Gazetarja amerikane Paula Froelich në një artikull të botuar sot ku komenton “obsesionin” e Jared Kushner dhe Alex Soros me Shqipërinë, ka zbuluar një detaj interesant.
Froelich shkruan për planet e Kushner për një mega-resort turistik në ishullin e Sazanit, por edhe për lidhjet e forta të Alex Soros me politikanët më të lartë në vend, dhe organizatat e babait të tij – George Soros – “Shoqëria e Hapur”.
Por gjatë shkrimit, ajo zbulon një detaj interesant për Alex Soros. Sipas saj, djali i miliarderit amerikan në vizitat e tij të shpeshta në Tiranë, nuk pranon të qëndrojë në hotel, por qëndron në vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha.
“Është çmenduri,” më tha një burim. “Për shqiptarët, kjo është si të shkosh në Gjermani dhe të qëndrosh në folenë e shqiponjës së Hitlerit”, shkruan gazetarja amerikane.
Megjithatë, një përfaqësues i Alex Soros, Michael Vachon, thotë se nuk beson që ai të ketë qëndruar te vila e Enver Hoxhës, dhe se është diçka që ai nuk mund ta konfirmojë.