Producentja Jokansa Kuqi e serialit të ri televiziv, “Tenxherja-Kapakun”, në Top Channel, ka dhënë një intervistë së fundmi për “Pardon my French”, ku ka diskutuar gjithë procesin e krijimit të serialit.
Si fillim, producentja shpjegoi arsyen e përzgjedhjes së patentës së “Love Bugs” duke thënë se “është një patentë që ka pasur shumë sukses në 30 vende të botës dhe gjithmonë ka ëndërruar për ta pasur, si njohëse shumë e mirë e tij”.
Më tej, ajo rrëfeu se:
“Do shumë punë për të arritur të marrësh një patentë për prodhime kinematografike. Mua m’u desh një vit për ta marrë.”
E pyetur nga moderatorët për përzgjedhjen e dy protagonistëve, Elvana Gjatën dhe Romeo Veshajn, në rolin e Belës dhe Romit, Kuqi u shpreh:
“Ata janë aktorët më të mirë për mendimin tim. Tek Elvana kam parë Elvanën dhe vetëm Evanën [për rolin]. Nëse Elvana nuk pranonte ftesën time, ky projekt nuk do të bëhej.”
Ndërsa, për rolin e Romeos, ajo vazhdoi: “Ishin dy emra që kisha në mendje, përveç Romeos, [kisha dhe] Nik Xhelilajn. Bëmë audicione dhe fitoi Romeo.”
Ndër të tjera, producentja zbuloi se përzgjedhja e regjisores për tre episodet e para të serialit, Dalina Buzi, ndodhi rastësisht dhe në një moment kritik për realizimin e projektit:
“Dalina ka qenë një mbështetje shumë e madhe kur ndodhesha në një moment shumë kritik. Ishin vetëm 48 orë kohë, unë nuk kisha regjisor [prej disa ndryshimeve të fundit]. Dalina ndodhej rastësisht aty dhe tha: ‘Patjetër që unë ty nuk të lë në baltë’.”
Pretendimeve se projekti është i kopjuar, Kuqi iu përgjgij:
“Nuk quhet kopjim, është blerje patente. Nuk ka se si të kopjohet një projekt dhe të kesh guximin ta transmetosh në Top Channel, në prime time. Kjo është patentë, si ajo e Big Brother-it.”