Pas zgjerimit të familjes Berisha me apartamente në Rrugën ‘Mustafa Matohiti’, një nga zonat më të shtrenjta të Tiranës, fshihet një histori klientelizimi me hije korrupsioni, detajet e të cilës Shqiptraja.com po i sjell sot për herë të parë për publikun. Protagonistë janë Sali Berisha dhe biznesmeni Bashkim Ulaj, ky i fundit një nga përfituesit më të famshëm të pasurive publike dhe ndereve politike që nga koha kur Sali Berisha ishte kryeministër. Referuar një liste dokumentesh qe Shqiptarja.com ka zbuluar, rezulton se, Sali Berisha, gjatë pushtetit 2005-2013, ka përdorur qeverinë e tij dhe Parlamentin, duke kaluar në duart e Bashkim Ulajt për shfrytëzim privat pasuri natyrore publike.
Nga ana tjetër, Sali Berisha, Liri Berisha, e bija Argita dhe bashkëshorti i saj Jamarbër Malltezi kanë ‘blerë’ apartamente tek pallati i ndërtuar nga Bashkim Ulaj tek Rruga ‘Mustafa Matohiti’, herë pa deklaruar vlerën e tyre dhe herë duke deklaruar vlera, të dyshuara si fiktive.
Jo vetëm kaq. Por, Bashkim Ulaj ka vendosur në dispozicion të Berishës një zyrë gjigante në kullën e tij pranë Stadiumit Air Albania, pa e ditur kush i paguan qira dhe sa kushton. Kemi të bëjmë me një përdorim tipik të pushtetit për pasurimin e familjes, veprimtari kjo e theksuar edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit, në njoftimin e për shpalljen non grata të Berishës dhe familjes së tij.
Po le të ndalemi tek faktet konkrete
Në vitin 2001, Bashkim Ulaj, përmes vëllait të tij Ahmet Ulaj, merr një leje për ndërtimin e një pallati me 11 kate në Rrugën ‘Mustafa Matohiti’ në Tiranë. Leja lëshohet në favor të firmës ABAU, themeluar në vitin 1998 nga Ahmet Ulaj, vëllai i Bashkim Ulajt, bashkëpronar tek Gener 2, bashkë me Bashkim Ulajn.
Në 17 dhjetor të vitit 2007, Sali Berisha, dy vite pasi kishte ardhur në pushtet, lidh një marrëveshje me vendim Parlamenti me kompaninë Gener 2 të Bashkim Ulajt, duke i dhënë Ulajt leje minerale për shfrytëzimin e 233 hektarë pronë publike, të përbërë nga gur gëlqeror, argjila dhe ranor. Prona publike që Berisha kaloi në duart e Ulajt, ndodhet në Fushë-Krujë në zonën e Kodra e Zezë, Bacung dhe përruan e Dallxhikut.
Marrëveshja mes Ministrisë së Ekonomisë së drejtuar në atë kohë nga Gent Ruli dhe Bashkim Ulajt, parashikonte edhe ndërtimin e një fabrike çimentoje nga Gener 2, duke parashikuar një investim rreth 210 milionë USD. Ndërkaq, në 2 shkurt 2007, Ministria e Transporteve, një tjetër degë e qeverisë Berisha, i jep licencë kompanisë së Bashkim Ulajt për ndërtim autostradash, gërmime dheu, ndërtim rrugësh, ujësjellësish, punime në sisteme elektrike, ndërtime portuale, hekurudhash, linja elektrike etj. Është një licencë që do të rinovohej, duke hapur rrugën Bashkim Ulajt të marrte me dhjetëra milionë euro para publike.
Pikërisht në vitin 2007, Sali Berisha merr një apartament dhe garazh në pallatin e Bashkim Ulajt në rrugën ‘Mustafa Matohiti’. Siç e vërteton kjo deklaratë pasurie që mban firmën e Sali Berishës, ky i fundit nuk deklaron as vlerën e blerjes dhe as sipërfaqen e apartamentit. Gjithsesi, Shqiptarja.com mëson se Sali Berisha, të paktën formalisht, i ka dhënë Bashkim Ulajt apartamentin në pallatin parafabrikat 69 m2 si dhe 2 100 000 lekë, ndërsa Ulajt i ka dhënë Berishës apartamentin në rrugën ‘Mustafa Matohiti’ me sipërfaqe 125 m2 dhe një garazh. Berisha dhe Liria kishin 1/3 e apartamentit në pallatin parafabrikat.
Çfarë e do një ndërtues që ka qindra apartamentet të reja, një apartament 69 metra katrorë parafabrikat?
Ky shkëmbim interesash do të ishte vetëm fillimi i një raporti klientelist mes Sali Berishës si kryeministër dhe oligarkut Bashkim Ulaj. Në emrin e Jamarbër Malltezit dhe Argita Berishës, dhëndri dhe e bija e Berishës, rezultojnë rreth 40 pasuri të paluajtshme. Bie në sy se Argita dhe Jamarbër, si adresë banimi të tyre në kartelat e pasurisë, kanë shënuar pikërisht Rrugën ‘Mustafa Matohiti’, ndërtesa numër 7, kati i dytë, apartamenti Nr. 8. Ndërtesa është pikërisht pallati i Bashkim Ulajt.
Në ligjin e miratuar nga Kuvendi në dhjetor 2007, për t’i dhënë Bashkim Ulajt për shfrytëzim 233 hektarë pronë publike, kompania Gener 2 e Ulajt, rezulton me adresë pikërisht në rrugën ‘Mustafa Matohiti’, pallati numër 7, kati i dytë, zyra 7. Pra, zyrat e kompanisë së Bashkim Ulajt dhe banesa e çiftit Jamarbër dhe Argita Berisha, ndodheshin në katin e dytë të të njëjtit pallat, aty ku banon edhe Sali Berisha. Të gjitha këto lidhje krijojnë dyshime sikur pallati është i Sali Berishës dhe Bashkim Ulajt një maskë e tij.
Po në vitin 2007, në Rrugën “Mustafa Matohiti”, dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi, figuron se ka regjistruar në emrin e tij edhe një bodrum 21 m2, me vlerë 10 mijë USD. Në 13 janar të vitit 2010, Argita dhe Jamarbër Malltezi kanë regjistruar në emrin e tyre një apartament me sipërfaqe 259 m2, pikërisht Rrugën “Mustafa Matohiti”.
Në 19 shtator 2010, Argita dhe Jamarbri regjistrojnë në emrin e tyre një tjetër apartament me sipërfaqe 195 m2, në të njëjtën rrugë, “Mustafa Matohiti”. Në 18 maj të vitit 2015, Argita dhe Jamarbër Malltezi regjistrojnë në emrin e tyre një tjetër bodrum me sipërfaqe 18 m2, me vlerë 17 mijë euro, në të njëjtën rrugë në Tiranë.
Tre javë më pas, në 5 qershor të vitit 2015, Argita dhe Jamarbër Malltezi kanë regjistruar një tjetër apartament me sipërfaqe 128.3 m2, prape në Rrugën “Mustafa Matohiti”. Në maj të vitit 2017, Jamarbër Malltezi regjistron në emrin e tij një apartament 102 m2, pikërisht në Rrugën “Mustafa Matohiti”. Bie në sy që deklarohet vlera e bodrumeve, por jo vlera e apartamenteve. Historia e dyshimtë përfshin para dhe prona të shqiptarëve me vlerë djathëra milionë euro, dhe ndere pafund. Vetëm koincidencë?(Shqiptarja.com)