14.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Askushët “deputetë të popullit” dhe nëna ime: Përse është i turpshëm vetë-votimi për rrogat dhe çfarë do të thotë për të ardhmen e vendit

    Nga Bedri Islami

    Deputetët e parlamentit të tanishëm, përgjithësisht, janë njerëz të panjohur. Figura mediokre në një pas-skenë, ku bëjnë sikur luajnë lojrat e politikës së madhe. Në të vërtetë gjithçka varet nga pushteti i Njëshit të tyre. Cilido qoftë ai, i majtë, apo i djathtë, i mesëm apo i kurkundit, Njëshi vendos.

    Nëse shefi i qeverisë u thotë deputetëve të tij të votojnë një ligj të caktuar, edhe pse nuk ia dinë thelbin e pasojat, ata e votojnë. Shumë prej tyre, as që i lexojnë projektligjet. Nëse shefit të qeverisë, disa muaj më pas, i mbushet mendja se ky ligj, i sapo votuar, duhet ndërruar, ata përsëri e votojnë, edhe pse mund të jetë krejt i kundërt me çfarë kanë ngritur kartonin disa muaj më parë.

    Nëse shefi i opozitës, Berisha apo kushdo tjetër qoftë, u thotë se nuk duhet votuar një ligj, pak prej tyre, me gishtat e një dore mund ta kundërshtojnë. Të tjerët janë të një mendje. Nëse disa muaj më pas ai u thotë se ligji duhet miratuar, sigurisht që e miratojnë.

    I vetmi rast ku deputetët bënë sikur dolën kundër shefit të qeverisë dhe kundër kreut të foltores ishte ky i fundit, që lidhej me pagat e tyre. Të jenë bërë vërtet kaq trima, sa të mos u dridhet syri nga Njëshi? Duket e pamundur, dhe e pamundur do të ishte nëse shefi i qeverisë do e kishte përnjëmend.

    Deputetët tanë do të ketë një pagë mujore prej 310 mijë lekësh, pa futur këtu bonuset e vazhdueshme, që e bëjnë shpërblimin e tyre edhe më të ndjeshëm. Pa përmendur favoret e tjera që kanë krijuar për vete në shumë vite, deri te rrugët që u hapen, punësimet që bëjnë, shpërblimet që marrin. E përsëri janë të panjohur.

    Pas shumë diskutimesh, më shumë të rrahura nga shefi i qeverisë që gjatë fushatës përjashtoi çdo mundësi rritje të pagës për deputetët dhe ministrat e tij, të enjten deputetët vendosën thuajse dyfishimin e pagës së tyre. Pak prej tyre u skuqën apo u zverdhën, ashtu si ishin të paktë ata që votuan kundër.

    Përse është i turpshëm ky vendim dhe çfarë do të thotë për të ardhmen e vendit?

    Në ditët e para të qershorit më shumë se 675 mijë pensionistë do të venë të marrin pagën mujore. Bonusin e muajit maj e morën, tani duhet të presin tetorin ose edhe më tej, përsëri 5000 lekë. Shpërblimin për të cilin kanë punuar gjatë shumë viteve. Si të thuash, atë që ka mbetur nga djersa e tyre.

    Mes tyre do të vejë edhe nëna ime.

    Pas 4 dekadave punë, filluar që në janarin e vitit 1945, deri në fundin e vitit 1985, pensioni i saj mujor është nën mesataren e vendit. Kështu kanë qenë ligjet, kështu kanë mbetur. Është i mjfatueshëm për pagesën e energjisë elektrike dhe të ujit. Ndoshta edhe të ndonjë ilaçi që nuk rimbursohet.

    Ka punuar kudo që i kanë thënë, fillimisht mësuese, pastaj në një dyqan të madh, sekretare, shefe kuadri, e përjashtuar nga partia – një vit pa punë, dhe kur i thanë se mund të punonte vetëm fshirëse rugësh në komunale, u gjend një njeri me pshtet, Bilal Parruca dhe e dërgoi në shtëpinë e fëmijës, të kujdesej për jetimët, ashtu si për fëmijët e saj.

    Është një shembull. Nëse nuk do të kishte fëmijët e arsimuar dhe jashtë Shqipërisë, do e kishte patur të vështirë jetesën.

    Është një shembull. Në lagjen time, në Shkodër, mund të sjell dhjetëra të tillë. Dikush me pension më të lartë, të tjerë, më të ulët. Kur isha në shtëpinë e lindjes, zyra postare është dhjetë metra larg hyrjes sonë. I shihja pensionistët në ditët e dimrit, të mbledhur grusht, në orët e gjata të pritjes, dhe, kur dilnin, me duart që i dridheshin numëronin pagën që sapo kishin marrë.

    Nganjëherë prisnin edhe tri orë, deri sa posta të hapej, pastaj të vinin paratë, pastaj radha e gjatë, në fund, kthimi në shtëpi duke numëruar dhe bërë llogaritë deri në muajin e ardhshëm.

    Një deputet merr tani rreth 42 herë më shumë shpërblime  mujore, pagesë dhe bonuse të sanksionuara, se nëna ime, apo pensionistët e tjerë të lagjes sime. Që kanë pension mesatar.

    Vendimi është i turpshëm, pasi krijon distancën e jashtëzakonshme mes shumicës së popullsisë të paguar nga shteti, në këtë rast pensionistët dhe ligjbërësit.

    Nuk dihet tashmë, nëse deputetët janë zgjedhur për t’i shërbyer popullit, apo populli duhet t’u sherbejë edhe më tej atyre.

    Distancimi i tillë, edhe financiar, krijon ndasinë mes atyre që duhet të krijojnë terrenin për të përcjellë mendimin e njerëzve dhe hallet e tyre në parlament, dhe të tjerëve, që presin padurueshëm pensionin mujor. A mund të jetë i besueshëm një deputet, i cili ka një distancë të tillë ndaj banorëve që thuhet se e kanë zgjedhur; a është normale që, vlera e një deputeti, qoftë edhe i panjohur, të jetë monedha e paguar dhe jo respekti apo dinjiteti i tij si njeri i politikës dhe ligjbërës?

    Nuk mund të thuash se parlamenti i tanishëm ka vlera të theksuara të dinjitetit njerëzor, kur, së pari, ia nis nga vetja, në përfitime. Ata krijuan kështu një bllok të ri politik, brenda sallës së parlamentit, që është thellësisht i dëmshëm, po aq sa ishte blloku i dkurshëm. Krijuan një ndasi të re, jo vetëm politike dhe financiare, por mbi të githa njerëzore dhe të dinjitetit si njerëz të politikës.

    Parlamenti dështoi të ishte qytetar dhe njerëzor. Ai nuk është i reformuar, por i deformuar. Si i tillë ai bëhet gjithnjë e më i pabesuar për njerëzit, të cilët kanë pritur se mund të kenë një portë që u dëshmon afërsi dhe ua di hallet. I ngopuri, në këtë rast, i sërngopuri, nuk i di hallet e të uriturit. Dhe pensionistët, mund të ishin thellësisht të uritur, nëse nuk do të kishin pranë vetes një fjalë që nuk e dinin, ‘reminitancat’ e fëmijve të tyre.

    Në morinë e ligjeve dhe të kodeve tona, është edhe Kodi Etik i Deputetit. Janë të njohura edhe praktikat e vendeve perëndimore.. Miratimi i këtij vendimi do të thotë që interesat financiare të një grupi të zgjedhurish, rënduan mbi pabarazinë shoqërore dhe ekonomike të vendit. Ajo krijoi distancimin e pamatë dhe disporporcionin e theksuar mes pagave të nomenklautës së lartë të shtetit, drejtuesve të institucioneve dhe pagave të një kategorie shumë më pranë njerëzve, të mjekëve, mësuesve, ushtarakëve, shërbimit policor etj, dhe jo vetëm ndaj pensionistëve ku humnera e krijuar është thellësisht e madhe.

    Në Shqipëri qeveris ajo që quhet e majtë progresive, dhe e cila, në programin e saj politik dhe financiar duhet të ketë mbrojtjen dhe fuqizimin e interesave të një klase shoqërore që është më e lodhura nga koha; është e menduar se pikërisht këto njerëz edhe e kanë mbështetur pushtetin e sotëm, çka ndodhi edhe në zgjedhjet vendore të 14 majit  dhe pritet të ndodhë edhe pas dy viteve, në ato parlamentare.

    Si mund të ndodhë kjo me një forcë politike, që e paraqitur si e majtë dhe që qëndron në pushtet pikërisht nga njerëz që aspirojnë te e majta, të krijojë këtë distancim përherë e më të thellë?

    Rritja e pagave për rreth 700 mijë punjonjës buxhetorë, afërisht sa është edhe numri i pensionistëve, do të krijojë anomali edhe në treg. Rritja e fuqisë blerëse të një pjese të popullsisë, zakonisht më e zgjedhur dhe e sigurtë deri diku në të ardhurat e saj, mund të shoqërohet me rritjen e mëtejshme të çmimeve, që zakonisht ndodh kur rritet kërkesa dhe blerjet janë më të mëdha.

    Qeveria duhet të mendojë që tani se si mund të përballohet kjo gjendje e së ardhmes. Jam i bindur se askush nuk ka drojë më nga grevat që nuk ndodhin, nga rebelimi i një pjese të popullsisë, pasi, e para, pensionistët mezi ia dalin të venë deri te sportelet e bankave apo të postës, dhe, e dyta, të emëruarit apo të punësuarit të shtet kanë tani një rritje financiare, të cilën nuk duan ta humbasin.

    Deputetët, ministrat, zevëndësministrat, drejtorët, shefat e mëdhenj dhe të vegjël, që nga muaji i ardhshëm do të kenë në llogarinë e tyre rritjen e re të pagës së tyre.

    Arsimtarët do i gëzohen 7 përqindëshit, infermierët e mjekët e familjes, po ashtu, ndërsa pensonistët do të presin ditën kur mëshira qeveritare do i japë bonusin e ri, që vlen tani sa tre kg mish, një shishe vaj luledielli, tri bukë dhe një pako me mollë.

    Nëse deri atëherë çmimet nuk do të jenë rritur përsëri…

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit