Një aksident i rëndë ka ndodhur rreth orës 04:00 në aksin Këlcyrë-Përmet, në afërsi të fshatit Kuqar.
Automjeti tip Benz ka del nga rruga dhe ka përfunduar në anë të lumit Vjosa. Për pasojë kanë humbur jetën 8 shtetas, 7 prej të cilëve klandestinë. Gjithashtu ka ndërruar jetë edhe drejtuesi i automjetit, një shtetas nga Shkodra.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 04:00, në aksin rrugor Këlcyrë- Përmet, në afërsi të fshatit Kuqar, dyshohet se si pasojë e humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit nga drejtuesi, automjeti tip Benz ka dalë nga rruga dhe ka rënë në anë të lumit Vjosë.
Si pasojë e daljes nga rruga kanë humbur jetën 8 shtetas( 7 shtetas dyshohet se janë nga vendet e treta dhe drejtuesi i automjetit nga Shkodra)
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor i cili nën drejtimin e Prokurorit punon për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.
Gjithashtu në vendngjarje ndodhen Drejtori Vendor i Policisë, Drejtori i Departamentit për Kufirin, Drejtori i Policisë Rrugore dhe Drejtori i Rendit Publik.
Po në vendngjarje ndodhen dhe dy grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë. Në përfundim të veprimeve të para do ketë njoftim më të detajuar.
Aksidenti me 8 të vdekur – Makina me klandestinë po i ikte policisë me 180 km/h, kush është shoferi nga Shkodra që humbi jetën
Detaje të reja nga aksidenti tragjik në aksin Këlcyrë – Përmet, ku 7 emigrantë të paligjshëm dhe drejtuesi i një mjeti humbën jetën.
Drejtuesi i mjetit ka qenë duke transportuar 7 emigrantët e paligjshëm nga pika kufitare e Tre Urave në drejtim të Këlcyrës.
Drejtuesi i mjetit, Sokol Ismeti ka tentuar që t’i ikë policisë, pasi është pikasur nga patrulla me mjetin e mbushur plot me njerëz.
Sapo ka parë patrullën e policisë ai ka shtuar shpejtësinë dhe është kthyer për në drejtim të Përmetit për t’u larguar.
Sipas ekspertizës paraprake mjeti ka qenë duke lëvizur me shpejtësi 180 km/h. Për shkak të shpejtësisë së lartë, drejtuesi ka humbur kontrollin e ‘Benz’-it dhe ka ‘fluturuar’ në anë të lumit Vjosë.
Të 8 viktimat kanë humbur jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa ka pasur vështirësi edhe në nxjerrjen e trupave.



