18.5 C
Tirana
E martë, 5 Nëntor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Trendi demografik, jugu drejt “shuarjes”: Korça dhe Gjirokastra, 50% më pak lindje në 10 vjet. Në qendër dhe veri, situatë më pak “dramatike”

    Nisur nga të dhënat e “Institutit të Statistikave” mbi treguesit demografikë, “Scan Intel” ka analizuar këtë herë lindjet, vdekjet dhe shtesën natyrore të popullisë në Shqipëri sipas qarqeve. Nga një panoramë e përgjithshme në dymbëdhjetë qarqet e vendit shihet qartë rënia drastike e lindjeve që nga viti 2011-të dhe deri në vitin 2022, duke ndikuar kështu negativisht në rritjen natyrore dhe në strukturën e popullisë. Qarku më i ndikuar nga kjo rënie është Gjirokastra me një rënie të lindjeve në vitin 2022 me rreth 50%, krahasuar me vitin 2011-të. Pra, në harkun kohor të dhjetë viteve duket se Gjirokastra ka përgjysmuar numrin e lindjeve.

    Sipas të dhënave, Gjirokastra jo vetëm ka shënuar rënien më të lartë të lindjeve, por është edhe qarku me numrin më të ulët të tyre në vitin 2022. Të dhënat demografike tregojnë se Gjirokastra është qarku me popullsinë më të plakur. Korça ndjek në renditje me rënie të numrit të lindjeve përgjatë dhjetë viteve me 48.2%, pasuar nga Fieri me 44.7%. Berati dhe Vlora po ashtu renditen mes qarqeve që kanë shënuar rënien më të madhe të numrit të lindjeve me 44.5% secili. Nga ana tjetër e tabelës gjejmë Tiranën me rënien më të ulët, deri në 11.7%, pasuar nga qarku i Durrësit me 23.3%. Shqetësues është fakti se të gjitha qarqet e vendit paraqiten me rënie të numrit të lindjeve.

    Nëse do ta kalonim fokusin te ndryshimi vjetor i numrit të lindjeve në qarqet e Shqipërisë, krahasuar me vitin 2021, panorama paraqitet e njejtë. Pra, shifrat sinjalizojnë se përgjatë një viti numri i lindjeve ka rënë në të dymbëdhjetë qarqet. Siç paraqitet edhe në grafikun i cili pasqyron lindjet sipas qarqeve dhe ndryshimin vjetor, qarku i cili ka shënuar rënien më të lartë të numrit të lindjeve është Korça me 25.5%, pasuar nga Dibra me 20.7%, krahasuar me vitin 2021.

    Ndërkohë, nga ana tjetër, qarku me rënien më të ulët të lindjeve është Tirana me 10.7%. Rënia më e ulët në rastin e kryeqytetit si në krahasim me vitin 2011-të, ashtu edhe në krahasim më vitin 2021, mund të jetë si pasojë e migrimit të brendshëm të familjeve. I vetmi tregues më rritje nga të dhënat mbi lindjet janë nga “të panjohurit”, tregues ku i cili është rritur me 83%.

    Le të shohim se si paraqiten të dhënat sa i përket shtesës natyrore të popullsisë në qarqet e Shqipërisë. Referuar grafikut shohim se për vitin 2022 me shumë se gjysma e qarqeve kanë shënuar shtesë natyrore negative, ku vdekjet prevalojnë mbi linjdet. Korça regjistron diferencën më të lartë të vdekjeve mbi lindjet për vitin 2022 me 898 vdekje më shumë. Vlora, Fieri, Gjirokastra, Berati, Shkodra dhe Elbasani po ashtu kanë regjistruar shtesë natyrore negative. Pra, në këto qarqe vdekjet kanë qenë më shumë se lindjet.

    Ndërkohë, në Tiranë, Dibër, Durrës, Kukës dhe Lezhë shtesa natyrore ka qenë pozitive, ku lindjet kanë tejkalaur vdekjet. Nëse do ta krahasonim këtë tregues me vitin 2021 shohim se Tirana ka bërë progres pozitiv nga 1,642 lindje më shumë se vdekje, në 2,815 lindje më shumë në vitin 2022. Qarqe të tjera të cilat kanë patur të njejtin ndryshim si Tirana janë Durrësi, Kukësi dhe Lezha. Ndërkohë, një përmirësim modest shihet edhe te qarqet të cilat kanë regjistruar shtesë natyrore negative, duke e zvogëluar diferencën, kjo për shkak të rënies së numrit të vdekjeve pas një përiudhe të vështirë lufte me pandeminë.

    Më konkretisht lë të shohim ecurinë e fataliteve sipas qarqeve dhe viteve. Nga të dhënat e përpunuara nga “Scan Intel” shohim se numri i vdekjeve ka qenë në rritje në vendin tonë, pothuaj në të gjitha qarqet, që nga viti 2011 e deri në vitin 2022. Më evidente u bë kjo tendencë sidomos gjatë vitit 2020 dhe 2021 për shkak të Covid-19.

    Nëse do të flisnim për ndryshimin vjetor, pra krahasuar me vitin 2021, të dhënat tregojnë se numri i fataliteve paraqitet me rënie në të gjitha qarqet e vendit, duke bërë kështu një kthesë nga shifrat e larta të raportuara gjatë pandemisë. Qarku i cili ka shënuar rënien më të lartë të numrit të vdekjeve është Vlora me 29.6%, pasuar nga Berati me 28.6% dhe Tirana me 28%. Qarku me rënien më të ulët të numrit të vdekjeve për vitin 2022, krahasuar me vitin 2021, është Dibra me 17%.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit