12.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Prill, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Drejtori që ka bërë kërdinë me tenderat

    Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur mbi 100 tendera me një vlerë totale prej të paktën 710 milionë eurosh që prej vitit 2021, kohë kur ky institucion u mor në drejtim prej Evis Berberit. Të dhënat e Open Data Albania tregojnë se në të paktën 90 nga 100 tenderat e hapur gjatë kësaj periudhe prej Autoritetit Rrugor Shqiptar, ka pasur parregullësi.

    Open Data klasifikon me flamur të kuq në total 95 procedura prokurimi publik të Autoritetit Rrugor Shqiptar në tre vitet e drejtimit të Berberit,. Shënimi me flamur të kuq (red flag) i një procedure prokurimi tregon një ekspozim apo rrezik të mundshëm për sjellje të papajtueshme me ligjin ose joetike të biznesit, kryesisht në lidhje me mosrespektimin e ligjeve antikorrupsion. Vlerësimi për këtë kategori bëhet në mënyrë automatike me filtra analitik të paracaktuar prej sistemit të Open Data.

    Në rastin e Autoritetit Rrugor Shqiptar vihet re se në shumicën e tenderave të shënjuar me flamur të kuq mungon konkurrenca. Që do të thotë se në këto procedura dyshohet se është paracaktuar fituesi, përmes kritereve të vendosura nga ARRSH, ose përmes negociatave të nëndheshme të vetë kompanive pjesëmarrëse në tendera.

    Kjo është njëra anë e medaljes. Ana tjetër e saj, me më shumë kosto për qytetarët është se tenderat dyshohet se janë dhënë kryesisht me pazar në tavolinë, me oferta gati sa fondi limit, me gara fiktive, kritere të përshtatura për fituesin e paracaktuar dhe në shumë raste me letra false. Pikërisht këtë po heton SPAK-u, që ditët e fundit ka ndërmarrë një kontroll në shtëpinë e Evis Berberit, kreu të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

    SPAK dyshon se shumica e fituesve në procedurat e tenderimit gjatë periudhës që Autoriteti Rrugor Shqiptar janë dhënë kundrejt një ryshfeti 15 deri në 20 për qind të fondit limit. Dyshimet janë se ryshfeti jo gjithnjë është dhënë me mënyrën klasike me çanta, por edhe me klering, pasuri të paluajtshme, prona, apartamente, makina, kalim direkt parash në llogari në offshore dhe forma të tjera.

    Burimet pohojnë se SPAK po heton në lidhje me këto indicie, në përpjekjke për të siguruar informacion të detajuar dhe të provuar.

    Nga ana tjetër, SPAK po verifikon edhe kompanitë fituese të një sërë tenderash për ndërtimin e rrugëve, të cilat dyshohen se për të kompensuar tarifën e korrupsionit, mashtrojnë me zbatimin e kontratës, volumin dhe cilësinë e punimeve.

    Rasti më flagrant për cilësinë e punimeve është rruga Korçë-Ersekë, për të cilën SPAK ka nisur hetimet kryesisht dhe ku dyshohet se e përfshirë në vjedhje është edhe kompania supervizuese e punimeve.

    Dyshimet janë për një rrjet kompanish supervizuese të punimeve të lidhura nëndheshëm me drejtuesin e Autoritetit Rrugor, të cilët e përdorin fuqinë që u jep legjislacioni për të miratuar, apo mosmiratuar punimet e kryera në rrugë të caktuara me ‘faturat korruptive’ që kompanitë fituese të këtyre tenderave duhet të paguajnë. (VoxNews)

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit