Ekipi i Forcave “Shqiponja” të Tiranës ishte atë paradite qershori në shërbim si çdo ditë tjetër. Alarmi për një rast zjarri në katin e pestë të një pallati në zonën e “Myslym Shyrit”, shumë pranë Drejtorisë së Tiranës ku kanë repartin, bëri që efektivët të “fluturonin” drejt vendngjarjes, edhe para zjarrfikëses.
Komandantja e grupit Amarilda Shabani vlerësoi rrezikshmërinë e rastit në kohë rekord dhe bashkë me djemtë e skuadrës u ngjitën në katin e pestë.
Banorët e pallatit u kishin thënë se në apartamentin e mbyllur jetonte e vetme një zonjë e moshuar dhe zjarri mund t’i merrte jetën.
Në këto kushte, komandantja dhe djemtë e grupit të “Shqiponjave” shkelmuan derën e apartamentit në katin e pestë, ku gjetën pa ndjenja por ende me shenja jete zonjën e moshuar. Skuadra kishte mbërritur atje në kohë rekord dhe nuk mund të priste ndërhyrjen e zjarrfikëses dhe ekipit mjekësor, ndaj “Shqiponjat” e morën në krah për pesë kate.
Kur ata zbritën në rrugë, ambulanca sapo kishte ardhur dhe ato minuta ishin vendimtare për jetën e zonjës që ishte asfiksuar brenda apartamentit që kishte marrë flakë. Menjëherë djemtë e “Shqiponjave” u riorganizuan dhe hapën rrugën që ambulanca të mbërrinte në kohë në spital.
Zonja e moshuar u mbajt në jetë falë kujdesit intensiv të mantelbardhëve dhe ndërhyrjes së skuadrës nën drejtimin e komandantes Amarilda Shabani.
Raste të ngjashme janë të shpeshta për ekipet e Forcës së Posaçme, por pasqyrimi i pamjeve në media bëri bujë të madhe, duke i treguar publikut për guximin dhe profesionalizmin e lartë të atyre djemve nën uniformë që vepruan për të shpëtuar një qytetare në nevojë, pa marrë parasysh rrezikun që u kanosej mes flakëve.
Sot, komandantja e atij grupi ka shprehur dëshirën për të shkuar më lart në karrierë, për të marrë drejtimin e një prej komisariateve të vendit. Disiplina dhe profesionalizmi i lartë që e ka kalitur gjatë viteve të drejtimit të një prej grupeve të “Shqiponjave” të Tiranës, e kanë shtyrë Amarilda Shabanin të besojë në garën për drejtuesit e rinj.
Ajo mban gradën “Komisar” dhe në listën publike të shpallur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, renditet në vendin e 34-rt, mes 290 kandidatëve.