Në kryeqytet, parkimi i makinës po kthehet në një mision të pamundur, ndërsa trafiku po rrit nivelin e stresit.
Fluksi i madh i mjeteve, kantieret e ndërtimit dhe ngushtimi i rrugëve me korsitë e biçikletave po krijojnë pengesa edhe në parkingjet publike dhe private të dedikuara.
Sot Tirana numëron 319 mijë makina, nga të cilat 35,600 kanë hyrë vetëm këtë vit. Ky numër kërkon për vendqëndrimet të paktën një sipërfaqe 1.3 km katrorë, e cila shtohet dita ditës me importin e makinave të tjera.
Për të kaluar kryeqytetin nga cepi në cep, nevojiten mesatarisht 45 minuta. Në rrugët urbane, autobusët lëvizin me shpejtësi 11 km në orë, ndërsa në praktikat ndërkombëtare standardi është 15 km në orë.
Problem tjetër për kryeqytetin është edhe stoku i makinave që nuk lëvizin prej vitesh dhe ato që përdoren nga bizneset për shitje ose qira. Për të parat, as bashkia e as policia nuk kanë një zgjidhje ligjore për të marrë masa.
Ndërsa për makinat me qira, masat që merren ndaj bizneseve në shumë raste nuk shoqërohen me largimin e tyre.