Detyrimet familjare dhe financiare, rënia e energjisë, simptomat e menopauzës, rrudhat e para apo flokët e thinjura janë disa nga sfidat me të cilat përballet një grua që ka kaluar të dyzetat.
Ndonjëherë sfidat lidhen edhe me pritshmëritë sociale pas një moshe të caktuar, ndonëse mund të mos kenë asnjë ndikim thelbësor në jetën e një personi mbi 40 vjeç.
Megjithatë, ekspertët shprehen se “Millennials”, pas moshës 40-vjeçare, kalojnë periudhën më të palumtur të jetës së tyre.
Në fakt, sipas një artikulli të fundit në “Guardian”, nga gazetarja Sophie Brickman, studimet tregojnë se mosha më e palumtur në jetën tonë është mesatarisht 47.2 vjet.
“Nuk është për t’u habitur. Ne punojmë dhe kujdesemi për fëmijët gjithnjë e më shumë. Dakord, ne gjithashtu shpenzojmë më shumë kohë në aktivitetet e kujdesit personal, megjithëse shpesh herë në këtë bashkësi aktivitetesh konsiderojmë dhe gjërat minimale, si gjumi”, shkruan ajo.
Sophie, nënë e tre fëmijëve, shtoi se kohën e lirë e kalon në mënyrë dëshpëruese duke mos e shfrytëzuar pozitivisht.
“Eshtë e panevojshme të thuhet, nuk kam nevojë për sondazhe dhe anketa për të treguar se koha ime e lirë po reduktohet gjithnjë e më shumë dhe se e kaloj atë në mënyra gjithnjë e më dëshpëruese.”
Studimet që kanë arritur në përfundimin se lumturia rritet pas të pesëdhjetave janë pak ngushëlluese për të.
“Pra, duhet të pres deri në moshën 55-vjeçare që të kem kohë për t’u çlodhur dhe për të menduar?”, pyet ajo.