Në mesin e muajit qershor, disa media shqiptare raportuan se Senati i Shteteve të Bashkuara kishte konfirmuar Eric Wendt si ambasadorin e ri amerikan në Shqipëri, duke publikuar madje edhe rezultatin e një votimi të pretenduar me 51 vota pro dhe 47 kundër.
Megjithatë, dokumentet zyrtare të Senatit amerikan tregojnë se ky informacion nuk rezulton i saktë.
Sipas Kalendarit Ekzekutiv të Senatit, Eric Wendt vijon të figurojë në listën e nominimeve që presin shqyrtimin dhe votimin nga Senati në seancë plenare.
Emri i tij renditet me numrin 761, si kandidat për postin e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë, me shënimin:
“Raportuar nga senatori Jim Risch, Komisioni për Marrëdhëniet me Jashtë, pa raport të botuar.”
Ky status do të thotë se kandidatura e tij është miratuar nga Komisioni për Marrëdhëniet me Jashtë i Senatit, por ende nuk është hedhur për votim në Senatin e plotë.
Nëse konfirmimi do të kishte ndodhur, emri i tij nuk do të figuronte më në Kalendarin Ekzekutiv si një nominim në pritje.
Procesi i emërimit të Wendt nisi më 13 prill 2026, kur Presidenti Donald Trump ia përcolli zyrtarisht kandidaturën Senatit.
Më 20 maj, ai dëshmoi përpara Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë, ku paraqiti prioritetet e tij për marrëdhëniet SHBA-Shqipëri, duke vënë theksin te lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimi i bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, siguria kibernetike dhe nxitja e investimeve amerikane.
Më 4 qershor, Komisioni për Marrëdhëniet me Jashtë miratoi kandidaturën e tij me 19 vota pro dhe 3 kundër, duke ia përcjellë Senatit për shqyrtim.
Sipas procedurës kushtetuese amerikane, pas miratimit në komision, kandidatura duhet të kalojë në seancën plenare të Senatit, ku hidhet në votim nga të gjithë senatorët.
Vetëm pas këtij votimi Presidenti nënshkruan aktin zyrtar të emërimit, ambasadori bën betimin dhe mund të marrë detyrën në vendin ku është emëruar.
Për rrjedhojë, ndonëse Eric Wendt mbetet kandidati i Presidentit Trump për postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri dhe ka kaluar fazën e shqyrtimit në Komisionin për Marrëdhëniet me Jashtë, ai ende pret konfirmimin përfundimtar nga Senati amerikan përpara se të mund të nisë zyrtarisht mandatin e tij diplomatik në Tiranë.



