spot_img
spot_img

Pse NATO nuk vendosi një datë për samitin në Shqipëri

spot_img

Për disa orë, mungesa e Shqipërisë në deklaratën përfundimtare të Samitit të NATO-s në Ankara krijoi pikëpyetje nëse Aleanca kishte ndryshuar planet për samitin e ardhshëm të liderëve.

Por përgjigjja është jo.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e konfirmoi qartë se samiti i ardhshëm do të zhvillohet në Shqipëri, duke sqaruar se e vetmja çështje që mbetet e hapur është koha e zhvillimit të tij.

“Samiti i ardhshëm do të jetë në Shqipëri. Ky ishte vendimi i marrë në Hagë… Natyrisht, ende duhet të vendosim kohën e saktë”, deklaroi Rutte në konferencën për shtyp në përfundim të samitit.

Të njëjtën përgjigje dha edhe Zyra për Shtyp e NATO-s në një komunikim me Albanian Post, duke përcjellë të plotë deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm dhe duke sqaruar se, për momentin, nuk ka asnjë informacion shtesë për t’u bërë publik.

Edhe kryeministri Edi Rama, në një intervistë për CNN Türk, tha se mungesa e Shqipërisë në deklaratën përfundimtare nuk lidhet me ndryshim të vendimit.

“Sekretari i Përgjithshëm e tha edhe në konferencën për shtyp se samiti i ardhshëm do të mbahet në Shqipëri. Arsyeja e vetme pse kjo nuk u përfshi në deklaratë është se ende po zhvillohen diskutimet për kalendarin”, u shpreh Rama.

Pse nuk ka ende një datë?

Në pamje të parë, mungesa e një date mund të duket e pazakontë.

Ndryshe nga sa perceptohet shpesh, samitet e NATO-s nuk kanë qenë gjithmonë një ngjarje vjetore.

Deri në përfundimin e Luftës së Ftohtë, Aleanca zhvilloi vetëm dhjetë samite të liderëve, ndërsa pas viteve ‘90 frekuenca e tyre u rrit ndjeshëm, pa u kthyer domosdoshmërish në një takim të përvitshëm.

Këtë herë, pasiguria lidhet edhe me përmbajtjen e vetë samitit.

Në Hagë, aleatët ranë dakord për objektivin që deri në vitin 2035 shpenzimet për mbrojtjen të arrijnë në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Në Ankara, sipas autoriteteve shqiptare, liderët raportuan për hapat e parë të ndërmarrë në zbatimin e këtij angazhimi.

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, tha se samiti në Tiranë pritet të ketë një karakter më operacional, duke u përqendruar te zbatimi konkret i investimeve, prokurimeve ushtarake dhe modernizimit të kapaciteteve të Aleancës.

Sipas tij, këto procese kërkojnë kohë dhe mund të duhen 12, 18 apo edhe 24 muaj, çka e bën të arsyeshme që data të mos jetë përcaktuar ende.

Një vendim që tejkalon Shqipërinë

Në të njëjtën kohë, klima ndërkombëtare mbetet jashtëzakonisht e paqëndrueshme.

Samiti në Ankara u zhvillua nën hijen e përshkallëzimit të konfliktit me Iranin, ndërsa marrëdhëniet mes administratës amerikane dhe disa aleatëve evropianë mbeten komplekse.

Analistë të cituar nga media ndërkombëtare kanë ngritur edhe mundësinë që NATO të mos zhvillojë domosdoshmërish një samit liderësh vitin e ardhshëm, duke iu rikthyer modelit të mëparshëm, ku këto takime organizoheshin vetëm kur kishte nevojë për vendimmarrje strategjike.

Për rrjedhojë, debati nuk është më nëse samiti do të mbahet në Shqipëri, por kur Aleanca do të vlerësojë se kushtet politike dhe strategjike janë të përshtatshme për ta zhvilluar atë.

Lajmet e fundit