16.5 C
Tirana
E hënë, 5 Qershor, 2023
More
    spot_img
    spot_img

    Shtrenjtohen kreditë për shtëpi, interesi mesatar kaloi kufirin e 5% në muajin janar

    Normat mesatare të interesit të kredisë për shtëpi në lekë të sektorit bankar kanë kaluar kufirin e 5% në muajin janar të këtij viti.

    Për herë të parë, Banka e Shqipërisë ka nisur publikimin e statistikave për normat mesatare të interesit të portofolit gjendje të sektorit bankar, ndërsa më parë statistikat i referoheshin vetëm kredive të reja të dhëna gjatë periudhës statistikore.

    Statistikat e portofolit gjendje tregojnë se norma mesatare e interesit që pagujanë familjet për kredinë për shtëpi është rritur me ritme të shpejta gjatë 12 muajve të fundit.

    Në muajin janar, norma mesatare e interesit për kreditë për blerje banese në lekë ka arritur në 5.12%, nga 3.83% që kishte qenë në shkurt të vitit të kaluar, para se Banka e Shqipërisë të fillonte serinë e rritjes së normës bazë të interesit.

    Rritja e normës së interesit të portofolit gjendje reflekton pjesërisht normat më të larta të interesit për kreditë e reja, por sidomos efektin që ka sjellë rritja në treguesin referues (benchmark). Për lekun, ky tregues zakonisht është yield-i i bonove 12-mujore të thesarit, megjithëse në raste të veçanta bankat mund të përdorin edhe bonot me afat më të shkurtër maturimi, si tregues benchmark i parashikuar në kontratë.

    Yield-et e bonove vitin e kaluar u rritën me ritme të shpejta, sidomos në periudhën mes muajve gusht dhe nëntor. Yield-i bonove 12-mujore në nëntor arriti në 5.83%, niveli më ië latë prej vitit 2013. Pas muajit dhjetor, yield-et pësuan një korrigjim në rënie dhe tashmë për bonot 12-mujore yield-i mesatar i ponderuar ka zbritur poshtë nivelit të 4%.

    Megjithatë, yield-et janë në rritje të ndjeshme me bazë vjetore, duke reflektuar lëvizjet e politikës monetare. Edhe për këtë arsye, norma mesatare e interesit të kredive për shtëpi të individë ka vijuar të rritet.

    Një tendencë të ngjashme në rritje po ndjek edhe portofoli i kredisë në euro, megjithëse në terma mesatarë kredia në monedhën europiane ngelet më e lirë. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e interesit e kredive për blerje banese në euro arriti në 4.55%, nga 3.53% që kishte qenë në shkurt të vitit të kaluar.

    Në rastin e euros, treguesi benchmark i përdorur është Euribori 12 mujor. Edhe ky tregues është rritur me ritme të shpejta vitin e kaluar dhe në muajt e parë të këtij viti, duke pasqyruar rritjen e normave të interesit nga Banka Qendrore Europiane. Në muajin janar 2023, Euribori 12-mujor arriti në pothuajse 3.4%, ndërkohë që në të njëjtën periudhë të një viti më parë ishte ende në vlera negative.

    Rritja e normës mesatare të interesit për familjet huamarrëse po përkthehet në shtrenjtim të kësteve mujore, duke rritur barrën e kredisë mbi buxhetet mujore të familjeve. Rritja e normave të interesit pritet të sjellë një ngadalësim të ndjeshëm të kreditimit në segmentin e individëve, ngadalësim që ka nisur qysh në tremujorin e fundit të vitit të kaluar.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit