Pas transmetimit të deklarimeve të shtetasit italian Gabriele Tarroni Longhinotti, i arrestuar në vitin 2021 dhe i dënuar nga Gjykata e Tiranës me 6 vite burgim për mashtrim, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka paditur penalisht për shpifje televizionin Syri, emisionin “Piranjat”, gazetarin Bledian Koka dhe producentin e emisionit, Vojo Bregu.
Në emisionin në fjalë, i transmetuar nga Syri TV, mashtruesi italian Longhinotti sulmoi ish ortakun e tij në biznes, Alberto Presezzi, por në deklarime e sipër përmendi edhe emrin e kryebashkiakut Veliaj.
Në një dalje për mediat, avokati Plarent Ndreca bëri me dije se ditën e sotme, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, është depozituar padia për gjykimin penal për shpifje ndaj Televizionit Syri, emisionit “Piranjat, gazetarit Bledian Koka, dhe producentit Vojo Bregu, duke e cilësuar si një shpifje ordinere dhe falsifikim faktesh.
“Përveçse një shpifje ordinere alla ‘babale’, duket qartë se kjo është një skemë mashtrimi, e cila ka si qëllim vetëm garën elektorale dhe denigrimin e kandidatit të PS.
Skemë e cila provohet nga fakti se, menjëherë pas publikimit të këtyre fakteve të rreme, u përqafua nga kandidati i Partisë së Lirisë dhe eksponentët e Partisë së Lirisë. Kjo përbën një shkelje të rëndë të ligjit.
Përmes kësaj padie, ftojmë të gjithë ata që janë marrë me këtë skemë mashtrimi, të vijnë në gjykatë dhe të parashtrojnë faktet, ose ndryshe të mbajnë përgjegjësi ligjore për shpifjet e bëra dhe të përgënjeshtrojnë me të njëjtën mënyrë gënjeshtrën që kanë publikuar”, deklaroi avokati Ndreca.
Pas kësaj deklarate, vet gazetari Bledian Koka reagoi duke e cilësuar padinë së pari si një “medalje nderi” që po i bëhet atij vetë dhe televizionit SYRI TV nga Erion Veliaj.
Sipas tij, padia e orës 12.30 nga selia e PS-së vjen fiks 2 orë pasi në postën elektronike të Veliajt kam dërguar disa pyetje pas deklaratave publike të shtetasit italian Gabriele Tarroni Longinotti, një biznesmen, ish-ortak i Alberto Presezzi, person kyç në sjelljen në Shqipëri e të paktën njërit nga inceneratorët!