë se pranimi i të qënit ndryshe, dëshira për të qenë si të tjerët e për t’u pranuar prej shumicës së të rinjve që përqafojnë këtë qasje bën që të gjithë të duken njëlloj e të humbasë individualiteti. Kuptojmë që ndikimi i rrjeteve sociale është i pashmangshëm, por kjo duhet të shoqërohet me një logjike të ftohtë tek bashkëmoshatarët tanë duke nxitur qëndrimin kritik të një mbirealiteti aspak të shëndetshëm e me pasoja në personalitetin e të rinjve.

    Shkrim nga të rinjtë për projektin e AMSHC

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit