Një grabitje e pazakontë ka ndodhur në banesën e kardinalit shqiptar Ernest Simoni në qendër të Firences, ndërsa ai ndodhej në Londër për një takim me Mbretin Charles III.
Hajdutët arritën të hynin në apartament duke shembur një pjesë të murit dhe duke hapur derën e blinduar me dalta, për t’u larguar më pas me një plaçkë që vlerësohet rreth 30 mijë euro.
Sipas “Corriere Fiorentino“, apartamenti ndodhet në Piazza Duomo, në një banesë të Kurisë, ku 97-vjeçari jeton së bashku me nipin e tij, Tonin Simoni, restaurator në Firence.
Në momentin e grabitjes, askush nuk ndodhej në shtëpi. Kardinali ishte në Londër, ndërsa Tonin Simoni dhe bashkëshortja e tij kishin dalë nga banesa rreth orës 13:00. Kur u kthyen në orën 23:00, u përballën me një skenë shkatërrimi.
Muri pranë derës ishte copëtuar me dalta, dera e blinduar ishte hapur me forcë, ndërsa çdo dhomë ishte kontrolluar. Garderobat, valixhet, sirtarët dhe kasetat ishin hapur një nga një në kërkim të sendeve me vlerë. Dy daltat e përdorura nga autorët ishin lënë në korridorin e pallatit.
Ajo që habit më shumë hetuesit është koha që u është dashur autorëve për të kryer grabitjen. Shembja e murit dhe hapja e derës së blinduar kërkonin kohë dhe zhurmë, megjithatë askush nuk ka raportuar asgjë, madje as prifti që banon në katin poshtë apartamentit.
“Nuk e prisnim kurrë një gjë të tillë. Mendonim se ishim të sigurt. Është e pabesueshme që një grabitje e tillë të ndodhë në Piazza Duomo, ndoshta edhe në mes të ditës. Është një turp për qytetin”, tha Tonin Simoni.
Sipas tij, autorët nuk kanë vepruar rastësisht.
“Jam i bindur se na kishin vëzhguar. E dinin saktësisht që nuk ndodhej askush në shtëpi”, u shpreh ai.
Nga banesa u morën para në dorë, disa sende floriri, bizhuteri të bashkëshortes së Toninit, medalje dhe një vulë floriri. Mes sendeve të vjedhura ishte edhe leja e qëndrimit e kardinalit Ernest Simoni, e cila ruhej në një sirtar.
“Vjedhja e këtij dokumenti është e çuditshme. Nuk e kuptoj pse mund t’i duhej dikujt, përveç rastit kur synon ta falsifikojë”, tha nipi i kardinalit.
Karabinierët mbërritën menjëherë në vendngjarje, ndërsa ekspertët e policisë shkencore kryen këqyrjen e banesës në kërkim të gjurmëve. Hetuesit po analizojnë edhe kamerat e shumta të sigurisë në Piazza Duomo, një nga zonat më të monitoruara të Firences.
“Piazza Duomo është zona më e mbikëqyrur e qytetit. Është e pabesueshme që dikush arriti të bënte një gjë të tillë pikërisht këtu”, tha Tonin Simoni.
Pas grabitjes, ai telefonoi menjëherë xhaxhain në Londër për ta njoftuar. Reagimi i kardinalit, megjithatë, nuk ishte për shumën e parave apo sendet e humbura.
“Pyetja e parë që më bëri ishte nëse hajdutët kishin prekur statujat fetare që mban në dhomën e tij, e cila duket si një kapelë e vogël. Më pyeti për statujën e Zojës së Medjugorjes dhe për atë të Atë Pios. Kur i thashë se ishin të gjitha në vend, ai më tha: ‘Atëherë, pak rëndësi ka'”, tregoi Tonin Simoni.



