21.5 C
Tirana
E enjte, 7 Nëntor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Modeli Alfred Peza: Pagat e çmendura në media, diferenca fyese shef-vartës që në vitet 2000

    Para do javësh do qarkullonte një e dhënë për pagat e disa drejtues mediash. Ishin të pabesueshme si shifra. Me të tilla, Alfred Peza do i zbulohej publikut si një milioner pak vite më parë. Fjala është për paga goxha të majme që në mesvitet 2000, kur tregu mediatik nisi të qarkullonte miliona në një konkurencë të fortë.

    Prej aty u krijua një lloj elite, jo e ndonjë aftësie te veçantë gazetareske, por thjesht shefash. Shefa që s’luanin të pasmet nga poltroni i shefit që jepte direktiva, ose thjesht delegonte përgjegjësi te shefa pak më të vegjël, pa bërë vetë asgjë, pa patur asnjë produkt me emrin e tyre.

    Etiketimi që u shkonte apo u shkon më tepër, është “pordhacë zyrash”. Maksimumi që ka arritur ndonjë sosh prej tyre është ai i analistit, ndonëse ka më shumë se 20 vjet pa asnjë shkrim autorial. Edhe si analist ka pikëpyetje nëse është i denjë për t’u ftuar apo jo në studio. Të paktën Alfred Peza çoç e bënte ndonjë shkrim, analizë e jo reportazh. Shefa që as një reportazh s’kanë mundur ta bëjnë, qoftë për qejfin e tyre apo për një sedër gazetareske. Për ndonjë investigim as që bëhet fjalë.

    Mes tyre veçonte i ndjeri Fatos Baxhaku, njeriu antishef dhe antizyrë, me produkte unikale në gazetari, i cili iku nga kjo botë, pra dhe nga gazetaria, pa shtëpi e katandi të vënë me paga milionëshe, tërë pordhë.

    Por nuk ishin aq disa zerot e pagave të tyre se sa diferenca fyese me vartësit e tyre në terren, gazetarët e thjeshtë të redaksive. Diferenca ishte dhjetëfish. Ai shefi me pagë 5 apo 7 milion, në shumë aspekte ishte një hiç ndaj atij vartësit me pagë 500 apo 700 mijë. Të parët ishin thjesht konjuktural më së shumti, të dytët plot zell në punë.

    Duhet thënë kjo në kohën që po diskutohen pagat e ulëta në disa sektorë të ekonomisë. Është diçka e përfolur në rrethe të brendshme mediatike, dje dhe sot, por jo e mediatizuar si paradoks.

    Do duhej të dilte në publik pasuria e Alfred Pezës që të mësohej në publik se ç’paga të fryra kishte në media, por jo te të gjithë, vetëm te elita, ku më së shumti hanë nginjshëm konjukturalët se sa të aftët e të zellshmit.

    Pagat e tyre të fryra, disafish më të larta se sa pozitat të larta shtetërore, deri diku dhe pa logjikë ekonomike, do përligjeshin gjithsesi nëse ata do bënin dhe diferencën në produkt.

    Çështja është se nuk e bëjnë. Nuk ndodh që publiku të ndjerë erën e tyre të veçantë në produkt mediatik, standartin që sjellin ose ofrojnë, për të qenë vërtet lojtarë të kërkuar në menaxhim mediash, me paga të privilegjuara. Shumica janë skematikë e madje dhe dembelë, që siç thotë një prej vëllezërve Nazarko, më parë kanë mësuar hilet se sa zanatin e gazetarit.

    Ka dhe me keq. Kanë mësuar hilet, se si të shiten për të bërë lekë, duke qenë mbetës në zanat. Shefa parazitë, pa dashuri për terrenin, që rrogat e majme i bëjnë pordhacë. Poshtë tyre, ata që preferojnë zanatin e jo hilet, plot zell dhe produkt, por me paga mjerane.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit