16.5 C
Tirana
E hënë, 2 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Çuditë shqiptare: Aeroporti fantazëm i Kukësit, nuk ka asnjë fluturim, por thotë se ka rritje të të ardhurave

    Aeroporti i Kukësit duhet të ishte aeroporti i dytë funksional i vendit për fluturime ndërkombëtare, por deri tani, kryerja e fluturimeve në të duket se ka dështuar.

    Sipas faqes zyrtare të aeroportit, në të paraqiten si operator fluturimesh kompanitë Air Albania dhe Wizz Air, në fakt, por në fakt asnjëra nuk kryen fluturime nga Aeroporti i Kukësit.

    Megjithëse nuk ka aktivitet fluturimesh, për vitin 2023 kompania raportoi rritje të ndjeshme të të ardhurave dhe ulje të humbjeve në bilanc.

    Sipas pasqyrave të audituara financiare, kompania Kukësi International Airport (KIA) e mbylli vitin 2023 me humbje para tatimit në vlerën e 101 milionë lekëve, nga gati 160 milionë lekë që kishin qenë humbjet për vitin 2022.

    Efektin kryesor në uljen e humbjeve e dha rritja e të ardhurave të kompanisë. Për 2023, KIA raportoi xhiro në vlerën e 330 milionë lekëve, me një rritje prej më shumë se katër herë krahasuar me vitin 2022.

    Peshën kryesore në strukturën e të ardhurave e zënë ato nga duty free. Për 2023, KIA raportoi gati 280 milionë lekë të ardhura nga ky zë, 31 herë më shumë krahasuar me një vit më parë. Të ardhurat nga duty free përbëjnë 85% të të ardhurave të përgjithshme të aeroportit.

    Në pamje të parë, vetë ekzistenca e të ardhurave nga duty free duket e çuditshme, në kushtet kur në aeroport nuk kryhen fluturime ndërkombëtare dalëse.

    Koncepti i duty free parashikon përjashtimin nga TVSH-ja dhe taksat e tjera të produkteve që shiten në zonat kufitare apo asnjanëse, sipas parimit që këto produkte blihen për t’u konsumuar jashtë vendit.

    Madje, zakonisht këto produkte paketohen me një ambalazh të dallueshëm që blerësi nuk duhet ta hapë deri në vendin e destinacionit. Por, në kushtet kur një airport nuk ofron shërbimin e fluturimit jashtë vendit, një e ardhur hipotetike nga shitja e mallrave duty free do të nënkuptonte thjesht kontrabandimin e tyre brenda vendit.

    Të ardhurat e tjera të pakta të Aeroportit të Kukësit janë raportuar si të ardhura nga shërbime aeroportuale, logjistike, qira, hapësira parkimi, etj.

    Paralelisht, kompania vitin e kaluar ndërmori një ulje të shpenzimeve, duke përfshirë këtu një reduktim të ndjeshëm të stafit. Në fund të vitit 2023, kompania raportonte vetëm 37 persona të punësuar, nga 77 që kishte qenë numri i tyre një vit më parë.

    Shpenzimet e personelit pësuan rënie me 19%, ndërsa shpenzimet e tjera operative ranë me 47%.

    Shoqëria “Kukës International Airport” është një shoqëri e themeluar në fillim të vitit 2019, në përmbushje të kushteve të kontratës së koncesionit”, të lidhur midis Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë si Autoriteti Kontraktor, si dhe bashkimit të shoqërive “Global Technical Mechanics” dhe “Bami”.

    Kontrata parashikonte një vlerë investimi prej rreth tetë milionë eurosh, pa TVSH. Investimi për rehabilitetin dhe bërjen funksional të aeroportit u financua kryesisht nëpërmjet dy kredive të marra nga Raiffeisen Bank (pesë milion euro) dhe Tirana Bank (366 milion lekë).

    Në vitin 2022, kompania “Bami” i shiti aksionet e veta tek ortaku tjetër, “Global Technical Mechanics” që tashmë është aksioneri i vetëm i kompanisë. Periudha e koncensionit është 35 tridhjetë e pesë vjet.

    Qeveria shqiptare kishte pritshmëri të mëdha për këtë aeroport, madje për hapjen e fluturimeve ndërkombëtare nga ky aeroport u desh të ringeciohej kontrata koncesionare me Tirana International Airport, që parashikonte ekskluzivitet të fluturimeve ndërkombëtare në favor të këtij aeroporti.

    Në momentin e miratimit të kontratës, Ministrja e Industrisë dhe Energjisë parashikonte që dy aeroport mund të tërhiqte linjat e fluturimi low cost dhe të gjeneronte një trafik prej rreth 300 mijë pasagjerësh në vit. Por, deri tani, investimi ka rezultuar zhgënjyes.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit