Ish-kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi u shfaq në dy nga emisionet politike të mbrëmjes së të hënës për t’iu përgjigjur akuzave të PS-së se ka përfituar para nga oligarkë rusë. Ajo i ka konsideruar akuzat si falsifikime dhe shantazh ndaj saj.
E ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, Kryemadhi tha se do të depozitojë padi për shpifje dhe shantazh ndaj Top Channel që ka publikuar disa dokumente. Ajo gjithashtu deklaroi se është shantazhuar edhe me mënyra të tjera, duke thënë se fëmija i saj, 17 vjeç, po hetohet nga SPAK për pastrim parash.
“Kanë bërë shantazh puoblik dhe jo publik. Kanë bërë shantazh edhe të fëmijët e mi. Fëmija im 17 vjeç, që hetohet në SPAK për pastrim parash? Gazetarë që vendosin gjoba dhe paguhen me para të inceneratorëve. Po fëmijët tanë që kërcënohen përditë? Fëmijët e mi ja kanë marrë dorën, sepse kanë 30 vjet më nënën dhe babën në këtë punë.
Edhe babain tim në varr ta hetojnë, do ta çoj deri në fund edhe me Top Channel, që sot është kompani offshore, që përfaqësohet nga Edi Rama, Erion VEliaj apo Mirel Mërtiri?”, – tha Kryemadhi.
Ajo këmbënguli se dokumentet janë të sajuara nga një kompani izraelite që kohët e fundit është akuzuar se ka shkaktuar skandale politike në vende të ndryshme.
“Të gjitha këto (dokumente) janë shtypur me kompjuter. Shihni ndonjë firmë timen këtu? Të njëjtën gjë që shihni sot, e njëjta gjë ka përdorur Aleksandër Vuçiç ndaj kundërshtarit.
Janë falsifikime të bëra nga një kompani izraelite nga Tal Halal. Është person në kërkim nga vendet partnere, sepse ka vendosur regjime autokratike duke përdorur këto falsifikime. Është sulmuar me fake account të bankave.
Ju e dini dashurinë e Ramës me Vuçiç. E dini që kanë përdorur të njëjtën kompani izraelite në zgjedhje? Dua t’ju theksoj se personi në fjalë, është në kërkim në SHBA për destabilitet që ka krijuar, për vendosjen e regjimeve autokratike.
Tani kjo gjë nuk më intereson, sepse nuk do të merrem. Do të merren avokatët me televizionin Top Channel. Do të kenë padi penale për shpifje dhe shantazh” – tha Kryemadhi.
“Unë do t’i shkoj deri në fund edhe me “Top Channel” që është një kompani offshore, që nuk përfaqësohet nga familja Hoxha, pasardhësit e Dritan Hoxhës, por përfaqësohet nga Edi Rama, nga Erion Veliaj, apo nga Mirel Mërtiri?
Kjo (tregon falsimilet e shitjes në Belize të Top Channel) është akt juridik. Pse nuk është regjistruar në QKB kjo? Sepse me ligjin për mediat shqiptare nuk lejohet që frekuenca kombëtare të jetë në off shore dhe 100 për qind.
Asnjë televizion, sidomos kombëtar nuk mund të ketë një pronar. A ka këtu grup të strukturuar kriminal? Ky televizion me çfarë mbahej? Bizneset e kësaj zonjës që kanë shitur dhe i riblen prapë, te kafeja, te pronat, te paratë me fajde? Kush është sponsori kryesor i tyre?
Unë do të merrem seriozisht me këta, sepse këta janë cenim i sigurisë kombëtare, sepse një televizion kombëtar, me frekuencë kombëtare, i cili ka zaptuar nëpërmjet mënyrave të ndryshme me lavazh truri, që të gjithë e dimë se çfarë ndodh…“, tha Kryemadhi.
Ndërsa më pas në emisionin “Opinion”, Kryemadhi tha se ajpo po akuzohet për shkak se ka denoncuar çështjen e inceneratorëve. Sipas saj së shpejti do vijë një letër-porosi nga përtej oqeanit duke paralajmëruar kryeministrin Edi Rama. Sipas saj bëhet fjalë për çështjen “McGonigal”.
“Shumë shpejt do të trokasë një letër-porosi për Edi Ramën. Sa herë i troket diçka, Rama nxjerr nga këto fatura, siç ishte rasti në shtator i rastit McGonigal, për korruptimin e një zyrtarit të lartë siç është FBI. Ahmetaj mund të jetë i radhës gjoja për inceneratorët për të mbuluar aferën Mcgonigal.
Ky zotëri do shkoj në burg si koka e incenratorëve, jo se nuk është ai është. Ahmetaj mund të arrestohet, bëhet një marrëveshje, se ka frikë se mund të ketë qenë Ahmetaj ai që ka çuar parat të McGonigal. Zero kam marrë informacion nga Ahmetaj për inceneratorët”, – tha Kryemadhi.