Në diskutimet e fundit të “Big Brother VIP”, debati mes Rozana Radit dhe Gerta Gixharit ka ngritur shumë pyetje mbi kufijtë e komunikimit dhe ndjeshmërinë ndaj situatave personale. Përmes një lidhjeje telefonike në “Fan Club”, Andeta Radi, motra e Rozanës, u përfshi në debat, duke shprehur zhgënjimin e saj për mënyrën se si u trajtua kjo situatë.
Sipas Andetës, shprehja e përdorur nga Gerta – “Unë kam atë që s’e ke ti” – ka prekur një plagë të thellë të motrës së saj, e cila prej vitesh është përpjekur të bëhet nënë. “Historia e Rozit është disa vjeçare, por nuk dua ta tregoj këtu se do thoni viktimizohet familjarisht. Kjo çështje u hap në mënyrën më të keqe të mundshme dhe u diskutua në një mënyrë që nuk do të doja,” tha ajo.
Diskutimi u përshkallëzua më tej kur Andeta debatonte me opinionistin Ronaldo Sharka dhe ish-banoren Amber Candy. Ronaldo vuri në dukje se të dyja palët kanë gabuar, duke theksuar se provokimet fillestare shpesh përcaktojnë rrjedhën e situatës. “Rozana provokoi e para, pastaj pse duhet të kenë edukatë vetëm ato që kanë fëmijë?” tha ai.
Nga ana tjetër, Andeta mbrojti motrën e saj, duke theksuar ndjeshmërinë që një çështje si mëmësia duhet të ngjallë tek gratë. “Unë nuk jam dakord që t’i përmendet mëmësia askujt,” u shpreh ajo, ndërsa shtoi se Gerta gjithashtu ka përjetuar sulme personale, duke e bërë këtë një situatë të ndërlikuar për të gjithë.
Në këtë vorbull debatesh, ish-banorja Amber Candy, duke e quajtur Rozanën një “personazh teatral,” solli edhe një tjetër pikë diskutimi: perceptimin e publikut. Sipas Amberit, konflikti mes “të mirës” dhe “të keqes” është ai që mban audiencën të lidhur me programin. “Publiku do dhe të mirën dhe të keqen që t’i përballë bashkë. Në këtë rast, e mira isha unë, e keqja Rozana,” tha ajo.