Skandali i mjekëve të Onkologjikut u rikthye në vëmendje të hënën, 4 nëntor, në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu. Por, vëmendjen e mori një deklaratë (e pavend) e Lorenc Vangjelit. Ndërsa flitej për mungesën e kurave për personat që vuajnë nga sëmundje tumoriale, Lorenc Vangjeli e pa të arsyeshme të theksonte se persona të prekur nga të tilla sëmundje të rënda janë “dënuar nga Perëndia të vdesin”.
Sipas tij, ndonëse mund të kurohen ata sërish do të kenë të njëjtin fund.
“Tema është shumë e dhimbshme, flasim për njerëz të cilët i ka dënuar Perëndia me vdekje. Që herët a vonë nëse do të kuroheshe në Tiranë, në New Jork, në Paris, në Berlin apo kudo tjetër fundi i tyre është i dhimbshëm”, u shpreh ai.
Më tej, shtoi: “Shumica e humbet këtë betejë herët a vonë. Është detyrë e shtetit dhe shoqërisë shqiptare që të ndihmojë individin. Ka me qindra dhe mijëra drama familjare”.
Deklarata shokoi opinionin publik duke shkaktuar reagime të forta. Shumë qytetarë dënuan deklaratën e analistit, ndërsa kërkuan që ai të mos shfaqet më në televizionet shqiptare.
Të tjerë theksuan se deklarata fyen rëndë çdokënd që përballet me të tilla sëmundje dhe ndikon negativisht në gjendjen psikologjike e emocionale të këtyre personave, si dhe të familjarëve të tyre.