11.5 C
Tirana
E premte, 15 Nëntor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    ‘Pengmarrja’ e turpshme e Luiza Gegës, Rama u përpoq ‘të vendosë vetulla e nxorri sytë’

    Kur vjen puna të sporti, politika shqiptare e këtyre tre dekadave ka ditur vazhdimisht që ta përdorë atë për qëllimet e veta të ditës. Në shumicën e rasteve ja ka dalë mbanë që ta bëjë këtë, në raste të tjera rezultati ka qenë i miksuar dhe hera-herës qesharak.

    E tillë mund të konsiderohet edhe shfaqja e kësaj të marte në Bulevardin e Kombit ku kishin dalë të gjitha institucionet shtetërore, me Kryeministrin në krye për të pritur si heroinë Luiza Gegën, e sapo shpallur kampione Europe në 3 mijë metra me pengesa.

    Nuk është problemi se Gega nuk e meritonte një pritje madhështore për arritjen, por më së pari ndoshta do të ishte më mirë që të tërhiqte vëmendjen e Qeverisë dhe të Ministrisë së Arsimit e Sportit, të cilës ka vite që i kërkon një fizioterapist personal, që është gjëja elementare për atletët e nivelit të saj.

    Por, në vend të fizioterapistit, atletja kampione europe mori në vendin e parë të makinës së kuqe që e transportoi përmes bulevardit për në Kryeministri ministren e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi. Aq e sforcuar dhe e shtirur dukej hera-herës ky parakalim e gjithë kjo shfaqje, sa edhe vetë portreti i ministres Kushi sikur thoshte: “Po unë ç’dua këtu me këtë të panjohur?!”.

    Sa e panjohur është Luiza Gega për Evis Kushin, po aq e panjohur sa edhe për pjesën tjetër të Qeverisë, që kujtohet për sportistët vetëm për të ndarë meritat me këta të fundit, pavarësisht se kontributi i shtetit në këto merita jo vetëm që nuk ka qenë pozitiv, por disa bilance e nxjerrin edhe negativ.

    Por, ndryshe nga ministrja Kushi, Kryeministri Edi Rama ishte i vetëdijshëm se kush ishte Luiza Gega dhe se çfarë kishte bërë shteti e Qeveria e tij për të. Duke folur në përgjithësi, krahasimin e gjendjes së sportit bëri po me 2012-n, pavarësisht se ka thuajse dhjetë vite frenat e shtetit në dorë dhe iu kundërvu atyre që mendojnë të kundërtën, pra që shteti nuk ka bërë gjë.

    Ndoshta Qeverisë dhe Edi Ramës i duhej një ngjarje e bujshme, një aktivitet a diçka tjetër, mjafton që të hiqte vëmendjen nga akuzat e kritikat të cenimit të rëndë të sigurisë kombëtare, pas ndalimit të dy shtetasve rusë dhe një ukrainasi të dyshuar si spiunë. Por, në rastin e përdorimit të Luiza Gegës, qeveria u nis të vendoste vetulla e nxorri sytë.

    Shumë i kujtuan Ramës nëpër rrjetet sociale rastin e Ilir Sulit. Në vitin 2000, Edi Rama si ministër Kulture dhe Ilir Meta si Kryeministër e pritën me buqeta me lule dhe e mbushën me premtime për mbështetje peshëngritësin që kishte dalë i treti në kampionatin europian të peshëngritjes. Premtimet u tretën më shpejt se sa Suli dhe njeriu që ngriti flamurin shqiptar në podium u harruar.

    Në të njëjtin kurth të politikës u fut këtë të martë edhe Luiza Gega, ndërsa e gjithë ceremonia, që ngjasonte më shumë me një ceremoni martesore, ndoshta do të hyjë në histori si ngjarja e dytë më turpshme të organizuara nga politika në këto tre dekada. E para mbetet ende torta e 100-vjetorit të Pavarësisë.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit