17.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Rama godet fort Altin Dumanin, pas provave të fundit

    Pas reformës në drejtësi, kryeministri Edi Rama i ka qëndruar përgjithësisht larg tundimit të politikanëve për të sulmuar organet e reja të sistemit, sidomos SPAK-un.

    Prokuroria e Posaçme ka qenë tabelë qitjeje nga opozita, madje edhe nga elementë të mazhorancës, ndonëse me doza më të buta kritike.

    Por, këtë të premte duket se edhe vetë Ramës i ka sosur durimi me SPAK-un dhe drejtuesin e ri të strukturës, Altin Dumanin.

    Përmes një postimi të gjatë Rama e shënjestron për dosjen e 21 janarit, që pavarësisht se ka në dorë audopërgjimin e ri, ku dyshohet se është komunikimi i zinxhirit komandues të Gardës së Republikës, Prokuroria e Posaçme shpalli sërish moskompetencë.

    Në letrën që kreu i SPAK, Altin Dumani u ka dorëzuar familjarëve të katër viktimave ja kalon Prokurorisë së Tiranës që të gjejë nëse në dosje ka akuza që mund të kalojnë në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme.

    E thënë më thjesht, Dumani e përcolli dosjen për te prokuroria normale, duke mos gjetur elementë të vrasjes së organizuar shtetërore, as pa publikimit të audio-përgjimeve të reja.

    Për Ramën, hetimi i 21 janarit nga SPAK nuk ka pasur nevojë për prova të reja dhe ai kritikon fort vendimin për të shpallur moskompetencë për të. Vendimit dhe këmbënguljes së Dumanit për të mos e marrë këtë dosje, Rama i përgjigjet duke i kujtuar drejtësinë e vjetër.

    Kryeministri paralajmëron rrezikun që SPAK të rrëshqasë në inercinë e drejtësisë së vjetër dhe se 21 Janari është njëra prej atyre dosjeve, në mos kryesorja, se pse zhgënjimi popullor te reforma në drejtësi dhe zemra e kësaj reforme, Prokuroria e Posaçme është i madh.

    “A KA MË KU TË RRIJË që teksa së fundmi, doli edhe një tjetër material, autentik, brutalisht rrënqethës, për vrasjen me paramendim dhe gjakakullsi kriminale, me pushkët e shtetit, të katër qytetarëve të pafajshëm, të paarmatosur, të parrezikshëm për askënd, vrasësit e tyre vazhdojnë jo vetëm të enden të lirë, po luajnë edhe role nga më të rëndësishmet në jetën e vendit?!

    Hapjen e zjarrit me plumba luftarakë mbi një turmë, sistemi demokratik nuk e njeh si të drejtë të shtetit, po e konsideron krim të rëndë dhe në historinë e Europës së të paktën 100 vjetëve të fundit, përfshirë edhe Europën e Luftës së Ftohtë, Shqipëria demokratike është i vetmi vend ku është hapur zjarr luftarak mbi turmë.

    Zjarr luftarak vdekjeprurës i pahetuar, i pagjykuar dhe sigurisht i pandëshkuar prej 12 vjetësh! Një proces farsë mbi këtë krim shtetëror të paparë e të padëgjuar në historinë e Europës, anashkaloi totalisht të vërtetën ulëritëse të një vrasjeje me paramendim, madje të paralajmëruar e të paspranuar me arrogancën më poshtëruese nga urdhëruesit.

    Drejtësia e vjetër, e kalbur dhe e nënshtruar, rivrau katër të vrarët, shkeli egërsisht mbi plagët e familjeve të tyre, përdhunoi pashpirtësisht jetimët e katër baballarëve, duke u mohuar barazinë para ligjit dhe duke u dhënë shqiptarëve mesazhin më të hidhur, e më dekurajues të mundshëm për drejtësinë e pabarabartë në atdheun e tyre.

    Drejtësia e re, me institucionin e saj kyç, të krijuar enkas nga një vullnet i fortë popullor e politik, kombëtar e ndërkombëtar, për hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionin e zyrtarëve të lartë, e cila duhet ta kishte nisur jetën e vet bash tek ky gur i përgjakur i themeleve të shembura të barazisë para ligjit të këtij vendi, jo vetëm nuk u kthye tek vendi i këtij krimi me pasoja tmerrsisht deformuese, të thella e afatgjata, për kulturën politike e demokratike të Shqipërisë, po bëri sikur s’kishte asnjë lidhje me të, pavarësisht se një prej motiveve më të forta të mbështetjes masive popullore të reformës në drejtësi (prej ku lindi edhe vetë SPAK-u si mishërim i një shprese të madhe) ishte pikërisht nevoja kombëtare për drejtësi për 21 janarin.

    Ky është sot edhe një nga motivet kryesore të zhgënjimit popullor nga reforma në drejtësi – kush i mohon apo i ve në diskutim si të parën edhe të dytën, nuk e kupton ose nuk do që ta kuptojë thelbin dhe konseguencat historike mbi shtetin e së drejtës, të veprimit apo mosveprimit të ilaçit të drejtësisë për plagën tragjike të 21 janarit.

    Lajmi i mirë gjithsesi është se për drejtësinë nuk është kurrë vonë. Dhe pavarësisht se krimi makabër i 21 janarit s’ka pasur nevojë për prova të reja, me provat e reja të javëve të fundit, e sidomos me audioregjistrimin tronditës të publikuar ditët e fundit, moskthimi pa humbur më kohë i drejtësisë së re në vendin e krimit të 12 vjetëve më parë, do të ishte konfirmimi dramatik i nënshtrimit të saj ndaj inercisë së neveritshme të drejtësisë së vjetër. Dhëntë Zoti jo”, shkruan Rama.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit