23.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Korrik, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    SPAK çon për gjykim “duart akullore”

    Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (SPAK) njoftoi të enjten se ka përfunduar hetimet për procedimin penal për ish-kryetarin e Bashkisë Durrës, Vangjush Dako dhe 10 persona të tjerë.

    Dako, i cili gjendet në masën arrest me burg që prej muajit qershor, akuzohet për “Shpërdorim detyre” në procedurën e dhënies së lejes së ndërtimit të një pallati shumëkatesh dhe shpërdorim të fondeve publike në procedurën e prokurimit për ndërtimin e një shëtitoreje në bregdet.

    Në përfundim të hetimeve paraprake ka rezultuar se Dako ka kryer veprime në kundërshtim me kompetencat e kryetarit të bashkisë në miratimin e lejes së ndërtimit në favor të shoqërisë “Fakle sh.p.k, pasi Dako dhe zyrtarët e kësaj bashkie i përpiluan dokumentet dy vjet pasi ndërtimi kishte përfunduar dhe banorët banonin në pallatin në fjalë.

    Hetimi i SPAK konkludon se, “është bërë legalizimi i një objekti shumëkatësh, të ndërtuar pa leje, ndërkohë që dhe vetë ndërtimi nuk është bërë sipas projektit të paraqitur nga ndërtuesi dhe të miratuar nga Bashkia Durrës”.

    Vepra e dytë penale për të cilën do të gjykohet Dako ka të bëjë me një procedurë prokurimi, për shërbim konsulence, sigurimin e një projekti të quajtur “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”.

    Sipas SPAK, komisioni i ngritur me urdhër të Dakos, ka kryer gabim llogaritjet e fondit limit, me një vlerë gati dhjetë herë më shumë se ajo që duhet të llogaritej në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave.

    Dako ka nxjerrë urdhrin e prokurimit me vlerën e llogaritur nga Komisioni dhe ka bërë një vesh të shurdhër dhe ka vijuar pagesat ndaj shoqërisë fituese edhe pse Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar gabimin dhe ka kërkuar rikuperimin e dëmit ekonomik. Dëmi ekonomik ndaj shtetit në këtë rast llogaritet në masën 18.3 milion lekë.

    SPAK bën të ditur se ka paraqitur në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për dërgimin në gjyq të Vangjush Dakos me akuzën “Shpërdorim të detyrës”, e kryer në bashkëpunim.

    Vangjush Dako është kryebashkiaku më jetëgjatë i Partisë Socialiste në Durrës, i shpallur i padëshirueshëm nga Departamenti Amerikan i Shtetit me motivacionin e “korrupsionit madhor” në korrik 2019. Ai është akuzuar nga opozita dhe ka rezultuar në përgjime me elementë të krimit të organizuar, të cilët veç narkotrafikut dyshohet se ndikuan në tjetërsimin e rezultatit të zgjedhjeve në Durrës në vitin 2017.

    Ndërkohë, para 4 vitesh, në një dalje në emisionin “Opinion”, Dako hidhte poshtë akuzat ndaj tij për korrupsion duke bërë një deklaratë që bëri xhiron e rrjetit në atë kohë.

    “Jam akullore unë. I shikon këtu duar, janë të pastra akullore”, deklaronte Dako, që tani është e qartë që akullorja është…shkrirë.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit