16.5 C
Tirana
E hënë, 2 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Të digjet Shkodra!

    Nga Edona Llukaçaj

    Në vitin 1666, në Londër, pati shpërthyer një zjarr që njihet gjerësisht si “Zjarri i Madh i Londrës”. Ndonëse jo e vetmja herë që qyteti është djegur, kjo ngjarje mbahet mend si ajo që e ndryshoi përgjithmonë Londrën. Përhapja masive e zjarrit do të kishte e qenë e mundur të parandalohej edhe me teknologjinë e kohës, por parashtrohet se pushteti qëndror dhe vendor ishin shumë të preokupuar me zënkën e vet të kaheve, për të ndërhyrë në mënyrë efektive.

    Zjarri që ndryshoi demografinë e një prej kryeqendrave botërore me rreth një të tretën e popullatës që u shpërngul në pak kohë, fatmirësisht, nuk rezultoi në viktima të shumta. Për më tepër, shkencëtarët besojnë se zjarri 4-ditor shfarosi minjtë dhe pleshtat, përgjegjësit kryesorë të epidemive të përsëritura të murtajës ndër shekuj.

    Kjo është edhe arsyeja pse shumë hedhin dyshime mbi faktin nëse “Zjarri i Madh i Londrës” ka qenë veçse një aksident fatlum dhe nëse mungesa e ndërhyrjes së koordinuar ka qenë e paqëllimshme. Në fund të fundit, pas djegies së 1666, Londra pa një ripërtëritje të pakrahasueshme, në çdo aspekt.

    Ndoshta, si Londra, duhet të digjet edhe Shkodra. Si atje, të fillojë zjarri në ndonjë furrë a ndonjë cep e ta marrë mbarë qëndër e rrethina. Të rritet teksa ushqehet me ato zjarret e ndezur për të fshirë gjurmë krimesh, hërë në parcela kinse të paditura kanabisi, herë në makina të përdorura për krime makabre, e kur i volit ndokujt, edhe në shkolla të kthyera në qendra votimesh.

    Të digjet Shkodra. Të shfarosen nga zjarri minj, pleshta a çfarëdo qëniesh qofshin përgjegjësit e epidemisë të së keqes që përsëritet sistematikisht dhe i kanë mohuar qytetit qoftë edhe një normalitet minimal. Një epidemi që po i detyron njerëzit të largohen masivisht. Ndërsa të pamundurit jetojnë të tmerruar dhe, së shumti, të kyçur se në larjen e ardhshme të hesapeve mund të jenë ata viktimat e radhës. Sigurisht mbajnë peshën e fajit se në qytetin “tok e zanun” se po bënin punën e vet apo po përdornin rrugët e pasigurta për të shkuar në shtëpinë e vet e për t’i çuar bukë fëmijëve.

    Të digjet Shkodra, po qe e nevojshme. Si në Londër nuk do të jetë hera e parë. Ndër dekada, Shkodrës ia kanë vënë zjarrin, sa herë i është dashur pushtetarëve faqezinj të djegin turpin e vet. Por këtë herë t’i dalë flaka pazareve të shëmtuara që bëhen mbi të e përtej saj, korrupsionit të të gjitha kaheve, protestave hipokrite që as simbolizëm nuk kanë e sidomos qasjes me “ndoc rrokun”, si politika e vetme e zbatuar me rigorozitet në këtë vend, tash sa vjet.

    Mos ta shuajnë për ditë me radhë. Të mos ndërhyjë njeri, si është bërë zakon kur bie fjala për Shkodrën. Të ngrohen në zjarr, teksa i drejtojnë gishtin njëri-tjetrit për çka e gatuan dhe po e shijojnë bashkë.

    Të zhuritet prapë Shkodra. Të marrin flakët në ferrin e vet demagogjinë “hëngshin kokat e veta” se s’po mbeten më koka. Të marrë fund edhe propaganda vrastare “jo djep kulture por fole e pakalueshme bandash”. Të mbulojë hiri pallavrat se Shkodra zgjodhi vetë të ishte kështu. E pabindur dhe e gatshme të shpërthejë. Se shkodranët e kanë fajin se ligjin e bën paligjshmëria dhe rendin e vë automatiku.

    Prandaj të digjet Shkodra dhe t’i dalë flaka tej e tej moskokëçarjes dhe mosangazhimit për të e mbarë vendin. Të sakrifikohet sërish, nëse kjo është e vetmja mënyrë për të shpëtuar nga kjo çmenduri.

    Ndodh dhe është hera e fundit. Ndodh dhe kështu vjen ndryshimi. Ndodh dhe ripërtërihet nga hiri i vet.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit