Gazetari Ilir Yzeiri, i cili ishte edhe i pranishëm në seancën gjyqësore të Gjykatës Administrative ku u shqyrtua padia e kryebashkiakut Veliaj ndaj prokurorit Ols Dado, ka komentuar sot edhe përqafimin e ngrohtë mes Veliajt dhe aktorit Robert Ndrenika.
“Është parë si një gjest human, njerëzor, ndaj një njeriu ndaj të cilit po ushtrohet një dhunë e egër juridike, ndaj të cilit është ngritur një padi nga dy anonimë që nuk ekzistojnë; pra, prokurori që ka ngritur padinë ndaj Erion Veliajt është një falsifikator, sepse ai ka marrë identitetin e dikujt tjetër, ka shtuar një emër, dy emra, të cilët sikur kanë bërë padi”, tha Yzeiri.
Ai u shpreh se mbrojtja e Erion Veliajt i ka kërkuar Prokurorisë së SPAK që t’i vërë në dispozicion identitetet e paditësve anonimë.
“Ju e dini që në gjyqin ndaj Sali Berishës për tjetërsimin e pronave të klubit “Partizani”, i pari u paraqit paditësi, pra Taulant Balla, ai që kishte bërë padinë. Tani, kur të bëhet gjyqi ndaj Erion Veliajt, cili paditës do të paraqitet atje? Se duhet të vijë një. Prokurori nuk mund të jetë paditës, ai administron provat dhe ngre padinë. Cili është ky paditës?
Nëse ky prokuror që ka falsifikuar emrin e dikujt tjetër, pra ka paraqitur një personazh të rremë, ky ka kryer një vepër penale, sepse ka falsifikuar identitetin e dikujt tjetër dhe me atë identitet ose ka krijuar një identitet të rremë ka ngritur një padi që i ka shkatërruar jetën dikujt. Që këtu fillon anomalia, pastaj ato çështjet për të cilat akuzohet Veliaj janë të gjitha maskaradë e një personi të frustruar siç është Olsi Dado”, tha Yzeiri.



