9.5 C
Tirana
E premte, 15 Nëntor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    A kanë pasoja vendimet e Ilir Metajt të firmosura si Ilir Meta?

    Nuk duhet shumë shkencë për të kuptuar hallin e madh të Ilir Metës me drejtësinë. Nga Jala, ku u është rikthyer pushimeve me të rinjtë e partisë, ish-Presidenti u përpoq që të shmangë përballjen individuale me drejtësinë dhe t’i vendos SPAK-ut përballë popullin.

    “Çështjen e drejtësisë do ta zgjidhë populli. Nëse SPAK do që të përdoret politikisht, le të përdoret. Nëse duan t’i vënë përpara popullit, populli do ta zgjidhë këtë punë. Opozitës i ka ngelur vetëm populli, kjo çështje do të zgjidhet me popullin e lirisë. Një lëvizje e fortë tektonike ka nisur dhe nuk do të ndalet më Do të ketë një ‘pranverë’ shumë më të hershme se prisni ju, edhe dhjetori është larg do të ketë zhvillime. Ramoviçi, ‘The final countdown’, me dil përballë vetë! Unë e kap demin prej brirësh”, tha ai.

    Vetëm SPAK e di se në çfarë faze janë hetimet që ka nisur, por shkresa që i ka dërguar KQZ-së për formularin e dekriminalizimit është një sinjal pozitiv, që do të thotë se të paktën po hetohet dhe po shkohet te qëllimi që thotë edhe Ambasadorja Yuri Kim; ASKUSH nuk është mbi ligjin!

    Por, meqë jemi të formulari i dekriminalizimit, SPAK duhet të sqarojë më së pari cili është emri i vërtetë i Ilir Metës. A është Ilir Metaj, apo Ilir Meta? Për këtë, Arben Kraja, që Meta e quajti ‘spurdhjak’, i është drejtuar që më 8 gusht Gjendjes Civile që të mësojë zyrtarisht mbiemrin e vërtetë të ish-Presidentit.

    Nuk dihet përgjigja e Gjendjes Civile në këtë rast, por një përgjigje publike e dha Monika Kryemadhi. Kjo e fundit publikoi certifikatën personale të bashkëshortit të saj. Në të rezulton që Ilir Meta në letra nuk është Ilir Meta, por është Ilir Metaj, pra me ‘J’ në fund.

    Ndryshimi duket i vogël, por pasojat mund të jenë të mëdha. Për një gërmë të shkruar gabim në emër, apo mbiemër janë me dhjetra rastet kur shqiptarët nuk kanë tërhequr dot pensionin, nuk kanë marrë dot diplomat, apo nuk kanë marrë dot vizat dhe kanë përfunduar në dyert e gjykatave për të gjetur drejtësinë e tyre.

    Ilir Metaj nga ana tjetër, jo vetëm që nuk e ka pasur një problem të tillë, por në majën e hierarkisë së shtetit shqiptar firmoste e nxirrte dekrete me emrin Ilir Meta. Nëse rastet e qytetarëve shqiptarë që për një gërmë tepër, mangët, apo gabim në mbiemër nuk kanë marrë dot pensionet e tyre pa shkuara më parë në gjykatë për të provuar se janë ‘vetvetja’ do të krahasohen me këtë, atëherë e gjithë vendimmarrja e firmosur e Ilir Metajt me mbiemrin ‘Meta’ duhet të përfundojë në gjykatë.

    Kjo vendimmarrje nuk është e paktë dhe shtrihet në tre dekada, që nga deputet, ministër, kryeministër, zv.kryeministër, kryetar Kuvendi e deri në President. Duke e krahasuar me peripecitë e qytetarëve për një gabim në emër apo mbiemër, nuk është e tepërt të thuhet se në këtë rast kemi të bëjmë me falsifikim, apo shpërdorim detyre.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit