11.5 C
Tirana
E shtunë, 24 Shkurt, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Nga infrastruktura tek shërbimet publike, si do përdoren 320 milionë eurot e buxhetit të Tiranës

    Bashkia e Tiranës parashikon të paktën 33.4 miliardë lekë apo rreth 320 milionë euro shpenzime për të përmbushur funksionet dhe objektivat e saj në vitin e ardhshëm. Relacioni i projektbuxhetit të bashkisë më të madhe në vend tregon se pjesa dominuese e parave është parashikuar në investime kapitale.

    “Për vitin 2024 fondi total për shpenzime kapitale është në shumën 14,074,448,563 lekë dhe zë 42 % ndaj totalit të shpenzimeve. Për vitet 2025 dhe 2026, buxheti i investimeve parashikohet respektivisht 9,993,525,168 lekë dhe 7,228,120,936 lekë. Për vitin 2024 peshën më të madhe e zënë shpenzimet kapitale për programet e Zhvillimit të Komunitetit, Transportit dhe Urbanistikës” thuhet në relacion.

    Pjesën më të madhe të këtij zëri e zënë shpenzimet e transportit me 27 për qind apo 3.98 miliardë lekë dhe pas saj zhvillimi i komunitetit dhe strehimi social.

    Sa i takon shpenzimeve të tjera në dokument nënvizohet se ato operative dhe të tjera janë parashikuar në shumën 19,365,091,074 lekë për vitin 2024.

    Këto shpenzime përbëjnë 31% të totalit të buxhetit për vitin 2024 dhe përbëhen nga:

    – Shpenzimet operative të aparatit të Bashkisë dhe institucioneve në varësi;

    – Përdorimi i Fondit Rezervë dhe Fondit të Kontigjencës;

    – Transferta të tjera për individët Fondi Rezervë do të përdoret për financimin e shpenzimeve që nuk mund të parashikohen gjatë hartimit të buxhetit, me vendime të Këshillit Bashkiak.

    “Fondi i Kontigjencës do të përdoret për të përballuar efektet e mosrealizimit të të ardhurave, nevojën e kryerjes së financimeve të reja dhe shtimin e financimeve mbi fondet e miratuara të programeve ekzistuese, në rast se do të jetë e nevojshme gjithmonë me miratimin e Këshillit Bashkiak. Transfertat për individët përbëhen nga transfertat në mbështetje sociale të shtresave në nevojë si bonusi i strehimit, dëmshpërblime në raste fatkeqësish natyrore, stimuj ekselence, si ai për nxënësit e shkëlqyer dhe stimuj të tjerë si shporta e bebes , të cilat do të vazhdojnë të paguhen edhe gjatë vitit 2024” thuhet në relacion.

    Të vlerësuara sipas peshës në total vërehet se tek shpenzimet operative 15 për qind janë parashikuar për menaxhimin e mbetjeve ,reduktimin e ndotjes, mbrojtja e mjedisit. Ky zë vlerësohet në 2.9 miliardë lekë me një rritje 33.6 për qind në raport me planin e të njëjtit zë në vitin aktual.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit